Në një lidhje me Skype nga Roma, gazetarja shqiptare Alba Kepi akuzon Lulzim Bashën se gjatë 8 viteve, bëri kompromise me qeverinë duke dëmtuar PD-në.
Kepi tha se Basha bëri ‘Omerta’, heshti duke i shërbyer qeverisë.
“Kultura e heshtjes është një nga elementët bazë, ‘Omerta’, elementi bazë i një strukture kriminalo-mafioze. Në 8 vite Lulzim Basha ka bërë politikën e heshtjes, politikën e kompromisit me ata që po qeverisnin vendin, duke dëmtuar PD-në, duke shkatërruar historinë e PD dhe duke kontribuar në një restaurimin e një sistemi monopartiak. Çfarë i ka dhënë ai PD-së që ka tagrin sot të përmendë dhimbje, sakrifica të demokratëve. Nuk e kuptoj çfarë do të thotë. Sakrifica jonë e madhe është se i falëm gjithçka, i falëm humbjet në zgjedhjet vendore, të përgjithshme, por prisnim që fushata e prillit të ishte tjetër”, u shpreh Kepi.
Ajo tregoi edhe rastet kur sipas saj Basha ka qenë palë me qeverinë e Edi Ramës.
“Ku ishte ai ndërsa bëhesh vjedhje nga qeveria? Ai bëri një fushatë elektorale mjaft të vakët që këtej Adriatikut, nuk kuptohej se ccfarë po ndodhte, a ishte në fushatë apo jo PD-ja. Edhe pas skandaleve, deklaratat, daljet e tij, dosje pas dosje kanë qenë gjithmonë të mefshta, të cilat tashmë na hapën sytë të kuptojmë se ishte një kompromis mes pushtetit dhe asaj opozite që ai kishte mbajtur në këmbë deri në atë kohë. Dalja e tij sot ishte me qëllim, e komanduar”, theksoi gazetarja shqiptare nga Roma, Alba Kepi.




















