Suplementi pena Shqiptar/ Hasan Gremi: Vajza me fjongo …

Sa herë vjen “Festa e Nënës”, në mendje më kujtohet shoqja ime e klasës së shtatë Valbona, ose siç e thërrisnim “Fjongo”, se mami i vet ia lidhte flokët përherë me fjongo me ngjyra të ndryshme, që ngjanin si flutura që pushonin mbi flokët e saj. Kanë kaluar shumë vite që nuk jemi parë dhe tani duhet të jetë bërë nënë, mbase edhe gjyshe. Ajo nuk binte në sy për ndonjë veti të veçantë që të mbetet në mendje për zgjuarsi në mësime, madje edhe në biseda, që bënim shpesh ndërmjet nesh me humor, qëndronte e heshtur, nuk merrte pjesë. Ndokush nga ju, mund të pyes me të drejtë se çfarë do të na tregosh për shoqen tënde të klasës që është një nxënëse e zakonshme? Po, kështu është e vërteta! Ajo ka një histori sa të dhimbshme, aq edhe tronditëse në jetën e saj që më ka lënë mbresa që s’më shuhen kurrë nga kujtesa. Dhe, sa herë vjen “Festa e Nënës”, më del para syve si tani jo vetëm fytyra e saj e hequr, me sy të zinj shndritës, flokëgështenjë të lidhura pas me fjongo e trup të plotë, si një lule që rritet  në një tokë pjellore, po edhe buzëqeshja e saj e lehtë dashamirëse, që pohonte çdo gëzimin tonin fëminor për gjithçka që bënim. Valbonës, kur ishim në klasë të gjashtë i vdiq e ëma, mbeti jetime. U bë edhe më e heshtur nga ç’ishte. Ndjemë keqardhje, i qëndronim pranë dhe shpesh ndanim me të ndonjë frut apo diçka tjetër që na jepnin me vete. Nguronte, po ne ngulnim këmbë dhe ajo e merrte kokëulur, na falënderonte me zë të ultë. Po edhe mësuesit tregonin kujdes, i flisnin me dashuri prindërore, veçanërisht mësuesja kujdestare, Bardha e ledhatonte, e përqafonte me ngrohtësi nëne. Të gjithë nuk i flisnim më me nofkën “Fjongo”, po me emër përkëdhelës Bona. E kuptonte kujdesin tonë dhe mundohej të na i shlyente me nënqeshje të lehtë që dilte nga një thellësi trishtuese. Po ngrohtësia njerëzore e mësuese Bardhës bëri që të kishte respekt dhe dashuri të veçantë për të. Dhe, çdo mëngjes, kur mësuesja hynte në oborrin e shkollës, ajo nxitonte dhe i hidhej në qafë, e shtërngonte me duart e vogla rreth vetes dhe drithërohej. Vërtetë i qe bërë njeriu më i afërt shpirtërisht që diçka po ripërtërinte në shpirtin e saj të zhuritur. Kjo na la të kuptonim se ç’është dashuria e vërtetë… Po afrohej “Festa e Nënës”.  Mësuesja na tha se do ta kremtonim këtë festë për nder të nënave me një program artistik, me këngë, valle dhe recitime. Kjo na gëzoi shumë. Po edhe teksti që na shkroi mësuesja na nxiti. Vumë edhe recitime të krijuara nga ne që u kushtoheshin nënave. Mësuesja na dha porosi të përgatiteshim sa më mirë, se programin do ta jepnim para nënave tona. Me kënaqësi bëmë organizimin dhe në kor futëm edhe Bonën, gjë që e priti mirë pjesëmarrjen. Provat i bënim pasditeve në klasë, në fshehtësi, se donim që shfaqja jonë të ishte një surprizë e këndshme për të gjithë. Elona (prezantuesja e programit). tregohej e shkathët dhe e kujdesshme që çdo pjesë të interpretohej sa më bukur. Na dukej  një zgjedhje shumë e këndshme. Shfaqjen do ta jepnim të martën pas dite në orën katër. Mësuesja na porositi  që të përgatitnim dhurata simbolike që do t’ua jepnim nënave tona të mira, pas mbarimit të programit. Ishte një mendim tejet i qëlluar. Erdhi dita e shumëpritur dhe oborri i shkollës po mbushej me nënat që bisedonin të gëzuara me njera-tjetrën. Ne nxitonim të rregullonim sa më bukur “skenën” dhe pastronim bangat  (që uleshim atëherë në klasë për të marrë mësimet), ndërkohë hidhnim ndonjë sy jashtë, shikonim nënat dhe ngazëlleheshim. Edhe ato prisnin me padurit të shikonin çfarë kishim përgatitur. Zumë vend nëpër banga me nënat tona. Mësuesja e hapi festën duke i falënderuar dhe uruar nënat! U emocionuam kur u tha se fëmijët kanë përgatitur një program të shkurtër artistik për t‘ju uruar festën. Elona me zërin e saj tingëllues e hapi programin dhe Geni u ra dy-tri notave të fizarmonikës, që tregonte se do të fillonte me këngë. Vazhduam programit sipar tekstit të mësueses duke dalë herë veç e veç, kur recitonim, herë grup kur këndonim. Në vazhdim doli tre herë grupi i vallëtarve që shquhej në tërë shkollën. Lëvizjet e tyre me finesë e gjallëri ngjanin me fluturat shumëngjyrshe që ndryshojnë dekorin e fushës me lule. Nënat shoqëronin lëvizjet e valltarëve  me ritmin e duartrokitjeve. Dukej se atmosfera u ndez nga gëzimi. Nënat tona fytyrëskuqura nga gëzimi dukeshin të lumtura. Mësuesja me bisht të syrit vështronte Bonën që rrinte e heshtur dhe mbante në duar pakon e dhuratës që kishte përgatitur. Me korin që do të përfundonte programin, me këngën që u kushtohej nënavë, u rreshtua edhe Bona. Kënga u bë e fuqishme dhe buçitëse se me zërat e fëmijëve u bashkuan edhe zërat e nënave. Kënduan të lumtura bashkë me fëmijët. Sa rreshtën duartrokitjet e fuqishme, fëmijët  vrapuan hareshëm te nënat e tyre për t’u uruar festën. Ato i shtërngonin në gjoks me dashuri, dikujt i shpëtuan edhe lot gëzimi. Mësuesja hodhi sytë nga Bona që po drithërohej dhe sytë po i mbusheshin me lot. U çua menjëherë dhe i thirri ëmbëlsisht: – Bona, hajde këtu xhan i mësueses! Ajo u ngrit, eci pa e kuptuar se ku shkelte, iu hodh në qafë mësueses dhe në mes ngashërimit shqiptoi fjalë të shkëputura drithëruese:  – Mësuese,… nuk kam… kujt…t’ia…jap …këtë!… Ua solla Juve këtë, – dhe i zgjati dhuratën, një karficë të shndritshme që mbante e ëma dhe një shishkë parfum. Me lot në sy mësuesja e puthi, i ledhatoi flokët, dhe me shaminë e vet ia fshiu sytë duke i thënë me zë të ngrohtë nëne: – Të dua shumë, moj bijë! Më ke mua, ke shoqet, shokët! Të duam të gjithë,- dhe ia bëri me shenjë klasës që të afroheshin grup. E futën Bonën më mes dhe fotografi shkrepi aparatin disa herë ku Bona qëndronte në mes e rrethuar nga ngohtësia e një dashurie njerëzore, që dukej se diçka i fashiti nga trishtimi. Ngjarje të tilla me përjetim emocional të fuqishëm nuk shlyhen lehtë në jetë…

 

NOA