Arrestimet në kampet e internimit Savër, Gradishtë, Plug, Grabjan, Çermë

1055
Simon MIRAKAJ

Ata absolutisht ishin të pafajshëm si qindra e mijëra të tjerë që kishin mbushur kampet e burgjet në tërë vendin, por ky ishte ushqimi i diktatorit dhe i atij sistemi që drejtonte vendin nëpërmjet dhunës e terrorit.
Në vitin 1959 Shqipërinë e vizitoi sekretari i parë i Bashkimit Sovjetik Nikita Hrushov. Një javë përpara se ai të vinte në Shqipëri sigurimi i shtetit në Lushnjë mori masa për të mbrojtur nga armiqtë e klasës sekretarin e parë të B.S, duke larguar nga qyteti disa individ si Seit Selfon, Vanko Lezon, Shahin Rushitin e ndonjë tjetër që nuk më kujtohet, i izoluan në kampin e internimit në Gjazë së bashku me disa të internuar nga kampi i internimit të Savrës , duke i sistemuar në koçekët e misrit. Ky grup armiqsh qëndruan aty dy javë. Filluan të qarkullojnë zëra se po prishen marrëdhëniet me B.S. Prishja e marrëdhënieve do të thoshte, ashpërsimi i luftës së klasave, zbulimi i armiqve, gjë që shoqërohej me internime, burgosje e arrestime. Në vitin 1960 u zyrtarizua prishja e marrëdhënieve, e cila u shoqërua me një valë arrestimesh, duke filluar me anëtaren e byrosë; Liri Belishovën etj, sigurisht që kjo valë do kapte dhe armiqtë e klasës. Nuk kishte shumë që ishte arrestuar Vasil Kokali (kunati), i cili mbas një vit martese, u burgos duke lënë gruan me një vajzë, Adrianën. Vasili ishte nga Aliko i Sarandës, rridhte nga një familje e pasur dhe antikomuniste. Ai ishte internuar familjarisht që në vitin 1945 në kampin e Krujës. Ministria e Punëve të Brendshme kishte vendosur që familjet që ishin nga jugu t’i dërgonin në kampet e internimit në veri, ndërsa veriorët i dërgonin në jug. Me Vasilin ne u bashkuam në kampin e internimit Tepelenë. Vasili binte në sy nga djemtë e kampit, ishte një djalë i rregullt e serioz dhe shumë merakli, si në veshje në krehje, flokët i kishte të shumtë e me onde, shokët e tij thoshin, që iu binte flokëve me krehër njëqind herë, ndërsa dhëmbët e tij zbardhonin prej së largu. Sigurisht që ky qëndrim i tij dhe situata e krijuar bënë që ai të arrestohet mbas një viti martesë. Qëllimi i arrestimeve në situata të tilla politike ishte të fusnin terror në popull. Arrestimet bëheshin në punë, në rrugë, në shtëpi, pastaj me duar të lidhura mbrapa e shëtisnin nëpër kamp për të ngjallur tmerr tek njerëzit, për t’iu thënë të tjerëve që, rrini urtë se do përfundoni me duart prapa të lidhura me hekura. Ata absolutisht ishin të pafajshëm si qindra e mijëra të tjerë që kishin mbushur kampet e burgjet, por ky ishte ushqimi i diktatorit e i atij sistemi duke drejtuar vendin nëpërmjet dhunës e terrorit. Në ditën e caktuar të takimit në burg shkoja me motrën për t’i dërguar ndërresa e ushqime Vasilit që ishte në hetuesi, ai ishte në birucë në degën e punëve të brendshme, Lushnjë . Kur vinte gardiani, Miti, me marrë ndërresat dhe ushqimin, Vasili zgjatej e kapte hekurat e birucës që ta shikonim, na përshëndeste dhe me kapele, se kokën ja kishin qethur, e shikonim me vështirësi se para hekurave të dritares së birucës kishte edhe një dërrasë përpara , kështu që kishte shumë pak hapësirë për ta parë. Kishte dhe raste që vinte gardiani e nuk na i merrte ushqimet. Nuk ua u marr, thoshte se nuk sillet