Suplementi Pena Shqiptare/ Agron Mema: Mëngjeset e tua

Fatmir Minguli

Parathënie

Sigal

Libri me poezi i poetit Agron Mema me titullin befasues “Mëngjeset e tua” është libri i parë që ky autor boton. Jo vetëm titulli është befasues, por të gjitha poezitë nga faqja në faqe të lenë mbresa jo të zakonshme ashtu siç jemi mësuar zakonisht me librat e shumtë me poezi.

I habitur me stilin poetik të Agron Memës dua të theksoj se ai është një poet ndryshe, një poet që njeh dualitetin në shoqërinë e sotme shqiptare, një dualitet aq të theksuar në botën e të dashuruarve ku nuk ka vetëm të mirë dhe vetëm të këqinj. Ndoshta përvoja e tij si gazetar e bën të jetë një poet ndryshe duke na sjellë lirika të jugut të bukur ku poetët kanë parajsën e vet poetike.  Aty janë të thënat e të pathënat e shpirtit të tyre. Dhe në rastin e lirikave të librit “Mëngjeset e tua” Agron Mema, ky djalë i detit Jon shfaq me një përkujdesje të admirueshme “sekretet” e tij.

Ai i kushton poezi lirike herë një mikeje të afërt dhe herë një mikeje të largët, apo të panjohur.

Jo më kot e theksova se ai i këndon dualitetit edhe në dashuri, i këndon dashurisë ashtu si ajo vjen, i këndon një dashurie që është e paprogramuar në analet e një dashuronjësi të rastit apo kalimtar në dashuri.

Poezi të tilla lirike si “Një letër urimi”, “E dashur të bëhem gjarpër varrezash”,

“Urim për ditlindjen tuaj” etj edhe pse kanë nga një subjekt delikat brenda tyre, ato fshehin diamante të shprehjeve më të kultivuara të njerëzve të bregdetit jo vetë, sarandiot.

Përmes shumë poezive të librit “Mëngjeset e tua” shihen disa poezi të shkurtra me pak vargje, por që nuk janë më pak të këndshme se edhe ato që kanë një farë gjatësie.

Këtu spikat tendenca e një lakonizmi të Agron Memës, një lakonizëm që unë e quaj veti të njerëzve të jugut, lakonizëm që ato pak rreshta në një poezi flasin me gjuhën e trupit edhe pa e parë atë. Ja një poezi e tillë, sa e thjeshtë e sa lakonike e plot kuptime deri në një lloj abstrakti:

 

MËNGJEZI SOT

Eh, çfarë mëngjezi sot!

Do nganjëherë Perëndia,

kaq kohë jam lodhur kot,

qe kaq afër dashuria!

 

Nëse ai në këtë lirikë të shkurtë shfaq abstrakten mund të them me plot gojën se ai abstrakten dhe deri absurden e ka për zemër duke mos qenë drejt i përsëdrejtë. Kjo nuk i shërben atij për të programuar fshehjen e sekreteve të jetës, por se ai e ka të vetvetijshme këtë absurd për të cilin kaq shumë poetë e kanë ëdërr.

Në librin e Agron Memës gjallon jeta e një qyteti plot dritë, lule dhe dashuri aty ku vajzat, femrat, djemtë e shumë kush feksin nga një dritë magjike. Këtë dritë magjike Agron Mema e sjell me shumë dashuri dhe delikatesë dhe kushdo që e lexon librin e tij “Mëngjeset e tua” e ndjen veten brenda tij. Ndjen se njerëzit janë pjesë e shoqërisë me politikë e pa politikë, por që janë në një evolucion të vazhdueshëm.  Eshtë ashtu siç e thekson eseisti i madh amerikan Xhorxh Stainer se “Ka një marrëdhënie midis artit dhe politikës, midis kulturës dhe shoqërisë. Për të kuptuar evolucionin e kulturës, për të kuptuar cilat ide mbizotërojnë dhe cilat janë pasojat e tyre, reflektimi kulturor dhe filozofik është i domosdoshëm”.

