Suplementi Pena Shqiptare/ Adriana Dizdari: Pema e shpresës

123
Sigal

Një herë e një kohë, sipas legjendave, një burrë i mënccur, mblodhi njerëzit e fisit të tij dhe u thotë: – Merrni farën e “Pemës së shpresës” dhe nisuni nëpër botë, mbilleni aty ku e shikoni se kanë nevojë për të dhe kujdesuni që të rritet e shëndetshme dhe e bukur. Dhe ashtu u bë. Burri i mënçur u nis edhe ai për udhë me farën e “pemës” në shpirt dhe në mëndje. Në kërkim të ëndrrës së tij eci gjatë, pa u lodhur, i shtyrë nga një forcë e ccuditshme drejt qëllimit. Më në fund, midis malesh dhe shkëmbinjsh qëndroi, pa rrotull me vëmëndje dhe mendoi se ky është vëndi i kërkuar. Gjeti pak tokë të butë mes shkëmbinjve, e hodhi farën e “ Pemës së shpresës” dhe qëndroi aty që të kujdesej për të. E ushqyer me ujrat nëntokësorë, kjo mysafire e papritur u rrit mes shkëmbinjve shpejt dhe e bukur. Njerëzit kalonin dhe çlodheshin nën hijen e saj. Shikonin gjethet e mëdha si tundeshin nga era dhe mundoheshin të lexonin se çfare mesazhesh ju dërgoheshin për fatin e tyre. Por një ditë, një erë e marrë e tronditi dhe e shkundi me tërbim pemën. Askush nuk kishte fuqi ta ndihmonte dhe ajo e rrëmbyer nga era, u shpërnda nëpër shkëmbinj me degë e fletë. Burri i mënccur nuk u trishtua, e shikonte si ugur të mirë dhe priste me durim se çfarë do të ndodhte. Rrënjët e “Pemës së shpresës”të kokolepsura mes shkëmbinjve, të ushqyera si një mikeshë e mirë prej tyre, vendosën t’i drejtohen qiellit, me filiza të njomë dhe të fortë, si në një marrëveshje dashurie me gjithësinë. Me të parë rrezet e diellit pema e shumëfishuar u rrit e fuqishme, e bukur, me fletë të mëdha, hije rënda. Degët e harlisura tundeshin me gëzim, si për t’iu thënë njerëzve “hej, më shikoni, jam këtu, për ju… Njerëzit, të mrekulluar nga kjo ndodhi, rendën si në ngjarjet biblike drejt saj. Të ulur nën hijen freskuese, shikonin qiellin nëpërmes gjetheve të lëvizshme, pa mundur që të përcaktonin pronësinë e tyre qiellore.

 

 

NJOHJA…

Njoha vitin, muajt, javët dhe ditët!

Pranverën e ëmbël njoha

me tekat shkëndijash lozanjare

në të pa njohura ëndra më hodhi.

 

Njoha verën përvëluese

si një grua e dashuruar.

Vjeshtës ia njoha dhuratat bollëk,

ia njoha dhe dimrit grinë kallkan.

Fluturova me erën e marrë

forcën t’ia njihja më mirë.

Nëpër re notova, diku të qëndroja

botën me nge të vështroja.

Tisin e mjegullës tym me frymë e zhbëra

dhe me natën e zezë, njohja, në dhimbje na ndau.

Njoha mëngjesin nëpër pemë shkëlqim

si dhe mbrëmjen hije-shumë ngarkuar.

Shiun breshër e dëborë,

furtunë dhe acar, i njoha unë!

Aromën e luleve në çdo stinë;

Po…….. i njoha unë.

Njoha bilbilin këngë-madhin,

tinëzisht këngën, vjedhur ia kam.

Në shpirtin tim,

xhelozisht ndrydhur e mbaj.

Kapriçot e maceve ledhatare, njoha.

Njoha besnikërinë e qenit të skllavëruar.

Zogjtë më njohin dhe i njoh.

Me pulëbardhat shpesh fluturoj.

Njoha shumë e shumë gjëra të tjera…

Por ah… njerëzit!

Njerëzit, këlthas….. si nuk i njoha?

 

 

Shiko……

 

Shiko mëngjesin si zgjohet

me përtesën rëshqitëse.

 

Shiko sytë e diellit

mbi vesën shkëlqim.

 

Shiko gonxhe trëndafili

në buzëqeshje fëmije.

 

Shiko valët e detit

strëlka argjëndi.

 

Dhe harro vetveten

si viktimë e saj!

 

Pisha…….

 

Në hala të pishës dridhen ca lotë të ftohtë.

Duan të bien, e s’bien dot….

Çfarë mund t’i presë në tokën e thatë

përveç se zhdukjes së ngadaltë?

 

 

Dielli i bekuar mbi pishën rëshqet.

Halat e lotuara në perla i kthen.

Rrënjët më thellë tokën përqafojnë.

Me diellin rëshqitës dashuri duan të thonë.

 

 

Dhe halat e pishës mesazh i dërgojnë:

edhe pak të rrijë, të mos nxitojë!

Ah,….si nuk e shikon?

Malli i pashuar mbeti gjithmonë!

 

 

Familja,….

 

Familja……..

është pronë e patjetërsueshme,

është oazi ku freskon shpirtin,

është trungu degëshumë,

është gjelbërim pa mbarim.

 

S’ka errësirë që ta thajë.

S’ka brejtës që ta gryejë.

S’ka kafshim tinzar, i palarë.

S’ka helm të triumfojë.

 

Familja …….

është formula shekullore

që pas na ndjek,

është dashuria valëshumë

që herë pas here na buzëqesh.