Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Dade: Sejfulla Malëshova-kalorës i historisë, kolos i kulturës kombëtare

497
Sigal

Dr. Ymer Dishnica thoshte: “Lame Kodra qan e qesh me popullin, këndon e lufton për popullin” Jemi krenarë që në përvjetorët jubilarë,  të gjithë ulim kokën plot nderim ndaj aktit madhështor të ngritjes së flamurit në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, nga patrioti i madh Ismail Qemali së bashku me shumë patriotë të tjerë. Në këtë ditë u shpall pavarësia e Shqipërisë nga pushtimi shekullor i Perandorisë Osmane. U realizua përpjekja, lufta dhe puna e qindra patriotëve që u vunë në krye dhe udhëhoqën popullin shqiptar për të arritur në këtë ditë të shënuar. Ne brezi ynë përulemi dhe nderojmë veprën e tyre nga më të mëdhatë në historinë e kombit shqiptar. Populli ynë i vogël por që ka nxjerrë nga gjiri i vet burra të mëdhenj, të mençur, trima dhe patriotë në të gjitha kohërat. Ata me guxim e me mençuri kanë kërkuar mbrojtjen e tërësisë tokësore të Atdheut në forumet e diplomacisë evropiane e kudo, edhe kur e lypte nevoja e kanë udhëhequr popullin edhe në luftë me armë në dorë për të siguruar lirinë e pavarësinë kombëtare. Dashuria e pakufishme për popullin dhe për Shqipërinë, patriotizmi i tyre ka bërë që këta kolosë të vinë pranë popullit dhe të vihen në shërbim të tij. Populli shqiptar e ka dashur lirinë e atdheut të vet, pa të huaj, pa shkelës dhe pa pushtues, pa shfrytëzues të pasurive, pa kapitalistë të huaj dhe pa imperialistë. Kushdo qofshin ata, populli ka dashur të jetë zot në trojet e tij, zot i fatit të tij në të gjitha kohërat. Shqiptarit nuk i ka munguar dhe nuk do ti mungojë ndjenja dhe dashuria për atdheun kudo që ka qenë, në çdo vend të botës sado larg të jetë, emigrant ekonomik ose politik. Populli shqiptar në çdo kohë ka nxjerrë nga gjiri i vet burra të zotë, të cilët e kanë ngritur zërin në çdo kohë në çdo forum të botës për të mbrojtur identitetin kombëtar, kulturën dhe traditat e tij. Pikërisht për këtë arsye ne sot në prag të 105 vjetorit përulemi me respekt dhe krenohemi me ta. Shqipëria do t’u jetë përjetë mirënjohëse dhe shqiptari brez pas brezi do të eci në gjurmët e këtyre patriotëve. Një patriot, atdhetar, një kalorës i luftës për liri, pavarësi dhe demokraci është pa dyshim biri i popullit shqiptar profesor Sejfulla Malëshova që tërë jetën e tij ia kushtoi luftës për çlirimin e popullit shqiptar dhe të Shqipërisë nga çdo pushtues i huaj. Sejfulla Malëshova e filloi veprimtarinë e tij politike, patriotike që kur ishte në bankat e kolegjit në Romë në radhët e studentëve shqiptarë në Itali. Si djalë populli që ishte, i hodhi të gjitha energjitë e tij për të çliruar Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Në radhët e studentëve shqiptarë në Itali, fjala dhe pena e Sejfulla Malëshovës dallohej aq shumë sa dhe dy figura më të mëdha politike të rilindjes sonë –Fan Noli dhe Konica, të cilët konsiderohen si dishepull e tyre dhe si bashkëpunëtor të radhës së parë. Botimet e Sejfulla Malëshovës me emrin letrar “Lame Kodra” si në Itali apo te “Federata Vatra” në Amerikë dëshmojnë për inteligjencën e mprehtë dhe për ndjenjat patriotike të Sejfulla Malëshovës. Që prej fundit të Luftës së Parë Botërore deri më 1924 Sejfulla Malëshova duke punuar e duke luftuar për Shqipërinë zgjedh rrugën e tij, formon bindjen dhe besimin e tij se vetëm populli me forcat e tij duke mobilizuar dhe duke organizuar të gjitha energjitë e tij materiale dhe morale do të sigurojë një Shqipëri plotësisht të pavarur dhe