Suplementi Pena Shqiptare/ Ilmi Qazimi: “ZËRAT E ZOGJVE”

298
Sigal

Këto ditë shtëpia botuese “Edlora” nxorri në qarkullim librin “Zërat e Zogjve” të  autorit Ilmi S.Qazimi, ku ndër 39 tituj gjashtë jepen në prozë poetike dhe të tjerat janë poezi të mirëfillta në formën e përjetimeve të tij reale ndër vite, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Mjeshtërisht autori realizon atë që duke  lexuar shkrimet e këtij libërthi çdokush, gjen në të copëza të jetës së vet, reflekton dhe ndjen se më e mira ajo, që duhet të prijë ecurinë  jetësore të shoqërisë njerëzore dhe të marrëdhënieve të saj me natyrën. “Zogjtë dinë të ndërtojnë strehëzën familjare, të dashurojnë, të krijojnë familje të qëndrueshme, të lindin e të rritin fëmijë… Ata ‘nuhasin’, vrojtojnë me vigjilencë të lartë, vajtojnë humbjet dhe gëzojnë fitoret. Kuptohen dhe “flasin” me njëri-tjetrin madje edhe me njeriun. Gjuha e tyre është muzikale, me gjeste e veprime ku spikat kënga e dashurisë për jetën, me repertorin më të pasur të mundshëm e krejt të natyrshëm, në qindra e mijra versione cicërimash, zukatjesh, vallzimesh, imitimesh, zhurmimesh e shfaqjesh nga më mahnitëset ndër krijimtaritë e natyrës. Dinë të punojnë me cilësi të lartë e të jetojnë me djersën e punës së tyre; të shijojnë dhuratat e natyrës; të gëzojnë lirinë dhe ta mbrojnë atë me çdo çmim … Eeeeh, sa gjëra dinë e bëjnë zogjtë! ” Pikërisht këto mesazhe, me figuracione të spikatura poetike,përcjell poeti tek të gjithë lexuesit. Brendia e librit  ka ilustrime  konkrete, që jo vetëm kënaqin syrin e zgjojnë kurreshtjen, por  ngjallin edhe respekt për universin natyror. Faqet kanë frymëmarrje; vargjet dhe rreshtat përthithen lehtazi,mbasi janë  thellësisht shpirtërore në të menduar, nga tërë moshat veçanërisht fëmijët dhe ata që kanë kaluar gjysmën e shekullit të jetës së tyre.

Xheladin Çelmeta, gazetar

Disa poezi të shkëputura  nga libri “Zërat e Zogjve” të autorit Ilmi S.Qazimi

Turtulli

Turtulli,

këndoi për njeriun

me dashuri.

Njeriu,

turtull u bë

me hipokrizi.

Kanarina

Rrjedhin ndjenjat varg e çurg nga gazi

E retë krihen shpejtuar rrezesh në diell,

Kanarina sulmon verbazi prej kafazi

Kur zogu i gjëmbit dashnoren ndjell.

 

Patoku

Kur panja e kuqe përcjell diellin mbi valë

Ai fton potershëm patat drejt bregut;

E kulpra dredharake përgjon ngadalë,

pishën halëbardhë që shpon ëndrrat e shelgut.

 Qyqja femër

Gjarpëri mbolli helm në ushqim ndër shekuj;

Njeriu, parazitohet ditëve të helmuara me bujë.

Qyqja femër vijon qetthi vrasjen e zogjve meshkuj,

e përroi, poshtë shtogut nuk gurgullon më ujë.

 Mëllenja

Meni kokërzi i krekoset menit kokërbardhë ;

Mëllenja sqepon psherëtimat,

e degëve me gjethe vrarëlije…

E qan me këngë, pastaj,

kur mbrëmja hedh çarçafin e freskisë pas shiut.