Më 22 prill, bëhen 161 vite nga lindja e patriotit të shquar Petro Nini Luarasi, një nga figurat më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. I lindur në vitin 1865 në fshatin Luaras të Kolonjës, ai u shqua si mësues, publicist dhe veprimtar i palodhur i çështjes kombëtare, duke i kushtuar jetën përhapjes së arsimit dhe gjuhës shqipe.
Që në vitet 1887–1893, Luarasi hapi disa shkolla shqipe në Ersekë dhe në fshatra të Kolonjës, duke kontribuar drejtpërdrejt në arsimimin e popullit. Në vitin 1888 mori drejtimin e Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë, ndërsa më pas shërbeu si mësues dhe drejtor në disa institucione arsimore, përfshirë edhe shkollën e Papa Kristo Negovanit. Për përhapjen e gjuhës shqipe, ai u përndoq ashpër nga autoritetet e kohës, u shkishërua me urdhër të Mitropolitit të Kosturit dhe u burgos nga Porta e Lartë.
Pavarësisht vështirësive, Petro Nini Luarasi vijoi veprimtarinë e tij patriotike edhe në mërgim, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u bë nismëtar i shoqërive patriotike “Malli i Mëmëdheut” dhe “Pellazgu”. Gjithashtu, bashkëpunoi dhe botoi në organe të rëndësishme të shtypit shqiptar të kohës, si “Drita”, “Kombi”, “Iliria” dhe “Bashkimi i Kombit”.
Në veprën e tij të njohur “Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit” (1911), ai mbrojti me forcë të drejtat e shqiptarëve për arsim dhe kulturë kombëtare, duke e konsideruar dijen si “shpirtin e mëmëdheut”. Për shkak të aktivitetit të tij të gjerë arsimor, shoqëror dhe kombëtar, ai u përndoq vazhdimisht nga Xhonturqit dhe Patriarkana e Stambollit.
Në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të madh, në vitin 2002 Këshilli i Qarkut Korçë i akordoi pas vdekjes titullin “Nderi i Qarkut të Korçës”, me motivacionin “Veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare”.
Petro Nini Luarasi do të mbetet përherë një simbol i përkushtimit ndaj arsimit, gjuhës dhe identitetit kombëtar shqiptar.




















