Suplementi Pena Shqiptare/ Ledi Shamku Shkreli: Qofshim ndorja jote, Gjergj!

139
Sigal

 

 (Një sonet i Rilindjes Italiane për Skënderbeun. Përgatiti dhe përktheu: Ledi Shamku-Shkreli)

 Ka një debat të rëndësishëm mbi Gjergj Kastriotin këtë periudhë në Shqipëri. Por duket se edhe jashtë saj. Në t’vërtetë ky debat nuk është aspak i ri, ka mbi pesë shekuj e gjysëm që mbahet i ndezur. Nëse do rreshtoheshin këtu emrat e atyre që shkruan mbi këtë hero të Europës, nuk di kush do të mbetej jashtë. E në fakt Skënderbeu i vërtetë nuk është tjetër pos asaj miksture që ka mbetur gjallë në imagjinatën e njerëzve, në shkrimet e humanistëve të Rilindjes Europiane, në legjendat e maleve dhe kullat e Macukullit, në shkrimet kritike bashkëkohore e në ëndrrat e fëmijëve tanë. Gjergji i Madh është njeriu që e futi vrullshën popullin shqiptar në historinë e popujve modernë; ai është ati ynë i përbashkët tokësor. Soneti që vijon – tingëllima kishte me e quajtë Koliqi – titullohet “Dell’Invittissimo Scanderbeg” dhe ka për autor Luigi Grotton. Dy fjalë rreth tij. Luigi Grotto apo siç njihej në rrethet letrare të kohës, i Verbëti i Adries (il Cieco d’Adria) ishte letrar, tragjediograf dhe rimator italian (lind në Adrie 1541 – vdes në Venecje 1585). Që fëmijë humbet të parit e për këtë do quhej dhe i Verbëti i Adries, por pavarsisht nga kjo, ja del të bëhet njeri me kulturë të gjerë humaniste e të zhvillojë një aktivitet të gjerë letrar (ndonese do vdiste i ri). Shkroi tragjedi, komedi, drama baritore, poema latine dhe rima të ndryshme, por thjeshtëzoi për gjindjen thjeshtë edhe vepra të antikitetit. Në tragjedinë e tij të parë, Dalida, përshfaqë më 1572, por shkruar shumë më parë, Grotto shfaq një talent të padyshimtë dramatik dhe abuzon më pak se bashkëkohësit me sentenca dhe retorikë. Ndërsa nisur nga tragjedia e dytë e tij, Adriana (botuar ne vjetin 1578), e që ka për subjekt historine e dy të rinjve fatkeq në dashuri, Latino e Adriana, Shekspiri kohë më vonë do të krijonte Romeo e Xhuljetën. Në një prej komedive, Emilia (1579), Groto zgjeron Epidicusin e Plautit, por veç komedive e dramave të tjera, vepër tjetër e rëndësishme e tij janë Ligjeratat Popullore (le Orationi volgari) të botuara në Venedik më 1589. Trupi i tij sot pushon në katedralen e Adries (Itali). Shqipërimi i këtij soneti nuk ka qenë punë fort e thjeshtë, pasi më është dashur të zgjidh disa dilema. Së pari vargnimet e kësaj natyre hasen rëndom në poezinë e Rilindjes Italiane dhe ndryshojnë nga tingllimet (sonetet) klasike. Kjo ka qenë edhe një nga sfidat në shqipërimin e këtyre dy soneteve, të papërkthyera më parë ndër ne. Shqipërim i cili përveç aspektit teknik, paraqiste edhe vështirësi të karakterit historiko-gjuhësor, pasi një pjesë e fjalëve të italishtes, në mënyrë të veçantë në poezinë e Grottos, ka ndërruar kuptimësi në këto katër shekuj e gjysëm. Kështu fjalët novo, invitto, fero, par, opri etj. në italishten e sotme, kanë ndryshuar formë (psh. invitto, sot: invincibile), por kanë ndryshuar edhe hierarkinë e kuptimësisë (psh. opri, sot apri, dikur përdorej në kuptimin zbuloj). E gjithaq vërehen edhe forma rudimentale të latinishtes vulgare që asoko-he gëlonin në italishten e Pesëqindës (ad huom non lice). Tash po resht, e po i jap zë Tingëllimës! Qofshim ndorja Jote, Gjergj!

