Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Xheka: Eja moj e dashur!…

41
Sigal

 

Eja moj e dashur!…

Eja ulemi këmbëkryq e dashur

të paqëtohemi a të grindemi

ballpërball e shtruar- shtruar

të qetojmë zemrën e plasur

shpirtrat tanë të përvëluar.

Nuk jemi ne të dy të parët

dhe as të fundit në këtë botë

që iu thanë sytë nga të qarët

për gjëra hiç, për sherre kot.

E mos harro të marrësh aromën,

fjongon shall lidhur ndë gush,

ndoshta e puth unë buzënjomën,

kraharorin skuqur, djegur prush.

Eja moj, lëri nazet dhe mëritë

le t’i harrojmë ç’kemi lënë pas.

Kush u skllavërua nga xhelozitë

u tret në dhimbje dhe në maraz…

 

 

Kur ike ti

Kur ike ti…

nuk më mbeti asnjë peng!

I fshiva gjithë kujtimet,

dashuria jote ishte reng

siç ishin gjithë betimet.

Tani ti më ndjek fshehur

pas perdes së internetit

flet me vehte si e dehur

ball pasqyrës së tualetit.

Kur ike ti…

nuk u përmbys as planeti

s’i çorre faqet si në mort,

lotë s’rrodhën nga sikleti

përkundrazi qëndrove e fort.

S’kish si të ndodhte ndryshe…

Ra perdja. Nuk kish më aktrim.

Të tjera stinë si dallandyshe

do merrje rrugën për shtegëtim.

Kur ike ti…

As mua nuk m’u mor aspak fryma

gjoksi m’u mbush plot oksigjen.

Ashtu si të pruri, të mori rryma

duke kënduar prap të njëjtin refren.