Suplementi Pena Shqiptare/ Sami Milloshi: Norman

978
Sigal

Tregim

Norman kurrë nuk kishte ngarë makinë. Kurrë nuk kishte përdorur telefon dore. Kurrë nuk kishte ngrohur diçka në mikrovalë, sepse kurrë nuk e kishte pasur një të tillë. As televizor nuk kishte blerë kurrë. Megjithëse thoshte se kur mbeti jetim, mama Betty e kishte lënë me amanet që John, vëllai i tij i madh, të kujdesej për të… Por, John iku në Vietnam dhe atje la kockat për vete dhe nuk pati as kohë dhe as shans të kujdesej për Norman. Norman qe shndërruar gati gati në legjendë në gjithë kampusin e kolegjit tonë. Prirjen e tij për t’i kaluar anash teknologjisë së sofistikuar disa e shihnin si shprehje të miopisë së tij. Disa të tjerë e vishnin këtë prirje me një kostum ekzotik. Si ata turistët që në vend që të zgjedhin hotelet luksoze me pesë yje, pëlqejnë të kalojnë natën nën një çadër të thjeshtë mushamaje midis pyllit ku gumëzhijnë gjinkallat dhe harbojnë zogjtë në korin e tyre akapela. Unë vetë thjesht isha kurioz ta marr vesh se çfarë e shtynte Norman të bënte një jetë të tillë, primitive, ta themi kështu, siç edhe e pëshpëritnin po thuaj të gjithë. E kush isha unë?!! Unë isha ai shqiptari që vija nga një botë primitive që doja të mësoja, se pse amerikani Norman, nuk ngiste makinë, edhe pse pothuaj po dilte në pension pa ngarë asnjëherë makinë në jetën e tij!

– Po pse nuk e mësove ta ngasësh makinën Norman? – e pyeta një ditë ndërsa po hanim mëngjesin në kafenenë e bibliotekës.

– Është një gjë që do kohë të ta tregoj – më tha ftohtë Norman.

Domethënë, një gjysmë ore sa kishim ne në dispozicion për të ngrënë mëngjesin atij nuk i mjaftonte ta tregonte historinë.
E kisha provuar përsëri të nesërmen, të pasnesërmen, pas një muaji, e pas një viti, dhe ai gjithnjë gjente një mënyrë t’i bënte bisht pyetjes…

– E po mirë Norman- i thashë një ditë tjetër, më trego se si është e mundur që ti kurrë nuk ke përdorur karta debiti dhe krediti për të blerë gjërat që të nevojiten.

– Kur isha dhjetë vjeç – tha Norman- mama Betty më dha njëzet dollarë të shkoja të blej një gallon qumësht dhe një qese me mollë. Kusurin më tha ta mbaja në kuletë. Më mbetën më shumë se dhjetë dollarë. Kur u bëra gati t’ia kthej mamasë , ajo më tha:” Mbaji për vete. Ti duhet të kesh gjithnjë aq para në kuletën tënde sa t’i blesh lule dikujt që do…” Ja pse unë kurrë nuk përdor karta krediti , se e kam porosi nga mamaja. Norman nuk ishte martuar kurrë. Ama të gjithë besonin se shkak për këtë që bëre një aksident automobilistik që i kishte marrë jetën të dashurës së tij, Sharon… Një herë më pati thënë se çdo mëngjes kur nisej me këmbë nga shtëpia për në punë, borë të ishte a akull të ishte, ai sajonte me mëndje një dialog me Sharon e ndjerë dhe kështu i bëhej sikur ato njëzet minuta udhëtim për në punë i shndërroheshin në njëzet sekonda.

Kështu ditë për ditë, muaj për muaj, vit për vit, për dyzet vjet rresht. I gjithë qyteti i Nortonit e dinte se Norman bisedonte me Sharon në vetminë e tij… I gjithë qyteti e dinte se çdo fillim maji Norman blinte një tufë me tetëmbëdhjetë trëndafila të kuq dhe ashtu, i përhumbur , përulej mbi varrin e Sharon… Edhe këtë maj ashtu bëri. U la, u parfumos, veshi kostumin e zi, dhe u nis me këmbë në supermarket të blinte tufën e zakonshme të trëndafilave. E zgjodhi për merak si gjithnjë. Kur vajti të paguajë tek kasierja ndodhi një nga ato hatatë teknologjike dhe kasierja tha:
– Sistemi i pagesës me karta është bllokuar, kështu që kush nuk ka para kesh për të paguar të kthejë mallrat në rafte.- Plasi një ” Ouuuuuuuu” e zhurmshme dhe shumica e blerësve në radhë i kthyen mallrat në rafte. Vetëm Norman ndenji përballë kasieres me tufën e tetëmbëdhjetë trëndafilave të tij për Sharon.

– Sa mirë- tha kasierja- vetëm ti nuk humbe kohë të paguash.

– Mama Bettyt i ndrittë shpirti- tha Norman- Ajo më pati këshilluar që kur isha fëmijë që kurdoherë t’i kisha aq para të thata në kuletë, aq sa për të blerë lule për dikë që do ta doja. Një pah drite ia ndriçoi sytë e vegjël nën syza. Dhe ashtu me atë përndritje doli nga supermarketi me tufën e trëndafilave. Jashtë rigonte një shi i imtë që binte butë butë mbi shpatullat e Norman. Gjer në varreza kostumi i tij u qull në ujë , ama trëndafilat sikur u rritën edhe më në duart e Norman gjersa ai , i përulur në gjunjë i vuri mbi pllakën e mermertë të varrit të Sharon…