Dell’Invittissimo Scanderbeg

Novo Alessandro, à cui non l’Oriente

Ma il Regnator dell’Oriente altero

Chiarì di se trionfi, e vanto vero

D’un’invitto valor diede sovente

L’altro Alessandro àlle faville spente

Lo scrittore invidiò, ma al Greco fero

Tu non invidieresti, se ad Homero

Qual d’occhi par, di stil fos’io, e di mente

Ma poi che’l rinovar gli alti tuoi gesti.

E le tue sacre palme ad huom non lice;

Il rinovarli a un’Angelo e prestato.

Felice Angel chel’opri, e che vedesti

Tale heroe tra suoi Avi: e lui felice,

Che fra i nipoti un n’ha si illustre, e grato

 

Skanderbegut të pamposhtun

O Lekë i përtrimë, ty jo Orienti sall

Po vetë hijerandi Sundimtar’ i tij

Ta sdriti aj ngadhnjimin e dha deshmi

Mbi qendresë tanden e zulmen qi s’tu ndal

Tjetri Aleksandër, qi flakcat i janë shgalë

Shkrimtarin e lakmoi, po Grekun delì

Ti s’kishe me e resue, sikur n’mjeshtrì

Homerit pos verbnisë t’i gjitsha, edhe n’fjalë

Po meqë s’i lejohet t’gjallit me’j permendë

Bâmat e tua t’nalta, e t’shêjten lavdi

Nji Engjëll, veç ai mund ta rrëfejë

Lum ti Engjëll, qe zbulove se ke mbrendë

T’tillë Fatos mes Etënve tij; e lum ai

Se ka ndër nipa nji bisk t’ndert e t’dêjë

 

 Skënderbeu në zemrën e çdo shqiptari edhe në shekujt që do vijnë!

 Skënderbeu sipas Popullit M Barletit, F Nolit, F Bardhit. Mjerë Krishtërimi se i humbi “shpata dhe mburoja” më 17 janar 1468.

 

Portreti i Skënderbeut i skalitur nga populli në shekuj gjallon brez pas brezi. Kur e dëgjoi Sulltan Mehmeti tha: “ Një luan të tillë s’do të lindë më dheu kurrë!-Dhe pastaj shtoi:  “ Tani dhe Evropa dhe Azia janë të miat! Mjerë krishtërimi, se i humbi shpata dhe mburoja!”

 

Marin Barleti

Nga libri:  “ Historia e jetës dhe bëmave të Skënderbeut”

Marin Barleti në veprën e tij “ Historia e jetës dhe bëmave të Skënderbeut” bouar në Romë në vitin 1508-1510 është burimi kryesor në historiografinë shqiptare për jetën e Skënderbeut.

Barleti nga dëshira e zjarrtë për të pavdekësuar luftën heroike të popullit tonë nën udhëheqjen e Skënderbeut e frymëzuan për të shkruar për këtë hero të madh dhe të papërsëritshëm në historinë shqiptare, për Skënderbeun. Brez pas brezi nëpërmjet fjalës artistike kalon fjalimi i Skënderbeut

para popullit dhe ushtrisë së tij ku shpreh besimin se Shqipëria dhe shqiptarët do të gjenin forcat për t’u çliruar nga turqit. Fjalimi mbetet në kujtesën e të gjithë brezave si një kushtrim atdhetarizmi në luftën për liri.

