Pena Shqiptare/ Petro Nini Luarasi delegat në Kongresin e Manastirit 1908

586
Petro Nino Luarasi lindi në 22 prill të vitit 1865 në Luaras të Kolonjës dhe vdiq më 17 gusht të vitit 1911, ishte i biri i Nini Petro Kostallarit, veprimtar i Rilindjes Kombëtare, publicist e pedagog, Mësues i Popullit. Lindi në Luaras të Kolonjës në një familje muratori. Ishte nxënës në shkollën e Qestoratit drejtuar nga Koto Hoxhi. Punoi si mësues në fshatrat e Kolonjës, ku u mësonte fëmijëve fshehurazi gjuhën shqipe dhe përgatiti një grup shokësh si mësues. Më 1882 hapi Shkollën e Parë Shqipe në fshatin Bezhan të Kolonjës, kurse më 1887 hapi shkollën shqipe në Ersekë dhe pak më vonë (1892-1893) shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës e të Vakëfeve, punoi si drejtor dhe mësues i Mësonjëtores së parë shqipe të Korçës dhe më vonë i shkollës së Negovanit (1909-1911).Në vitin 1892 bashkë me Gjerasim Qiriazin themeluan shoqatën protestante “Vëllazëria e Shqipërisë”. Në emigracion, në Amerikë (1904-1908) mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kombëtare, ishte nismëtar i shoqërive patriotike “Mall i mëmëdheut” dhe “Pellazgu”, i krijimit të komiteteve të fshehta për lirinë e Shqipërisë. Ishte delegat në Kongresin e Manastirit (1908). Për veprimtarinë patriotike, arsimore e shoqërore u përndoq nga xhonturqit dhe Patrikana e Stambollit. Vdiq i helmuar prej tyre në Ersekë, më 17 gusht 1911.
VJERSHA
1. SHQIPËRISË
Shqipëri, o vis i vjetër,
N`historira e rrëfyer,
Më një kohë s`kishte tjetër,
Përmbi botë, më të vyer!
Po tani si je kështunë?
Posi një plakë kërcure?
E përzishme dhe për lumë,
Për shitje në treg të druve!…
Hoqe shumë hidhërime,
Xbathur, xveshur, natë, ditë,
Për djemtë durove, trime!
Mëm` e zezë, zemërthyer,
Kur shih këto të këqija,
Nga të qarët ish xbërthyer,
Dit` e nat` me ngashërima.
Greku i lutet Evropës,
Me shumë farësh gënjeshtra,
Të na bëjë neve gropën,
Të na ketë posi fshesa.
Thotë: “Është gjithë imja,
Shqipëria anembanë;
E kam patur nënë urdhër,
Po tani kërkon të dalë!”
Vështroni, gënjeshtrë-madhja!
Mbani vesh o Shqipëtarë,
Se ç`thotë për ne Elladha
Që do të na bënjë varrë!
O vëllezër Shqipëtarë,
Myslyman e të krishterë,
Të dashur mëmëdhetarë,
Ju që dëshëroni nderë,
Mbani vesh edhe dëgjoni
Për mëmëdhethin tënë,
Vini re të kupëtoni
Armiqtë për ne ç`po bëjnë:
Duan të na copëtojnë
Dhe si pajë të na ndajnë,
Të na kapin dëshërojnë,
Faqes dheut të na lajnë.
Të na humbin emrin tënë!
Shqipëri më të mos ketë!
Shqipëtar sikur s`ka qenë,
Ta bëjnë xhomp nga kjo jetë!
Shkronjat shqipe kur i panë,
Shënjëzat që rron njeriu,
Të gjithë armiqtë tanë
U trempnë! Gjaku u ngriu!
Patrik e kryepriftërinj
Po përpiqen dite e natë,
Si Kajafa me të tijtë,
Qysh t`i apin shqipes datë.
Mallkime të rënda flasin
Nëpër kishat anëmbanë,
Dhe si çakajtë bërtasin
Që të trembin Shqipëtarë.
Pra, dhe një mënyrë gjejnë
Që të bindin njerëzinë,
Për veglë përdorin fenë
Dhe Krishtin e Perëndinë!
Të tilla, krye-priftërinjtë,
Bëjnë për hir të Greqisë,
Jashtë udhës së ungjilltë,
E për dëm të Shqipërisë.
Më tjatër anë Greqia,
Në Shqipëri me andartë,
Po bën mijëra të këqija,
Duke therur, duke vrarë!
Ej! Gjer kur, vëllezër, rrojmë
Si kafshë, si bagëtia?
Gjer kur vallë po durojmë
Në rrëmull` e të këqija?
O ju pleq e ju të lashtë,
Që kini dijë më parë,
A kini dëgjuar jashtë,
Për burratë shqipëtarë?
O ju të vjetër, që dini
Punërat e Shqipërisë,
Nuk` u vjen liksh kur i shihni
Të sotmet e ligësisë?!
E ju të rinj, djema trima,
Ju kërthiz e trimërisë,
Që zëmera si vetëtima,
Rreh për nder të Shqipërisë:
Do ta lini mëmëdhenë
Ta shkelnjë armiku ynë?
Ç`e doni më vetëhenë
Kur t`u rrahë bota synë!
Bashkoni fuqitë tuaj,
Shpirt e zemër tok bashkoni,
Tregoni botës së huaj
Që dhe ju dini të rroni!
2 Shkurt, 1907
2. THIRRJE SHQIPËTARËVE
Perëndi, pa shtjerë sytë
Mbi të gjorën Shqipëri,
Mizëri njerëz si yjtë,
Pa dritë e pa dituri!
Gjithë bota anembanë
Po çkëlqen, po lulëzon!
Veç Shqipëria e ndarë
Jetën kjo të zez` e shkon!
O vëllezër Shqipëtarë,
Bashkohi për Perëndit,
Të krishter` e myslimanë,
Në një zemër, në një shpirt!
Të ndritohemi të gjithë
Me shkronja, me dituri,
Të mos gëzojmë armiqtë,
Qe na shajnë gjer tani.
Të përhapim gjuhën tënë
Me mësonjëtore shumë,
Mëmën ne të mos e lëmë
Të na e bëjnë rrëmullë!
Duan gjuhën të na ndajnë,
Të tyren të na dhurojnë,
Si një qen lidhur në shkardhë,
Të na heqin, na gëzojnë!
Kemi qenë dhe do të jemi,
Burra trima Shqipëtarë,
Dhe në dorë tën` e kemi
Të bënemi si më parë!
Hithni syt` o Shqipëtarë,
Vini re botën e tërë,
Mejtohuni ç`qe më parë
E tani si është bërë!
18 Kallnor 1907
Sigal