Suplementi Pena Shqiptare/ Alma Zenellari: ”Një letër për, Shirli Valentinën”

243
Sigal

 

(një letër që duhet lexuar …)

U njoha vonë me ty, Shirli Valentina. As nuk e dija që ekzistoje. Ti zbrite për të turbulluar  planetin tim për një moment, por brenda atij momenti unë kuptova se sa fatlume isha. Brenda atij çasti që ti u shfaqe në fletët e librit , pse ta fsheh, unë të desha. Po Shirli, dhe do doja të isha ajo.., ajo gjysma tjetër e jotja, ajo rrebelja, kryengritësja. Ti do të më thuash se ke qenë me mua një jetë të tërë. Po ku ta dija unë ?!. Do të më thuash se ke qënë këtu pranë meje kushedi sa vite. Ke frymuar pranë meje në të njëjtën dhomë, në të njëjtën kuzhinë. Madje ke qenë me mua edhe kur kam bërë pazarin e thjeshtë. Kur bija në djersë jo thjesht nga vapa, por nga gjithë ajo peshë qeskash me zarzavate që mbaja në duar deri sa arrija përpara portës së shtëpisë.  Madje edhe kur ajo portë, e cila duhej të ishte hapur  nga dikush që qëndronte në dritare dhe më shihte (djali im a vajza ime) ata nuk nxitojnë të më dalin përpara se.., çuditërisht  kanë turp të më ndihmojnë .  E kupton?.  Sigurisht që e kupton, sepse ti e di si është ai çast, sepse e ke provuar vet… Nuk e di si i zotëron nervat, i lëshon të gjitha përdhe. Pastaj kërkon në çantë ose më saktë në një xhep të mallkuar të çantës që nuk e di pse nuk hapet dhe nxjerr atë, çelsin e bekuar që do të hap portën për të hyrë brenda. Dhe vetëm kur kapërcen pragun e derës kupton si të rrjedh djersa rrëke nëpër trup deri në fundshpinë. Zemërohesh po s’ke kohë, sepse sërish duhet të ngresh atë tufë budallaqe me qeska dhe t’i vendosësh në vendin e duhur. I ngre dhe mallkon hiçin që s’duket kërrkund të të vijë për ndihmë. Edhe pse gulçon, s’mjafton. Duhet sërish të nxitosh të gatuash, sepse të pret një familje e tërë dhe pse kjo familje nuk është asnjë orë të ditës pranë teje. Është krejt e padukshme. Veçse kur shfaqet e tëra me katapultë rreth tryezës. Janë ata, fëmijtë e tu, burri yt që komentojnë dhe analizojnë me minuta të tëra gatimin. Do të ishte diçka e rrallë sikur të të ndihmonin së paku në fund për të ngritur ndonjë pjatë a lugë. Oh, po kjo do të ishte diçka e rrallë pse jo, për çmimin gines…   Po Shirli Valentina, ti paske qenë aty në gjithë këtë rrëmujë, pranë meje ose më saktë poshtë rrobave të mia, nën këmishën time, nën lëkurën time. Paske qenë aty edhe kur unë i flisja televizorit, ndryshe nga ty që i flet murit. Po nejse, ku është dallimi?! As televizori im nuk më përgjigjet asnjëherë. E kuptova tepër vonë e dashur, që ti paske ekzistuar në këtë botë 30 a më shumë dekada. Madje ke rrugëtuar , je lodhur, je cfilitur në të njëjtin dimension kohor edhe me nënën time. Dhe pse as ajo nuk e ka kuptuar praninë tënde. Madje, madje ajo u habit kur unë i fola për ty dhe tha ‘’sa ngjajmë!… Po, të gjitha gratë ngjajnë!.Dhe unë e di pse !

Por, ajo u habit më tepër kur i tregova atë zbulimin tënd, atë gjetjen tënde, që ne femrat e kemi me vete. Ajo më tha të ulja zërin se kushedi na dëgjojnë jashtë dhe nuk është mirë të zihemi me burrat e botës. A e kupton Shirli, se ajo nëna ime tashmë 75 vjeçare ende nuk e ka njohur vetveten, beson se klitori është një krijesë më vete ashtu si ti, deri sa zbulove të vërtetën. Akoma nuk e di që është pjesë e jona.

Shirli, përse nuk e bërë më parë këtë zbulim?!…

Megjithatë çfarë fati është të njohësh ty Shirli Valentina. Sepse, ti ke atë guximin e munguar që unë s’e kam. Sepse brenda shpirtit tënd gjendet një shpirt i madh luftarak. Ndonëse dhe ti nuk e dije, por mjaftoi një çast që brenda teje të zgjohej ai, gjiganti i fjetur. Ti e zgjove me një lëvizje, me një ikje. Zgjove zjarrin që tulatej mijëra vjet në prushin e kraharorit tënd për të djegur atë mendësi të mallkuar që u transmentohet burrave gabimisht. Trazove shurdhërinë dhe verbërinë e atyre që edhe emrin ta harruan duke të kthyer në një qenie pa identitet. Ti je ajo gruaja e zakonshme që bën ca gjëra të vogla sa të thjeshta por që kanë vlerë të jashtëzakonshme. Sepse me kurajën tënde duke i besuar vetvetes ti theve ca rregulla tabu të pashkruara. Askund në asnjë fletë libri nuk gjendet një udhëzues i tillë :”të rraskapitet gruaja pafundësisht kohë e pakohë, të bëhet ashtu e vockël një grimcë e padukshme, një qenie inekzistente: të shpërdorohet deri në fund fuqia dhe shpirti i saj; të zhduket tingulli i buzëqeshjes së saj, që e bën të mrekullueshme këtë botë, e bën të bukur, të jashtëzakonshme.  Shirli Valentina, të lutem mos u largo dhe për pak kohë. Vazhdoj të kem nevojë për ty, për të gjitha ato që zotëron ti. Ti je një Karmen me shpirt të fortë që beson te fuqia e saj, (dikur besoja se isha dhe unë)…Ti je një grua që beson se gjërat mund të ndryshojnë, se rutina mund të vdes nëse pranojmë të ndryshojmë vetveten, nëse pranojmë të zgjohemi. Nëse ngremë zërin tonë ndaj atyre që na vrasin me heshtje, ëndrrat. Ndaj atyre që harrojnë se brenda nesh lulëzon jeta. Jemi të vetmet që i japim kuptim fjalës “të dua”, fjalë që dikur kur na e thoshin na çonte …, në cilin qiell, Shirli?.  ‘” Të dua”, kjo fjalë e madhe që e bën qiellin të errët kur mungon. E bën qiellin të rrudhet të nxihet, të lëshojë rrufetë, të ngrejë furtunë. Vetëm atëherë Shirli mund të largohesh. Vetëm atëherë kur çdo lëkundje e vogël të bëhet një tërmet i madh dhe të godas vetëdijen e planetit “Grua” dhe qënia e saj të zgjohet plotësisht, atëherë kjo botë e mbrapshtë do të kuptojë se ajo gruaja është edhe nënë, edhe vajzë edhe bashkëshorte. Se ajo gruaja, se unë gruaja, di të fal mirësi dhe atje ku nuk ka gjurmë të saj. Di të mbjell dashuri edhe në një tokë shterp. Di të ndërtojë fole paqeje dhe të rris fëmijë të shëndetshëm, të kujdesem për jetët e tyre. Di të ngre ëndrra që s’janë thjesht ëndrra, por e ardhmja e botës. Di të bëj të lumtur dhe kjo lumturi të zgjas përgjithmonë.

Qëndro me mua Shirli Valentina!