Suplementi Pena Shpitare/ Alisa Velaj: Dielli alegorik i rrënjëve të dashurisë

402
Sigal

 

          (Shënime rreth romanit Dashuria vjen nga jugu i Violeta Allmuçës)

 

“Njeriu nuk lexon një përmbledhje mendimesh, por një rrëfim, një libër të trilluar”.   Kjo thënie e Todorovit të ndërmendet sapo mbaron së lexuari romanin “Dashuria vjen nga jugu” të shkrimtares dhe poetes Violeta Allmuça. Autorja i ka sjellë lexuesit një rrëfim të mrekullueshëm, ku loja mes trillit dhe të vërtetave sintetizohet në një harmoni fatlume, me një rrjedhë natyrale, larg çdo artifici për hir të formës, apo për hir të ideve. Romani hapet me rrëfimin e një historie dashurie “në një të premte të akullt dhjetori, në një tren nate të linjës Edinburgh-Londër”.

“Të dy qenë krejt të pafajshëm. Diçka kalimtare në kohë, si koha e erës. Ose marrëzi!Ishte fundi i një ditë-nate pa rrënjë. Në ag u sillej para syve rrethi i mungesës”.

Allmuça në vazhdim të rrëfimit do të jetë në kërkim të pandërprerë të rrënjëve të dashurisë, duke iu kundërvënë plot guxim rrethit të saj të mungesës. Do të kërkojë rrënjët e diellit të dashurisë dhe do të asgjësojë kohën e erës, për të ndërtuar një pentagram mendimesh dhe ndjenjash të skalitura në trungje lisash.

Romani frymon në dy linja rrëfimore, të cilat fillojnë e rrahin drejt një pike të vetme për lexuesin, vetëm në kapitullin e njëmbëdhjetë.

“Ishte e lumtur të shfaqej para syve të njerëzve të vet. E merrte malli dhe për pjalmin e luleve, kukullën e një fëmije, harenë e ditëve me njeriun tjetër përkrah saj. Nuk i kujtohej emri i tij. Pas e ndiqte një qen ujk”.

Përshkrimet e shpeshta në roman janë përherë në funksion të rrëfimit dhe pikërisht në këto përshkrime me një gjuhë thellësisht poetike, gjendet dhe karremi narratologjik që ndihmon lexuesin të ndërtojë në vetëdijen e tij, atmosferën e plotë të dramës dhe lumturisë që shpalos autorja Allmuça. Në të dy linjat rrëfimore drama dhe lumturia përkëmbejnë njëra-tjetrën si në skenat e një teatri absurd. Ekzistenca e personazheve protagonistë dhe personazheve dytësorë përcaktohet nga prania e dashurisë, ose nga mungesa e saj (lindja e fateve tragjike).

“Padija, imagjinata, iluzioni, e vërteta: proçesi i njohjes kalon të paktën nëpër tri shkallë para se personazhi të bëjë një ndërtim përfundimtar”. Personazhet e Allmuçës nisen në udhë krejt të panjohura. Dalina Heta dhe Henri Berger nuk e njohin njëri-tjetrin kur bëjnë dashuri për  herë të parë. Ata thjesht jetojnë trillin e një nate dhe përmes udhëve të njohjes hedhin themelet e një dashurie që në fillim dukej krejt iluzive. Profesori i arkeologjisë Maks Berger ecën për një kohë aspak të shkurtër në një udhë, ku padija është e vetmja busull, përpos përpjekjeve të tij titanike për të rralluar disi tisin e terrtë të mjegullnajës rreth orogjinës së kafkës së gruas në laboratorin e tij. E gjithë drama e romanit ngjizet mes këtyre dy padijeve. Padija e parë rrok një dashuri të vrarë, Linën. Përmes shëmbëlltyrës së simotrës së saj Dalinë, në një kohë krejt të ndryshme nga e para, e vdekura alegorikisht vjen sërish në jetë, në një tokë tjetër, në një ajër të lirë. Dashuria e birit (Henrit) sjell diellin e dashurisë nga jugu (Mesdheu), për të ngrohur përjetë shpirtin e tij, ndërsa kërshëria e më pas ndjeshmëria e atit (apo dashuria simbolike) ndaj një kafke të paemër, i jep kësaj të fundit një lloj ringjallje, kurse profesorit rikthimin e tij në jetën reale, pas një përhumbje disi të çuditshme me realitetin e prekshëm jetësor, ndërsa udhëtonte në kohë jo reale. Kafka e gruas fiton një tjetër status përjetësie në çastin kur Dalina Heta hyn si nuse në familjen Berger.

