Raporti i GREKO (KiE): Niveli i korrupsionit në Shqipëri mbetet i lartë, duke u renditur e 106 -ta nga 180 vende. Pas zbardhjes së përgjimeve, mijëra shqiptarë protestuan për blerjen e votës dhe lidhjen e qeverisë me krimin e organizuar, por asnjë ministër nuk është hetuar për skandalet.
Në një raport të publikuar dje, Grupi i Shteteve të Këshillit të Europës kundër Korrupsionit (GRECO) konstaton se në Shqipëri, kuadri ligjor për parandalimin e korrupsionit të anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe këshilltarëve të tyre politikë, dhe policia, është ende tepër kompleks dhe ka mungesë vullneti politik që të dënohet korrupsioni i zyrtarëve të lartë. Ai i bën thirrje Shqipërisë të përqendrohet në zbatimin e tij efektiv, veçanërisht duke përmirësuar kapacitetin e organeve përgjegjëse për parandalimin e korrupsionit dhe përmes një qasjeje proaktive ndaj hetimeve. GRECO rekomandon në veçanti që një manual që përpilon standardet dhe rregulloret e zbatueshme t’u vihet në dispozicion personave që mbajnë poste të larta ekzekutive. Po ashtu, theksohet që çdo ministri duhet të miratojë shpejt një plan integriteti dhe që ministrat, zëvendësministrat dhe këshilltarët duhet të informohen rregullisht për masat, për të siguruar integritetin e tyre. “Grupi i Shteteve të Këshillit të Evropës kundër Korrupsionit shpreh dyshime në lidhje me zbatimin efektiv të Kodit Ministror të Etikës 2013 dhe funksionimin aktual të komitetit të etikës bashkangjitur me të. Shpresohet që të hartohen dhe zbatohen rregulla të qarta pas punësimit. Kuadri i përgjithshëm që detyron të interesuarit të deklarojnë pasuritë e tyre është krijuar. GRECO vëren se nuk ka asnjë shembull që një ministër apo një këshilltar i tij/ saj, të ketë qenë i detyruar të tërhiqet nga një dosje, për shkak të konfliktit të interesit,” thuhet më tej në raport.
Raporti Grupi i Shteteve të Këshillit të Europës kundër Korrupsionit (GRECO)
Procedura e përputhshmërisë në lidhje me raundin e katërt të vlerësimit që përfshin deputetët, gjyqtarët dhe prokurorët u ndërpre më 25 shtator 2020, ku një nga dhjetë rekomandime mbetën pjesërisht të zbatuara.
Niveli i korrupsionit mbetet i lartë në Shqipëri. Sipas indeksit të perceptimit të korrupsionit të botuar nga ‘Transparency International’, Shqipëria zuri vendin e 106 -të nga 180 vende në 2019, ndërsa ishte e 99-ta në 2018, e 91-ta në 2017 dhe 83-ta në 2016. Në përgjithësi, korrupsioni mbizotëron në shumë fusha të jetës publike e biznesit dhe mbetet një çështje shqetësuese. Ai sfidon besimin e publikut në institucionet e shtetit dhe jetën politike.
Më 25 mars 2020 Këshilli i Bashkimit Europian, theksoi se përpara konferencës së parë ndërqeveritare, Shqipëria duhet të bëjë inter alia financim transparent të partive politike dhe fushatave elektorale, të sigurojë zbatimin e vazhdueshëm të reformës gjyqësore dhe të finalizojë krijimin e strukturave të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të forcojë më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Nën presionin veçanërisht të Bashkimit Europian dhe të Këshillit të Europës – brenda kuadrit të Programeve të Përbashkëta dhe raporteve të GRECO-s – gjatë viteve të fundit janë marrë një sërë masash për të ulur korrupsionin në vend. Krijimi i Task Forcës Antikorrupsion, pritet të rrisë proaktivitetin e hetimeve administrative. Por deri tani, nuk ka tregues që të luftohet fort korrupsioni, sidomos në nivelet e lartë të qeverisjes së vendit.
Mungojnë “historitë e suksesit” në luftën kundër korrupsionit, të cilat do të rrisnin besimin e publikut te sistemi. Kanë përfunduar procedurat për krijimin e organeve të specializuara anti-korrupsion, të përbëra nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) dhe Gjykata kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Disa raste në lidhje me politikanët kanë dalë në titujt kryesorë, për shembull mbi korrupsionin dhe kontrabandën e drogës që dyshohet se janë përdorur për financimin e fushatave elektorale, mbi pastrimin e parave dhe falsifikimin e dokumenteve shtetërore dhe pagesën e kontratave të lobimit përmes shoqërive offshore. Një gazetare britanike u bë objekt shënjestre nga një fushatë shpifjesh në mars 2019, pas artikujve të saj në lidhje me korrupsionin, manipulimin e votave, dhunën në protesta dhe lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar dhe pastrimin e parave.
