Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Xhafka: Provimi i mamasë

266
Sigal

Kur u martua nëna qe në vitin e dytë gjimnaz. Kuptohet që e la shkollën. U fut menjëherë në punë në një repart që qepte jorganë. Punë e normuar, me gjilpërë në dorë pér 8 orë dhe asnjë çast ulur. Qëndrim në këmbë e rrotullim tavolinës ku rrinte shtrirë jorgani i mbushur me pambuk, por i paqepur. I pastiluar. E ngacmonim ne kur u rritëm, se ajo sipér u qëndiste tulipanë, trëndafilë dhe forma gjeometrike nga më të ndryshmet. Shkurt ishte punë e vështirë, aq më shumë pèr një vajzë 16-17 vjeç sa ishte nëna ime atëherë. Më pas hallet u shtuan se lindi tre fëmijë njeri pas tjetrit. Unë dhe vëllai larg një vit, thuajse ishim binjakë dhe motra 5 vjetë më vonë. E nuk u qa asnjë ditë. Puna- punë. Lodhja- lodhje! Andralla plot në shtëpi e fëmijët laj, shpëlaj, ushqe dhe veri në gjumë. Babai punonte financier. Kishte mbaruar teknikumin ekonomik. Më pas mbaroi dhe universitetin e ato mote krahas punës nisi të japë dhe mësim në shkollën ekonomike.

-E kam burrin profesor-thoshte me mburrje mamaja.

Nuk tallej! E shfaqte hapur admirimin. Gëzohej që babai ia kishte dalë mbanë.Një ditë, kur pasi po mbaronim darkën të pestë babai e nëna këndonin. Melodinë e tyre e kishim si ëmbëlsirën. Dëgjuam:

Babai:-Valkë, (kështu e thirrte) pse nuk e mbaron dhe ti shkollën e mesme? Dy vite i ke bërë. Forca!

Mamaja qeshi, por dhe u skuq nga ndrojtja e gëzimi.

-Tani pas kaq e kaq vitesh?! Po ku kam kohë per shkollë, unë more aman!

Kaq dhe e mbylli. Po pas ca ditësh iku në shkollë. Mbaroi të tretën, të katërtin dhe erdhi muaji i provimeve të pjekurisë. Mua dhe vëllait na dha librat ku babai kishte bërë nënvizime.

-M’i hidhni në copa letrash kéto që babi i ka bërë me laps të zi.

Iu futëm punës. Ia dhamë pas një jave. Ajo i futi në çantë dhe premtoi se do i mësonte përmendësh. Ndérkohë vazhdonte rutinën, punë, shtëpi. Jorganë, gatim, larje, shplarje, pastrim dhe…raskapitje. Ditën e provimit te shkolla e çuam unë dhe vëllai. Aty e pritëm tre orë. Doli e qeshur.Te një kazan plehrash aty pranë nxorri shënimet dhe i hodhi brenda. Shenjë se provimin e kishte bérë mirë.Atë ditë gëzimi-gëzim. Në darkë babai sa hapi derën morëm vesh që mamaja ia kishte dalë. Ai qeshte, pérqafoi mamanë dhe tha:

-Merrni shembull! Mori 9.

Klithëm sikur bënte gol vëllai kur luante te oborri i pallatit. Përqafoheshim me njéri tjetrin dhe gati lot na nxirrnin sytë. Nëna ia doli, babai nuk qe më shembulli i vetëm.

Kaluan ditë e mamaja sikur nuk po e shijonte aq shumë. Edhe qeshte edhe lumturohej, por edhe humbte. Shihte diku e mbetej atje.

-Ke ndonjë hall në punë?

-Jo,jo,-më tha.-Kam hall me provimin.

-Pse?

-Se ato që i shkrojtët ju unë nuk i mësova, i nxora nga çanta dhe i kopjova.

Nuk dija ç’të bëja, ç’të thoja. Po mendohesha, por dhe më qeshej.

-Mirë ia bëre,-e vulosa.-Ti nuk do bëhesh ekonomiste. Do qepësh prapë jorganë. Provimi nuk të béri që do qepësh më mirë trëndafilët a tulipanët.Ti e bëre për babain. Ai tani është në qiellin e shtatë nga lumturia. Mos i trego kujt!

Qeshi dhe ajo.Ra dakord.Se provimin e dha që babai të ndjehej mirë.Per të ajo mund të bëhej edhe kozmonaute.Nuk ia prishte kurrë. Kaq mjaftoi që mos pérmendte më provimin e të qeshte kur babai e ledhatonte me fjalët:

-O nxënësja më e dalluar e shkollës ekonomike!