 Fragment:

“Asgjë të re, as të papritur nuk shoh këtu, kapedanë, qytetarë dhe ushtarë trima që të mos ma ndiente më parë zemra dhe të mos më mbushte me shpresë, sa herë unë sillja ndërmend, tërë mall, edhe bujarinë e lashtë të popullit, edhe shërbimet e veçanta dhe zyrtare tuaja ndaj babait tim, Gjonit. Dhe me të vërtetë, mos ma merrni për mburrje, por unë s’kam ndryshuar kurrë, në asnjë çast të jetës sime, se, kur ruaja në zemër këtë qëllim, këtë dashuri për atdhe, kur ushqeja këto ndjenja për liri, këto dëshira të mia që s’më ndaheshin, ishin dhe tuajat. Kur ju më ftonit shpesh, në kohën që isha pranë tiranit, me tërë dashurinë dhe gatishmërinë tuaj për këtë vepër, gjë që unë tani e kuptoj me kënaqësi dhe e them me mburrje, ju shkonte ndoshta në mend se e kisha harruar atdheun, se e kisha harruar nderin tim dhe lirinë, meqë ju ktheja prapë në shtëpi të pikëlluar, pa asnjë shpresë të sigurt, pa asnjë shenjë të qartë të qëllimit tim. Po s’ka dyshim, qytetarë, se me atë shenjë time, me atë përulësi të shtirë të shpirtit tim, unë mendoja për vete dhe për ju, sepse punët ishin të atilla, që duheshin bërë më tepër se sa thënë. Ju epirotët, mund të gjeni një tjetër mbrojtës të lirisë, një tjetër përkryes (zbatues) të qëllimeve dhe të aspiratave tuaja, sepse në këtë vend s’kanë munguar mendjet e ndritura: po juve ju pëlqeu që këtë liri ta pritnit më mirë nga unë, qoftë edhe vonë, se sa nga të tjerët apo ta fitonit vetë me dorën tuaj. Ju, si burra aq të fortë, të rritur në liri, që qëndruat kaq kohë nën mënxyrën barbare, nuk u mërzitët derisa të më shihnit. Por, përse doni që unë ta mbaj për vete me të padrejtë emrin e çlirimtarit? Lirinë nuk e solla unë, po e gjeta këtu. Sapo më shkeli këmba në truallin tuaj, sapo dëgjuat emrin tim, më dolët përpara kush e kush më parë, sikur të kishit dëgjuar se u ngritën nga varret etërit, vëllezërit, bijtë tuaj. Ju më latë prapa, ju m’i lidhët menjëherë duart. Ju më mbytët me shërbime aq të mëdha dhe me një gaz shpirtëror aq të madh, saqë duket se ju më kini bërë tani rob, sa edhe të lirë. Mbretërinë dhe këtë qytet nuk jua dhashë unë, ju ma dorëzuat mua. Armët nuk jua solla unë, ju gjeta të armatosur. Lirinë e pashë se e kini kudo; në kraharor në ballë, në shpatat e në ushtat tuaja. Përpara tani, për të shtënë në dorë me ndihmën e perëndive dhe ç’ka mbetet. Pjesën më të madhe të punës e kemi mbaruar. Kruja është fituar, krahina e gjithë është jona. Dibra dhe pastaj popullsitë e tjera janë bashkuar me ne dhe emri i armiqve është zhdukur nga fushat. Duhet t’ia nisim, para së gjithash nga Petrela. Të nisemi, pra, pa ngurrim dhe kudo të tregohemi me guxim prej fitimtarësh. Një gjë vetëm duhet të na ngulet mirë në kokë dhe të mos na dalë asnjërit nga mendja; në mos u pushtoftë ai qytet e, në mos qofshim të zotët t’i plotësojmë dëshirat tona, atëherë s’kemi pse të kthehemi prapë në shtëpi! Na duhet të provojmë çdo mjet: mundin, durimin, shpatën, arin, argjendin, me qëllim që fitores sonë t’ia fillojmë që këndej.

 

Fan Noli : “Vdekja e Skënderbeut ”

Pena e Nolit ka ditur të përshkruajë skenën tragjike dhe tronditëse të vdekjes së Skënderbeut me gjithë dramacitetin e saj në veprën “Historia e Skënderbeut”. Vdekja e heroit jepet me nuancat më të ndjeshme njerëzore, e cila prek jo vetëm bashkëluftëtarët, popullin, por edhe të huajt, bile dhe armiqtë e tij.