demokratike. Së bashku me Avni Rustemin dhe me të rinjtë përparimtarë të asaj kohe në Itali, Sejfulla Malëshova luftoi me “Bashkimxhinjtë” për një Shqipëri demokratike të popullit të vegjëlisë Dr. Ymer Dishinica shkruante: “Daljen e popullit e do dhe e çmon demokrati i madh, Imzot Fan Noli dhe e merr pranë tij si Kryesekretar të Kryeministrisë”. Atëherë Sejfullai ishte vetëm 23 vjeç. Revolucioni i Qershorit, përpjekja dhe lufta për të përmbysur regjimin e bejlerëve e të feudalëve e kishin nxjerrë Sejfulla Malëshovën në paraskenën e politikës shqiptare. Fjala dhe pena e tij qe trumbetë lufte për të gjithë demokratët e asaj kohe, koalicioni i bejlerëve dhe intrigat e komplotit e reaksionit të jashtëm serb dhe rus, dobësitë e demokratëve shqiptarë nga ana tjetër solli në fuqi “Mbretin e Bejlerëve”. Në dhjetor 1924, me qindra demokratë shqiptarë morën rrugën e arratisë e të mërgimit. Në mes tyre ishte edhe Sejfulla Malëshova. Në emigracion në komunitetin e Çlirimit Nacional, Sejfulla Malëshova luan një rol me shumë rëndësi me fjalën e tij, me shkrimet e tij dhe me punën e tij. Me rekomandimin e Fan Nolit, Sejfullai shkon në Moskë në vitin 1926 ku studion për filozofi në Universitetin “Lomonosov”. Me mbarimin e Fakultetit shkëlqyeshëm emërohet pedagog po në atë fakultet. Pas pak kohësh u shpall konkursi për vendin e dekanit. Në konkurs morën pjesë studentët e shkëlqyer të pesë viteve të fundit, mbi 100 vetë nga shumë vende të botës. Edhe Sejfullai ftohet të marrë pjesë dhe në përfundim të konkursit shpallet fitues djaloshi nga Shqipëria Sejfulla Malëshova. Natyrisht kjo fitore ishte një gëzim i madh për Sejfullanë, por edhe një nder për atdheun e tij Shqipërinë. Në Moskë studion “Materializmin historik” dhe mëson si duhet luftuar mirë për liri për demokraci e për atdhe. Filozofia i bëhet një armë lufte që e lidh për vdekje me të ardhmen dhe me përpjekjet e popullit shqiptar për liri e pavarësi. Që nga Moska Sejfulla Malëshova mendon, shkruan, mediton dhe punon për Shqipërinë e Re dhe për popullin shqiptar. Më 1938 që nga tribuna e shqiptarëve të Francës, që nga “Sazani”, Sejfulla Malëshova hedh parullën e bashkimit të popullit shqiptar në luftë kundër rrezikut të një okupacioni ushtarak nga ana e Italisë fashiste. Këtë zë kushtrimi, Sejfullai e hedh veçanërisht me vjershën “Vlora”. Shqiptarët e mërgimit sidomos ata të Federatës së Shqiptarëve të Francës që vlerësuan rëndësinë e fjalës dhe shkrimeve të Sejfulla Malëshovës që sipas dr. Ymer Dishnicës në atë kohë “Ishin një busull lufte për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë.”  Dhe ai vazhdon më tej: “Në qoftë se “Sazani” dhe Federata e Shqiptarëve të Francës kanë hedhur të parët parullën e Luftës sonë Antifashiste Nacional Çlirimtare, kjo i dedikohet në plan të parë Sejfulla Malëshovës, zotësisë dhe inteligjencës së tij politike. Që nga viti 1938 deri në vitin 1943, Sejfulla Malëshova mund të quhet pa frikë “Lider” i pa kontestuar i përpjekjes sonë në emigracion dhe inspiratori direkt i Luftës sonë Nacionalçlirimtare”. Përpjekja në emigracion, puna dhe studimet e tij në Moskë e bënë këtë djalë të popullit një udhëheqës të shquar. Në kulmin e moshës së tij kthehet në Shqipëri ku “Kishte plasur si kushtrim” gjaku i Avniut, i Asimit, i Aliut, i Qemalit dhe i Vojos me shokë. Kthimi i Sejfulla Malëshovës në Shqipëri pas 20 vjet mërgimi, i larguar si demokrat dhe përkrahja e hapur për Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare ishte një hap cilësor për vetë nivelin e përfaqësimit të kësaj Lufte.

Vijon nesër