Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Bajrami: Engjëjt nuk mbahen për dore

684
Sigal

Shënime rreth librit me të njëjtin titull të Elida Rustës

Nëse një lexues do ti lexonte poezitë e Elidës në një kohë të përveçme, do të provonte patjetër në vetevete ndjesinë që krijojnë brenda dhe jashtë nesh zhvendosjet. Gjithëkush mund ti konsideronte ato edhe si reminishenca muzgjesh antike , apo shtresëzime baladash udhëhumbura , që gabimisht kanë ardhur deri ketu, por mua mu ka mbushur mendja ndryshe. Ardhja e tyre në këtë mënyré dhe trajtë, nuk është gjë tjetër veçse një lloj krenarije sublime e autores për të respektuar genin dhe unin e saj tradicional, nëpërmjet përshfaqjes.

Kjo lloj sfide e autores nga një lexim i pakujdesshëm, mund të cojë në keqkuptim me lexuesit, por asnjëherë me kohën e leximit.

Megjithatë për të mos e zgjatur shumë duhet të them se më shumë se kaq poezia e Elidës është një lloj arratisje e saj, nga një kohë që dhemb, por edhe prologu i një rruge të gjatë dhe plot sfida artistike, në kërkim të një estetike të munguar letrare, nga ato për të cilat, ka kaq shumë nevojë poezia jonë bashkëkohore.

Krahasuar me tekste te njohur poetikë, ajo është një teksturë e re dhe krejt origjinale poetike, që nuk ngjason me homologe të saj të letrave.

Kjo më bën të besoj se stilistika shkrimore e kësaj poeteshe i shkon për shtat më tepër se gjithçka gjendjeve të brendshme shpirtërore të saj.

Dhe për të vazhduar më tej, kjo lloj poezie është një “etnografi ” malli për gjërat që kanë qenë, por nuk janë më të pranishme në jetën e saj, për kufijtë e ëndrrës me zhgjëndrrën, për objektin që duhej të frymonte, por që koha pamëshirë e ka zëvëndësuar me foto të ftohta dhe të pashpirta etj. Nëse do të huazoja një shprehje të Kunderës e gjithë poezia e kësaj autoreje synon të verifikojë bukuritë në të gjitha “pamjet e qënies” çka dhe ja ka dalë për së mbari.

Duke pasur gjithmonë me vete një “shtrigë” siç thotë vetë metaforikisht autorja, të pajisur me një mollë mëkati “, grishja apo tundimi që buron prej kësaj bukurije është sa e madhe, po aq dhe e papërballueshme për sejcilin lexues.

Është fakt se gjatë artikulimit te këtyre mesazheve, në shumicën e herëve të shoqëron një nënqeshje te lehtë, jo djallëzore e autores por më tepër ngacmuese, e cila së bashku me gjestet e tjerë artistikë, bën pjesë në të folurën e padukshme të saj, apo të ashtëquajturin lexim në mes rreshtave.

Edhe pse ngjan si e folura e një gruaje të fortë ajo vazhdimisht karakterizohet nga psherëtima të forta malli e dobësish njerezore. Kjo sepse atë “e merr malli gjithmonë për ty”, pavarësisht mungesës dëshpëruese të burrave të çeliktë. Elementët nga të cilët përbëhet i foluri poetik i kesaj poeteshe janë më tepër të karakterit shpirteror.

Malli ,dashnia e parealizume, psherëtima e nje vashe, burri i ëndrruem etj. Dhe të gjitha këto të veshura me një konstelacion yjesh dhe dritësima ndjesish njerëzore. Edhe pse në pamje të parë vargu i autores ngjan si i hedhur me ngut” dhe spontan,faktet tregojnë se ai gjithmone tenton të jetë në valën zanore dhe permasat e ndjenjes të cilën merr përsipër të pasqyrojë. Elegant i zhdervjellët dhe me një tingull të spikatur sikur të ngjitet menjeherë në buzë. Duket se forcën dhe ekspresivitetin ketij vargu, ja jep natyra capkëne e sjelljes dhe trajtimit të gjërave. Dashurija është si një busull orientimi në udhën e gjatë që bën autorja për njohjen e vetvetes, por mbi të gjitha edhe një mjet identifikues. Kështu, nuk është për tu habitur që edhe në një qytet 13 milionësh , ajo nuk e humb torruan dhe humorin e saj karakteristik ,përkundrazi i krijon mundësi asaj të buzqeshet dhe ti hedhe edhe ndonjë rromuz vetvetes. Elida edhe kur udhëton , shpirtin e dashurisë e merr gjithmonë me vete ,si një gjymtyrë të vërtetë jetësore.
-Tërë natën të kam mbajt në retinë i thotë poetesha burrit të endrrave të saj ,që dikur puthte bukur , me një dozë zhgënjimi të lehtë në varg. Vetem ky veprim i fundit i jep poezisë së saj një forcë dhe kuptim krejt të vecantë.

