Drejtuesi politik i PD në qarkun e Dibrës , Xhelal Mziu ,në një takim me banorët e Trebishtit, denoncoi harresën dhe mungesën e investimeve në këtë zonë që nga viti 2012.
Sipas tij nuk është investuar asnjë qindarkë për rrugët, për zhvillimin e për njerëzit.
Ai theksoi gjendjen e rëndë të infrastrukturës, shpopullimin dhe mungesën e shërbimeve bazike, duke prezantuar angazhimet e Partisë Demokratike për të rikthyer vëmendjen dhe zhvillimin në këto zona të lëna pas dore.
Xhelal Mziu:
Takim me banorët e #Trebishtit – një krahinë e harruar në skajin lindor të Dibrës.
Trebishti, kjo zonë e izoluar dhe me histori të pasur, është lënë në harresë që prej vitit 2012, kur Partia Demokratike i dha mundësinë të lidhej me Dibrën e Madhe përmes pikës së kalimit në Xhepisht. Sot, edhe kjo dritare e vetme drejt qytetërimit funksionon vetëm 8 orë në ditë, duke kufizuar aksesin e banorëve në shërbimet më bazike, siç është spitali.
Që atëherë, në këtë krahinë nuk është investuar asgjë. Asnjë qindarkë për rrugët, asnjë për zhvillim, asnjë për njerëzit. Rruga nga kufiri është në gjendje të mjerueshme, pa mirëmbajtje, as në verë dhe as në dimër.
Shpopullimi ka bërë të vetën – fshatrat janë boshatisur, dhe ata pak të moshuar që kanë mbetur, nuk kanë as mundësinë dhe as fuqinë të punojnë tokat. E gjitha kjo, në mungesë totale të mbështetjes.
Platforma e Partisë Demokratike vendos qytetarin në qendër të vëmendjes. Ne angazhohemi për:
Mbështetje për të pamundurit, ata që ndihen të harruar;
Mbështetje për studentët, që të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre;
Mbështetje për pensionistët, që të jetojnë me dinjitet;
Mbështetje për të papunët, që të kenë shpresë për nesër;
Mbështetje për bujqësinë, si shtyllë e ekonomisë së zonave rurale;
Mbështetje për emigrantët, që kthehen dhe investojnë në agroturizëm e biznese në vendlindje.
Trebishti ka nevojë për vëmendje. Ka nevojë për zë. Dhe ne jemi këtu për ta ngritur atë zë.






















