Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Xheka: Puthje që nuk u shua

21
Sigal

Më ka ngelur varur

një puthje nën qiellin e Athinës

në një rrugë të thjeshtë

që nuk ia mësova emrin kurrë.

Unë e bekova me emrin

“puthja e shenjtëruar”.

Ndalën hapat kalimtarët;

gjithçka heshti në shenjë nderimi.

Koha u ndal edhe ngriu

mbi krahët tanë të përqafuar

dhe mbi flokët tanë

u kristalizua edhe shiu.

Mos më pyesni për ato buzë,

as për atë kraharor të latuar,

as për vibrimin e tërbuar.

Jo. Do ta ruaj për vete në përjetësi.

Mund t’u tregoj pa mbarim

për dy shpirtra të dashuruar…

për një takim të parë

dhe fundin e tij…

Atje, dëshmitarët

kanë ngritur një monument dashurie

dhe e perfeksionojnë me fantazi…

A të kujtohet e dashur?

Atje, nën qiellin e Athinës

ne lamë nderur një copëz lumturi.

 

Mos, Mos!!!

I masakruan MIMOZAT…

mimozat për të cilat kam shkruar poezi.

Ia shqyen kofshët e bukura

ca shalshqyera sharlatane,

që janë gati të zbulojnë bythën

për pesë lekë apo për një palo-banane…

U shfaqën si hallexhesha

kryqëzimeve nëpër semafore

ua shitën ca x-pesave

parfumosur me spermë sterile

manjakëve me një dyzinë dashnore

që zhgërryhen në motele,

apo edhe mbi sedilje…

Të shkretat Mimoza

sa shpejt e humbën virgjërinë…

Ato, lajmëtaret e pranverës

përfunduan nëpër baltovina,

apo u “harruan”në koshat e plehrave.

Pas përmbushjes së “misionit”

u degdisën si mbeturina prapa derës…

O “njerëz”!

mos i përçudnoni Mimozat

lajmëtaret e pranverës…