Edhe pse Agron Mema jeton e punon në një qytet jugor e skajor të Shqipërisë ai është në qendër të kësaj Shqipërie çka e tregon vetë libri “Mëngjeset e tua”. ai arriti të sjellë para nesh një libër origjinal duke na vërtetuar vetë origjinalitetin e tij!

Urime Agronit dhe rrugë të mbarë librit të tij të ri!

Poezi nga libri i Agron Mema

1-E ÇUDITSHME JE?!

Eh kjo dashuria jonë,

nuk do ketë rast në botë…

S’ka njeri që e tregon,

nuk ka fjalë që e thotë…

Tmerr ta mendoj një gjë të tillë;

një grua e bukur të jetë cinike.

Shpirti i femrës është si ditët në prill…

me naze: herë buzëqeshur e herë nevrike.

 

2-VËSHTRIMI YNË…

Sa i bukur ky mëngjesi i sotshëm gdhiu!

Dielli shpirtit rrezet rrufeshëm lësho.

Vështrimi im mbi syrin dhe flokun tënd ngriu,

zemra ngjasonte me vërshimin e një përroi.

Klorofil ulliri më ra mbi trup,

dhe petalet e trëndafilit me erë!

Përpiqem t’i heq, por s’mund.

Nuk lodhem më…e kam provuar disa herë.

Vështrimi:

Diell që shkrin dëborën,

dhe pranverë që lulet e shumta çel.

Syri yt e luan bukur lojën,

ndaj me fitore gjithmonë del.

 

3-KY MËNGJES SOT

I errët dhe i trishtë ky mëngjes sot,

si një natë dimri me erë e suferinë,

Si një sy i mbushur tejpërtej me lot,

dhe si një mot që bubullima e vetëtinë.

Megjithse vjeshtë, Lulet çelur janë akoma,

pavarësisht se mëngjes me stuhi dhe fortune…

Ëndrrat ndoshta mbeten lastare të njoma,

le të bëhen dhe vorbulla ku të mbytem unë.

 

4-S’KËRKOJ ASGJË

S’kërkoj asgjë,veç të të kem shoqe!

O Penelopë e bukurisë.

O zbukurim i kësaj bote.

O yll i ndritur i dashurisë.

Zoti tek ty punoi me nge,

atë moment kur të ngjiti.

Të ngjiti në shtatë qiejt mbi re,

dhe magjinë ta fali tek syri.

Ta fali magjinë tek syri,

po ta dha që të dashurosh.

Të jesh paqësore si ulliri,

dhe jo si Çezari të torturosh.

 

5-KUR TI SHKON

Flladitet flladi kur ti shkon!

Pemët përkulen e kthehen në relike.

Mes vështrimesh kulmin tënd shoqëron,

aromë parfume e ylberi drite.

Sa hije të ka vështrimi në kënd,

kur prek petalet e luleve të shpirtit.

Po ka njeri të mbetet me mënd?

Bijë e bukurisë, bekuar prej Krishtit.

 

6-MËNGJESET E TUA

Mëngjeset e tua ishin dhe mbeten të bukura,

sidomos kur vesh fustan me lule.

Zemra e shpirti fluturojnë si flutura.

Që ditën që të pashë në shpirt m’u ngule.

sy të veçantë, me shikim magjikë,

një trup si lastar pranverorë.

Nuk di pse pate, apo ke frikë,

dhe ëndrrën s’e prekim dot me dorë…

Të dy e dimë çfarë Zemra thotë,

dhe duam të shihemi sy më sy,

Kështu është ndërtuar kjo botë,

ka dhe këto modele në dashuri.

E di…trupi yt do të mbetet vetëm një ëndërr!

Të gjitha mendimet dhe ndjenjat eter.

Po për mua mbetej më e bukura femër,

pavarësisht se në krahë ke një tjetër…

Pak vargje për respekt të një vështrimi,

dy fjalë ç’ka desha nga ty:

-Le të jetë si okelio përkushtimi,

Se s’ka çdo rast fat në dashuri!