Situata politike në Shqipëri mbetet e tensionuar. Në mars 2019, mijëra shqiptarë protestuan për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë së Kryeministrit dhe bënë thirrje për zgjedhje të parakohshme, duke theksuar inter alia korrupsionin, koston e rritur të arsimit, blerjen e dyshuar të votës në zgjedhjet e 2017 dhe akuzat për lidhjen e qeverisë me krimin e organizuar. Pasi bojkotuan më parë Parlamentin, opozita parlamentare hoqi dorë plotësisht nga mandatet, duke marrë kritika nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vazhdojnë tensionet e rënda mes Qeverisë dhe Presidentit të Republikës. Presidenti anuloi dhe shtyu zgjedhjet e qershorit 2019, gjë që bëri që Komisioni i Venecias të dilte në përfundimin që Presidenti kishte “tejkaluar kompetencat e tij sipas Kushtetutës”. Çështja e emërimit të gjyqtarëve kushtetues ka çuar gjithashtu në tensione mes Qeverisë dhe Presidentit dhe deri tani akoma nuk është krijuar Gjykata Kushtetuese. Komisioni Parlamentar Hetimor nisi një procedurë kundër veprimeve të Presidentit të Republikës në drejtim të zgjedhjeve vendore dhe qëllimi e tij më vonë u shtri në rolin e Presidentit në emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Presidenti i Republikës organizoi një tubim të madh më 2 mars 2020 duke akuzuar shumicën në pushtet për shkeljen e Kushtetutës.
Reforma në drejtësi është komplekse, duke përfshirë reformën ligjore, një përbërje të re të organeve kryesore gjyqësore dhe një proces vetting-u për gjyqtarët dhe prokurorët. Ritmi i reformës gjyqësore mund të përshpejtohet në mënyrë që të mos dobësohet kontrolli gjyqësor i zbatimit të ligjit. Procesi i vetting-ut të gjyqtarëve dhe prokurorëve vazhdon ende dhe Gjykata e Lartë nuk është ngritur deri tani. Çështje të mbartura vazhdojnë të numërohen në shkallën e apelit sepse Shqipëria ka vetëm një gjykatë apeli administrativ. Legjislacioni për mbrojtjen e të drejtës së qytetarëve për të kërkuar dëmshpërblim është në fuqi, por çështjet gjyqësore janë të rralla për shkak të padijes së publikut për të drejtat e tyre.
Lista e këshilltarëve politikë është publike dhe gjendet në internet. GET vuri në dukje se këto lista nuk përmendin përgjegjësitë e tyre. Meqenëse këshilltarëve politikë mund t’u jepet një larmi e madhe pune nga ministrat, mund të trajtojnë informacion konfidencial dhe të jenë pjesë e procesit të vendimmarrjes politike, GET është i mendimit se duhet të ketë më shumë transparencë për statusin dhe kompetencat e tyre. Të njëjtat rregulla në lidhje me papajtueshmëritë dhe parandalimin e konfliktit të interesit duhet të zbatohen edhe për këshilltarët e jashtëm të Kryeministrit. GRECO rekomandon që, për qëllim transparence, emrat e këshilltarëve politikë të publikohen në internet dhe që informacioni për punën e tyre kryesore dhe aktivitetet ndihmëse të gjendet lehtësisht në internet.
GET vëren se disa paga të PTEF, në veçanti ato të këshilltarëve politikë, janë relativisht të ulëta krahasuar me pagën mesatare mujore në Shqipëri, dhe kjo mbetet vështirësi kur bëhet fjalë për parandalimin e korrupsionit.
GRECO rekomandon që të harmonizohet dhe të rritet koherenca e brendshme e kuadrit ligjor dhe institucional për luftën kundër korrupsionit dhe integritetin e nëpunësve publikë, veçanërisht në lidhje me PTEF-të, për shembull duke mbledhur normat dhe rregulloret në një manual dhe duke dhënë udhëzime për detyrimet e çdo kategorie dhe për rolin e çdo organi përgjegjës. Kjo vlen gjithashtu edhe për policinë e Shtetit.
GET thekson se nuk është bërë asnjë parashikim për rastin e shkeljes së Kodit nga Kryeministri, pasi atij/asaj i është besuar marrja e masave disiplinore.
Megjithatë, GET thekson se ky Kod nuk u përmend në përgjigjet e pyetësorit të vlerësimit, mes referencave kryesore të kuadrit rregullator, dhe u përmend vetëm gjatë intervistave të mbajtura në terren. Asnjë informacion nuk u nda në lidhje me funksionimin e Komisionit të Etikës dhe rezultatin e punës së tij. Profesorë të së drejtës që u takuan me GET nuk kishin dijeni për ekzistencën e këtij Kodi. GET pyet veten nëse ky tekst thelbësor, i botuar në Fletoren Zyrtare në shtator 2013, është vënë në dijeni të anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe zbatohet siç duhet, dhe nëse Komisioni i Etikës mblidhet rregullisht, shqyrton çështjet dhe merr vendime disiplinore.
