“Ekonomia, tregtia e turizmi fusha me interes reciprok”/ Presidenti Meta takon Ministrin e Jashtëm të Kinës: Të forcojmë më tej marrëdhëniet tona

179
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka pritur në takim Ministrin e Jashtëm të Kinës, Wang Yi në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri.

Kreu i shtetit shprehu dëshirën për të forcuar më tej marrëdhëniet dhe miqësinë tradicionale mes dy vendeve dhe popujve.

 

“Zhvillimi i marrëdhënieve ekonomiko-tregtare, shkëmbimet në bujqësi, turizëm, kulturë dhe arsim janë fusha me interes dhe me dobi reciproke për vendet dhe popujt tanë”, – nënvizoi Kreu i Shteti gjatë takimit.

Presidenti Meta, duke theksuar rëndësinë e rolit të Shqipërisë, si anëtare jo e përhershme e Këshillit të sigurimit të OKB-së për vitet 2022-2023, që përkon edhe me 50-vjetorin e anëtarësimit të RP të Kinës në OKB, e siguroi ministrin kinez për bashkëpunim në funksion të forcimit të mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit kudo në botë.

Zëri i Amerikës i ka kushtuar një artikull vizitës zyrtare të Ministrit të Jashtëm. Sipas zyrtarëve shqiptarë, vizita do të përqendrohet në marrëdhëniet dypalëshe. Shqipëria është pjesë e Nismës 17+1 të Kinës, një platformë që synon zgjerimin e bashkëpunimit të Kinës me vende të Europës Lindore dhe Qendrore, por që shihet me shqetësim nga ekspertët për mungesën e transparencës dhe mënyrën se si kryhen investimet kineze. Vizita e tij në Tiranë vjen edhe në prag të marrjes nga Shqipëria të një vendi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.