Bjeshkët e larta me krye mbuluar
në netët e gjata të dimrit të ftohtë,
pranë vatrës burrat krye menduar
lahutën dëgjojnë mes telit çfarë thotë.
Legjendën sjell të gjallë nga epoka,
shtrati bjeshkëve e lëshon si ortek.
Dridhet prej zanit gjiut e nxjerr toka
kënga e maje krahut në kulla troket.
Hovet dalë gjoksesh erëra bjeshke,
në loge kuvendesh sjellin trimëritë.
Tej udhëkryqesh gjaku lumë derdhet
tokës së lashtë kanë lindur kreshnikë.
Dridhet lahuta në dorë të rapsodit;
dridhet bjeshka nga dhimbje plage.
Piskamë dëgjohet thirrje malësorit
trupi plagosur nga tehu një shpate.
Bluzën përgjakur në fusha beteje,
në lisat shekullor e ngritën flamur,
kemi lindur këtu në jetë të jetëve
shqip zë flet dheu, shqip e çdo gurë.
Mëkuar nga zotat në herë të herës;
në male të larta ndër fusha e brigje.
Jemi zotat e vendit prej erës së erës
veç me të matemi si zogj të shqipes.
Vjen klithmë e shqipes në tel lahute
bjeshkëve të bardha lëshohet ortek;
liria vulosur fushflamurit me të kuqe;
shqiptari shekujve për të veç ka vdek.