GET vëren se mungon këshillimi individual dhe konfidencial i PTEF-të mbi çështje të lidhura me integritetin, konfliktet e interesit, etj. Në fakt, ndryshimet ligjore të vitit 2014 prezantuan një ndarje të kompetencave ndërmjet ILDKPKI dhe autoriteteve përgjegjëse në institucionet publike sa i përket mbështetjes së drejtpërdrejtë, trajnimit dhe këshillimit të zyrtarëve që kanë për detyrë të deklarojnë interesat dhe pasuritë private. Për rrjedhojë, ILDKPKI zhvillon vetëm trajnime për autoritetet përgjegjëse dhe jo për zyrtarë të veçantë të cilët duhet të 18 marrin një ndihmë të tillë nga autoritetet e tyre përkatëse. Njësitë përgjegjëse për këshillimin e administratës publike për çështje të lidhura me integritetin duhet të krijohen në çdo institucion, sidomos në Kryeministri dhe ministri. Duket se këto institucione nuk funksionojnë në mënyrë të efektshme dhe të rregullt.
Sipas disa bashkëbiseduesve me GET, mungesa e informacionit të dhënë nga disa ministri dhe cilësia e faqeve të internetit, sa i përket përmbajtjes, le për të dëshiruar.
Deklarimi i Pasurive
Disa nga bashkëbiseduesit që u takuan me GET, theksuan se cilësia e raporteve të tij mund të përmirësohej. Sipas bashkëbiseduesve të GET, një pjesë e konsiderueshme e çështjeve të përcjella nga ILDKPKI në prokurori nuk ndiqen si duhet. Vështirësi hasen nga të dy institucionet, sidomos pamjaftueshmëria e burimeve të nevojshme nga ILDKPKI për të përmbushur gamën e plotë të detyrave që ka sipas ligjit, si dhe mungesa e proaktivitetit dhe efektivitetit të ndjekjes penale. Sipas informacionit që i është dhënë GET, asnjë nga çështjet e referuara në prokurori ose institucione të tjera të zbatimit të ligjit nga ILDKPKI nuk ka përfshirë anëtarë të Këshillit të Ministrave ose këshilltarë politikë. Ministria e Drejtësisë mbledh dhe analizon të dhëna statistikore sipas Kodit Penal, por ky informacion nuk fokusohet te PTEF në mënyrë specifike.
Një numër i konsiderueshëm i çështjeve të dërguara nga ILDKPKI në prokurori nuk ndiqen penalisht si duhet. Mungesa e proaktivitetit dhe efektivitetit të prokurorisë është theksuar nga disa bashkëbisedues të GET si një shpjegim për nivelin e dobët të zbatimit konkret të raporteve të ILDKPKI. Kjo pengon rolin e ILDKPKI në hetimin e deklarimeve të rreme ose rasteve të korrupsionit, përfshirë këtu edhe PTEF-të. Brenda Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm (prokuroria e krimeve të rënda), vetëm një prokurori, të mbështetur nga një ndihmës ligjor dhe një sekretar administrativ i është besuar ndjekja e procedurave të kontrollit të integritetit.
Policia e Shtetit dhe korrupsioni
Për sa i përket Policisë së Shtetit, në vetting-un e përkohshëm është shfaqur një shqetësim specifik. Ka të ngjarë që si rezultat i tij të largohet nga forca policore një numër i konsiderueshëm i stafit të kualifikuar, duke e bërë të vështirë ushtrimin e funksioneve kryesore të policisë. Drejtësia dhe efektiviteti i procesit janë gjithashtu në diskutim, pasi ai nuk trajton në mënyrën e duhur të gjitha rreziqet e mundshme të integritetit. Prandaj, duhet të zëvendësohet me kontrolle të rregullta të integritetit gjatë karrierës së policisë. Gjithashtu, rregullat e duhura pas periudhës së punësimit duhet të rishikohen në këtë kontekst. Një shqetësim kritik ka të bëjë me praktikën aktuale që Policia e Shtetit mund të marrë donacione private dhe sponsorizime, të cilat – nëse një praktikë e tillë do të lejohet – duhet të rregullohen në mënyrë rigoroze për të kufizuar çdo risk korrupsioni dhe konflikti interesi. Po kështu, mundësia që Policia të ofrojë shërbime shtesë në këmbim të pagesës, duhet të rregullohet në mënyrë rigoroze. Politizimi në Policinë Shqiptare, është gjithashtu një çështje shqetësuese. Për ta ulur nivelin e politizimit, duhet të merren masa që të rritet qëndrueshmëria e drejtuesve të lartë në pozicionet e tyre, pavarësisht nga ndryshimet politike në vend dhe që pozicionet e nivelit të mesëm drejtues 5 të emërohen nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe jo nga Ministri i Brendshëm. Rregullat e etikës duhet të plotësohen me udhëzime praktike, si dhe masa të ndërgjegjësimit, trajnimit dhe këshillimit – përfshirë mbrojtjen e sinjalizuesve, në mënyrë që të rritet besimi te sistemi.