Fragment:

“Zemërimi i Sulltanit kundër shqiptarëve dhe venecianëve, ishte aq i madh, sa në mes të dimërit, një turmë prej 15.000 turqish, përmes maleve të mbuluara me dëborë, u duk përpara Shkodrës. Kur erdhi lajmi në Lezhë, kryetrimi i sëmurë në shtrat të vdekjes u përpoq të ngrihej e të kapte armët dhe dha urdhër që t’i gatitnin kalin. Po trupi i tij i tretur nga ethet, nuk lëvizte nga vendi dhe garda mbretërore shkoi këtë herë pa mbretin në krye të saj. Po tmerri i emrit të tij ishte aqë i madh, sa turqit me të parë “kohortën pretoriane”, kujtuan që ishte edhe Skënderbeu. Morrën arratinë dhe u shuan krejt prej malësorëve nëpër grykat dhe pusirat. Skënderbeu mezi merrte frymë kur i suallën lajmin e mirë të fitores së funtme. Kur i thanë mjekët që s’kishte më asnjë shpresë për shërim, thirri princërit shqiptarë dhe bajlozët (ambasadorët), e Venetisë, të cilëve u la shëndet dhe i këshilloi të vazhdojnë luftën e përbashkme  kundër turqve. Mbretërinë e tij ia la të birit, Gjon Kastriotit, me mbretëreshën si regjente, dhe i porositi që po të ndodheshin në rrezik, të shkonin në qytet, që i kishte falur Ferdinandi i Napolit. Mund ta marrim me mend hidhërimin që ndjeu Skënderbeu kur hodhi rreth tij syrin e mjegulluar nga hija e vdekjes dhe s’pa asnjë princ shqiptar të zotin për të pasuar veprën, të cilën vdekja s’e la ta mbaronte. Pastaj u përshëndosh me të gjithë e dha shpirt më 17 janar 1468 në moshë prej 56 vjetësh, pas një mbretërimi prej 24 vjetësh e dy muajsh, të shkuar në luftë kundër turqve për lirinë e Shqipërisë dhe për mbrojtjen e Evropës. Kur vdiq Skënderbeu asnjë  nuk mbet i papërlotur. Mbretëresha dhe i biri 12-vjeçar të gjunjëzuar përpara tij. Princërit rreth e rrotull po qanin si foshnja dhe e vajtonin pas mënyrës shqiptare. Lekë Dukagjini si i marrosur nga hidhërimi rendi në mes të qytetit e duke çjerrur kraharorin e duke çkulur mjekrën dhe flokët bërtiti: Ejani, o shqiptarë! Sot ra kryekështjella e Shqipërisë! Klithmat zemërçjerrëse dhe të mallëngjyera të popullit e mbuluan këtë lajmërim të Dukagjinit, të cilën e vërtetonin tingëllimet vajtimtare të këmbanave. Atje tej dëgjohej hingëllimi i dëshpëruar, i mallëngjyer, i ngjirur, i këputur i një kali. Ishte kali luftëtar i Skënderbeut, që vajtonte të zotin. Mihte dhenë me tërbim, rënkonte si i plagosur për vdekje, drithërohej e ngjethej si nga e ftohta e etheve. Çfrynte avull dhe lëshonte lot si njeri. Që kur u shtri Skënderbeu në shtrat u sëmur edhe ai; dhe kur vdiq, u egërsua. S’qaste njeri tjetër që t’i hipte, s’deshte më të hante, s’deshte më të rronte e u shtri dhe vdiq pak ditë pas të zotit. Skënderbeu u varros në Katedralen e Shën Kollit në Lezhë. Të gjithë princërit, oficerët dhe ushtarët e tij me gardën mbretërore e përcuallën në banesën e fundme. Shqipëria e qau dhe e vajtoi vite me radhë. Evropa derdhi lot të hidhura. Të gjithë oborret anembanë Evropës mbajtën zi , se fama e tij ishte përhapur aq shumë në botë.