Mund të themi se tri shkallët nëpër të cilat kalojnë personazhet janë padija, njohja dhe rinjohja në rastin e kafkës së Linës dhe profesor Maksit, ndërsa në rastin e të rinjve të dashuruar ndodh e kundërta. Proçesi i njohjes për ta kalon në një trajektore krejt të kundërt, duke nisur me rinjohjen simbolike, ku të dyve u duket se janë parë e takuar në një tjetër jetë. Një formë déjà vu-je, si për të treguar se shpirtërat binjakë janë përherë aty për shoshoqnë, pavarësisht kohës dhe hapësirës që i ndan. Pastaj dy shkallët e tjera janë njohja dhe e vërteta. Kemi gjithashtu dy breza (at-bir) në ringjallje të dy kohëve; njëra reale, tjetra irreale, ku kjo e fundit vendoset në funksion të alegorisë së rrëfimit. Dielli lind për të dy nga jugu. Dalina Heta është dielli shqiptar i dashurisë për Henrin anglez dhe njëkohshëm dielli që ndihmon rimishërimin e kafkës së Linës tjetër, me rrënjë po nga dheu i simotrës së saj.

Antropologu i njohur Maks Berger të nesërmen u ngrit herët. Ndjehej më i qetë. E kuptoi se po afrohej ora e së vërtetës. Një frymë diellore iu fashit para fytyrës. Dashuria nuk ishte ëndërr. Ishte vetë jeta. Dalina Heta atë ditë u mbulua me diell. Kafka e gruas përballë saj nuk mund të jetonte pa diellin, as pa identitetin dhe tokën e saj. Dalina e preku me dashuri. Kujtesa në rrethin e jetës mes dy botëve iu shfaq në sy. Maks Bergerit do t’i mungonte ajo fytyrë edhe pse do ta ndjente pranë. Brenda syve të saj, për herë të parë ai nuk pa më lot. E priste një shpirt…”

Dy Lina në një. Njëra e tashme dhe tjetra e pakohë. Të dyja në një udhëtim prej atdheut tonë diellor drejt Anglisë plot me mjegulla të dendura, për të shpënë atje sa më shumë rreze. Dashuria është e përjetshme dhe tempulli i saj është zemra e Njeriut, na thotë mes rreshtash shkrimtarja Allmuça. Dashuria është universale. Ajo përkundet ashtu si një foshnjë në  shpirtërat e dlirë të tërë planetit dhe shemb çdo ngrehinë ligësie herët a vonë.

 

Allmuça e sfidon vrastaren, marrëzinë dhe dehumanizmin, jo përmes gjuhës së urrejtjes për vrasësit e dashurive, por përmes preludit që i thur jetës së viktimave të pafajshme, sepse goditja më e mirë e urrejtjes bëhet përmes gjuhës së dashurisë. Maria e refuzon botën plot thashetheme për krimet e të atit, duke krijuar një koracë të shenjtë me anë të harresës dhe ndjenjave të vyrtytshme për të afërmit e zemrës. Tom Sela, në figurën e të cilit rroket gjithë marrëzia e diktaturës komuniste, përndiqet vazhdimisht nga dy sy gruaje. Janë sytë e dashurisë që e vrau pse ajo e deshi, por ai nga xhelozia ngriti një mur akulli mes saj dhe zemrës së tij. Karremi narratologjik i qenit ujk përsëritet disa herë në tekst. Ujku si simbol i egërsisë, vetmisë, egoizmit etj shndërrohet në një simbol të një kohe të tmerrshme. Personazhi i Tom Selës ngjiz kohën e ujkut dhe në fund, si mallkim për mëkatet e bëra në këtë jetë, kufoma e tij hiqet zvarrë drejt vdekjes nga një qen ujk. Është po ky qen ujk që e ruan të paprekur kokën e ngrirë dhe të ndarë nga trupi të bashkëshortes të vrarë prej tij, duke i dhënë kështu mundësi të udhëtojë në kohëra të tjera, derisa të vijë në jetë si një shpirt. Çdo gjë e ligë i druhet kështu diellit të së mires, që në fund do të ndriçojë çdo skutë shpirtërash të lënduar me pa të drejtë. Koha e dashurisë është e ardhmja e vetme, nënkupton autorja në këtë vepër të shkruar “me shumë dashuri për dashurinë”.