Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Jazaj: Arben Meksi, modele referimi, frymëzimi dhe apelimi

140
Sigal

   Inxhinieri dhe karikaturisti i njohur vlonjat

-Delja e pastër mund të rrijë në tufën dhe stallën e zgjebosur?

Njerëzit largohen nga bota e të gjallëve, veprat që lenë pas i mbajnë të përjetshëm mes të gjallëve. Atyre u flet vepra e jo gjuha. Në regjistrat e gjëndjes civile, të gjitha janë të regjistruar, ndërsa në kujtesën njerëzore dhe në faqet e historisë; pak mbeten të shënuar! Një ndër të rrallët, në radhët e shoqërisë vlonjate, madje dhe përtej saj, të asaj shqiptare, njihet edhe një njeri model, i gatuar me gjithë mirësitë, një personazh; sa i thjeshtë mes të tjerëve dhe aq i rrallë mbi të tjerët…  Ai është qytetari, krijuesi, arkitekti dhe karikaturisti i rrallë: Arben Meksi. Për më se 4 dekada punë aktive, krijuese edhe në fushën e rrallë të karikaturës, karikaturisti i njohur Arben Meksi, nga të paktit e kësaj gjinie edhe në konkursin botëror të zhvilluar në Stamboll, fitoi çmimin special në karikaturë: “PËRPLASJE E QYTETËRIMEVE”. Një konkurrim i vështirë, mes 2476 krijimeve të karikaturave dhe midis 70 vendeve të botës. Karikaturisti Arben Meksi, njëherazi dhe arkitekti i njohur i Vlorës dhe i vendit është një zë i mbizëshëm, një njeri dhe krijues me vlera sipërore. Tek brezat pasardhës shumë talente nga të gjitha fushat, kanë dhënë e kanë lënë vepra dhe emrat, nuk largohen të harruar, por mbeten të shënuar në kujtesë, në arkivat e kohës, dhe për kohët që vijnë… Kjo plejadë njerëzish nga të gjitha fushat, nuk është vetëm pasuri e Vlorës, por dhe pasuri për vendin… Autor, Piktor e Skulptor, në gjithë gjinitë e artit dhe të letërsisë. Artistë të mëdhenj, njerëz të pendës dhe penelit, krijues dhe ekzekutues e kanë vetmarrë dhe vet vendosur këtë çmim të përjetshëm! Shoqëritë e emancipuara, i shenjtërojnë talentet, njerëzit sipëror, plejada të tilla si: Emblemën e qytetërimit. Vite më parë organizata qytetare në Vlorë aplikoi një sondazh për të përcaktuar se kush nga pjesa elitare që do të përzgjidhej dhe do të votohej për të drejtuar e përçuar qytetin dhe gjithë shoqërinë. Ndër këto personalitete  një intelektual i njohur rezultoi i përzgjedhur dhe i votuar paraprakisht, më sipërori Arben Meksi. Një emër i njohur dhe jo vetëm në Vlorën bregdetare, por edhe përtej deteve Evropiane. Në librin “BIJ TË VLORËS”, një vepër e botuar me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, autori i tij, mes 100 burrave nga të gjithë fushat, harta e Vlorës, në faqet e tij zë vendin e nderit edhe Arben Meksi, i njohur si arkitekt, por edhe si karikaturist i shquar i vendit. I skalitur secili në 4 vargje.

Dhe kjo nuk është e lehtë:

Në karikaturë,

vendin përfaqson!

Në arkitekturë,

Vlorën e nderon!