“Të jesh vetvetja, te gjithë rolet e tjerë , janë kapur, do të thoshte Oskar Ëaldi dikur dhe me të drejtë çdo varg dhe regetimë e poezisë së saj është e mbartur nga përditësija, si dhe nga përpjekjet dhe ndeshjet e saj me absurdin fatal. Kjo i lidh aq fort ato me njëra tjetrën, sa është vështirë për ti ndarë më pas. Ky është edhe një shkak i mëpastajmë që ato të aliterojne njëra tjetrin, jo nëpërmjet rrokjeve dhe gërmave por nga gjithcka.

Poezia

Mall me fillimet e saj të shtruara dhe me pas me kreshendon ngjitëse , nuk di pse më kujton diçka nga fryma mistike e Gavril Dares, apo shkundja e reve me gjëmim në grykën e Dragobisë apo Bjeshkët e namuna.

Nisi shi e më mori malli
Kot ban sikur je në gjumë
Zgjuar je, e di ta kam shpirtin me vete
Më duhet me ta dhanë
Sa here duhet me të prekë

Shumica e poezive të vellimit “Engjëjt nuk mbahen për dore e “ndërtojnë veten mbi fabula të prekshme jetësore, mbi stacione pritjesh ,apo perqafimesh të shpejta, në relieve të zbrazta pasqyrash të munguara, apo dhe mbi krahë pëllumbash të vrarë.

Ndonjëherë mua më krijohet ideja se poezitë e kësaj poeteshe krejt si pa ndjerë shndrrohen magjikisht në pëllumba postierë, që rendin në gjithë rrugët e qiejve për të shpërndarë kumte bukurish.

Janë poezi shpesh spontane, ku krahas detajeve të gjetur dhe konkrete, spikat narracioni i ngrohtë dhe plot përthyerje të befta.

Poezija e kësaj poeteshe është përherë me një ankth të dallueshëm në fytyrë dhe gjithmonë në një ecje të nxituar.

Ajo diku është drejtuar të takojë dhe nuk ka kohë të kthejë kokën as majtas dhe as djathtas. Vetëm në rrugë e sipër, ashtu si “shenja e prekjes së një gruaje mbi ftyren e nji gruaje “, ajo kujtohet te na kushtoji pak vëmendje dhe neve, me dije shkurt dhe telegrafikisht ngjarjet dhe ndodhitë e përjetuara prej saj.

Poezia e Elidës nuk është poezi e hollësirave prolikse. Ajo shkruhet vetëm për të pohuar raporte të caktuara të individit me një shoqëri të pareformuar dhe ende jo humane. Marrëdhëniet e saj të ndërlikuara me arealin maskilist, e ngarkojne tekstin e saj me frymë debati dhe me një dramaticitet të çuditshëm.

Kështu në një nga poezitë e saj, poetesha e fton të dashurin metaforikisht, ta puth aty mes gjithëve si provë për të prekur “cakun e burrërisë”.

Më kujton pak psikologji amazonash kjo mënyre thirrore ,e cila është dominuese në shumicen e krijimtarisë së saj. Vite më parë kur një miku i , dashamirës i vargut poetik si dhe sponsorizues eventesh letrare më sugjeroi të lexoja vellimin “Ajkuna qan vëllanë e vdekur” të kësaj autoreje, nuk e mendoja që do më rrëmbenin kaq shumë ritmet dhe energjija që clironin në ajër pas leximit këto poezi.

Në këtë libër të ri, ky tipar është forcuar dhe bërë shumë më i dukshëm duke forcuar bindjen e lexuesit se lirija dhe ajo janë si motra prej ajri me njëra-tjetrën.

“Për shumë poetë të mirë koncepti i fjales liri është përmendur here mbas here, si një mjet identifikues nga të tjerët, por tek kjo poeteshë ky motiv shndërrohet në qëllim në vetvete.

“Princi jem e ka oborrin pertej hanës”, thotë autorja teksa e mban kokën përherë drejt dhe duke e matur kohën e saj egzistencialiste vetëm me kohë puthjesh dashurore. Vini re se sa guxim dhe origjinalitet ka në ndërtimin dhe organizimin e këtyre vargjeve, sepse jo të gjithë e kanë aftesinë të krijojnë figura të tilla.

Paralelisht me to, proçesi imagjinativ i autores vihet në punë duke krijuar artistikisht nga e para modelet e ëndërruara prej saj, siç është psh ai I Princit, bija e gjarpnit e shasit Ilir, burri që puth bukur , pyllumbat postierë etj.

Në të gjitha krijimet e këtij vëllimi shkalla e përjetimit dhe e përpunimit artistik ekuilibrojnë njëri-tjetrin. Cipeza misterioze që i mbështjell dhe gjuha baladeske me të cilën artikulohen ato, ju japin atyre të tjera pëmasa.

Po kështu, për tu evidentuar tek kjo autore janë kumtet e fuqishme që përcjell teksti i saj poetic.

Elida Rusta tashmë është një poete me një profil dhe individualitet të vecantë.

Ajo ka trokitur tashmë me forcë në dyert e letërsisë dhe e ka me hak interesimin e studiuesve.