Suplementi Pena Shqiptare/ Alma Zenellari: Ndonjëherë…!

66
Sigal

Më ndodh ndonjëherë të të pres,

atëherë kur frymën ma zë malli.

Në kafazin e hapur të dritares,

hyn ajri dhe më prek me gishtat e tu,

çdo gjë përreth më sheh me sytë e tu

dhe unë drithëroj…

Bien nji nga nji gjethe padurimi

dita bëhet e bardhë,

ardhja jote gjithashtu…

Më ndodh ndonjëherë të të krijoj

(prej mallit sigurisht),

ndonjëherë prej erës,

ndonjëherë prej shiut,

ndonjëherë prej dritës,

dhe t‘i kthehesh arsye e zjarrmit dhe gëzimit,

e ankthit dhe frikës!

Trembem mos më ikën…

Më ndodh ndonjëherë të të them

është koha të vish, është koha të kthehesh,

se dita nuk mbushet me ajër me dritë,

se dita ankohet nga pritjet e gjata.

Se nata po fiket në duart e mia,

dhe loti dhe ylli ngadalë vdes

pa ty, nga kjo mungesë…

Më ndodh më ndodh ndonjëherë;

që malli frymën ma merr !