 

Duhet thënë me zë të lartë se kontributi i këtyre njerëzve me vlera për Vlorën dhe vendin, shkon pa vëmendjen e duhur nga organizmat shtetërore, ndërsa shoqëria vlonjate dhe ajo shqiptare përpara këtyre bijve u heq kapelen për kontributin e tyre të shquar. Në celularin e autorit mbetet i shkruar ende një mesazh i karikaturistit të njohur:  “Gimo , mora çmim botëror në karikaturë, do ta sjell ta vesh në kornizë”… “Duket juria e Stambollit “lexoi” edhe faqet e librit “BIJ TË VLORËS”. Dhe kjo foto, karikaturë qëndron në sfondin e “studios” tonë! Ka njerëz me talent që dinë të flasin bukur, po nuk mund të hedhin në letër mendimin e tyre të çmuar. Ka nga ata që vizatojnë bukur, po nuk e kanë humorin e duhur. Ka prej tyre me humor të plotë, po nuk e kanë talentin, të vizatojnë… Por ata që i realizojnë të dyja këto kërkesa në mënyrë harmonike, janë vetëm karikaturistët, të paktë…Çmimi i marrë në Stamboll, ishte një çmim personal, të cilin autori i mirënjohur e ndan me njerëzit e tij, me miqtë, dashamirësit me bashkëqytetarët e bashkëkombësit e tij, pjesë e së cilës është gjithkush. Karikaturisti i shquar, u nderua me çmimin special: “Nastradin Hoxha” i zhvilluar në Stamboll të Turqisë, “Përplasje e Qytetërimeve”. Një gjini shumë e rrallë dhe pak e vlerësuar deri më tani nga institucionet. Fatkeqësisht kalon pa vëmendjen minimale nga strukturat e shtetit, sepse; Mëndje fyejt, nuk i duan, i përçmojnë mendje ndriturit. Vyshken të mençurit, aty ku lartësohen budallenjtë!

Delja e pastër mund të rrijë në tufën dhe stallën e zgjebosur.

Arben Meksi njihet në këtë gjini shumë më herët, qysh në moshën djaloshare me krijimtarinë e tij dhe me të njëjtin ritëm ecën edhe tashmë pa u lodhur…  Në karikaturat e botuara vite më parë, por dhe shumë vite radhazi, si në ish revistën Politiko Satiro Humoristike “Hosteni, një “universitet” i rrallë i asaj gjinie të kohës, Arben Meksi zinte një vend të rëndësishëm. Krijuesit e njohur dhe drejtuesit e revistës “Hosteni” si: Gaqo Veshi (Hyskë Borobojka) e Niko Nikolla etj, por dhe bashkëpunëtorët, karikaturistë e tjerë kanë mbetur në kujtesën e njerëzve si; Enriko Veizi, Arben Meksi, Zef Bumçi, Ilir Pojani etj, mbeten ndër karikaturistët e rrallë të vendit. Duke vlerësuar vlerat e këtij krijuesi të njohur, në një të përditshme Kristo Mërtiri shkruante: “ Tek Mikro enciklopedia e librit, kushtuar 100 bijve të Vlorës, që kanë mbetur të “shënuar” (ku zë vendin e tij dhe Arben Meksi) jo rëndom të regjistruar” në memorien historike të kësaj treve lavdi mbuluar, 4 vargje për secilin janë edhe pak edhe shumë. Sepse nuk është kaq e lehtë të ndash grurin nga egjra, sojlinjtë nga sojsëzët”. Në arkivin e pasur, karikaturisti i njohur Arben Meksi, ka një thesar të madh, si dhe në tregun e hedhur në një libër të kësaj gjinie të rrallë “Sunspens”… Karikatura si ese. Në faqet e këtij libri me karikatura lexuesi i përzgjedhur, do të befasohet nga refleksi i një kulture, krijimtarie moderne.

“Karikatura qëndron si një pasqyrë përpara veseve të shoqërisë, duke vënë në dukje kontradiktat e qenies njerëzore, ajo e shpëton njeriun nga veset që ka krijuar vet dhe s’po i ndahet gjithë jetën”- shprehet autori. Në xhep inxhinieri, karikaturisti i shquar mban një postulat të autorit, të skalitur në 4 vargje tingëlluese dhe apeluese:

Kur të shkosh në botën tjetër,

do marësh me vete thesarë!

Unë atje do të shkruaj letër,

t’më tregosh se sa ke marrë?…