mirë në hetuesi, ne largoheshim mjaft të mërzitur. Ishte vërtet një pamje që të trishtonte, koka e qethur kishte filluar të zbardhej nga mungesa e diellit, e megjithatë na buzëqeshte për të na dhënë kurajë e sidomos motrës, Lajdes . Mbas një hetuesie prej nëntë muaj, doli në gjyq ku ishim edhe ne familjarët në seanc,ë e cila përfundoi me dënimin e tij për agjitacion e propagandë me 7 vjet. Një ndër akuzat ishte që ke sharë Hrushovin. Kur u prishën marrëdhëniet e filluan ta shajnë edhe vetë, shpresuam se do lirohej apo do i ulej dënimi, por ai i bëri shtatë vjet të plota. Arrestimi i tij pati pasoja për familjen vëllezërit që jetonin në Aliko, Sarandë. Ata i sollën familjarisht në internim, Miçon e Llambin. Pasojat do binin edhe mbi ne kunetërit e tij Sokol e Simon. Një ditë mbasi isha kthyer në shtëpi nga fusha e lojës në oborrin e shtëpisë (barakës), po vinte drejt nesh kapteri i kampit Hekurani, me gjithë operativin Ll. G, kur u drejtuan drejt nesh, u shtangëm. Mbasi u lamë e u futëm brenda kur dëgjojmë të trokasin në derë, hapim derën mjaft të tronditur shohim, kapterin e operativin. Kapteri pa gjendjen tonë ndërhyri menjëherë:
-“Ti Sokol e ti Simon nga sot e tutje do të dilni në apel, apeli bëhet në mëngjes e në darkë, ti Simon do të dalësh vetëm në darkë. Nuk i kisha mbushur të pesëmbëdhjetat e as Sokoli shtatëmbëdhjetë, të dy ishim me pantallona të shkurta vetëm nëna punonte, madje edhe e sëmurë nga zemra, që i mori jetën para kohe. Në darkë aty nga ora tetë bëhej apeli. Në fillim kapteri lexoi emrat e grave, pastaj filloi emrat e burrave. Kur shikoja veten mes atyre burrave e grave më dukej vetja burrë i madh e ndihesha si i vlerësuar, nuk mu desh shumë kohë për të kuptuar rëndësinë e këtij vlerësimi që do të thoshte një hap larg nga burgu. Kur në mëngjes dëgjoja zërin e nënës: “Çohuni se shkoi ora për me dalë në apel!”, apeli nuk ishte ma qejf mes burrash e zonjash , por frikë që të ngjallte tmerr. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur kthehesha nga apeli me lot në sy duke parë burrat që arrestoheshin e me duart e lidhura mbrapa, drejtoheshin pa asnjë faj drejt burgut, duke lënë nënat pa djemtë, gratë pa burra e fëmijët pa baballarë. Akuzat, agjitacion e propagandë në shumicën e rasteve, akuza të sajuara që merrnin jetë njerëzish të pafajshëm. Nga kjo pasiguri e ky tmerr shpëtuam në korrik të 1989, kur u liruam. Gjatë kësaj periudhe po sjell ndërmend ata burra që ishin në apel e u arrestuan në Savër: Ahmet Kolgjini 16 vjeç, Haxhi Agalliu, Rexhep Hoxha, Ylli Tabaku, Sinan Hajdari, Vasil Kokali, Llambi Plasoti, Dheodhor Fili, Loli Mavro, Stefan Pollo, Zydi Kasa, Emëror Koleci arrestuar për të dytën herë, Shanisha Dosti, Seit Taho, Musa Sina për të dytën herë, Nikoll Mernaci, Elez Hoxha, Spiro e Kostandin Gjoka, Avdulla Nela, Fran Tina, Agim Poda dhe një 17 vjeçare. Këta janë emrat e të arrestuarve vetëm në kampin e internimit Savër, i kujtoj me shumë respekt, disa prej tyre janë larguar nga kjo jetë pa shijuar lirinë e ëndërruar prej tyre. Ndërsa në kampin e internimit Gjazë ku ne shkuam në 6 shkurt të 1969 u arrestuan: Zenel Daci për të dytën herë, Dom. Mikel Koliqi për të dytën herë, Ded Gjon Markagjoni për të tretën herë, Hajredin Nasufi.
Ne kampin e Gradishtit, u arrestuan: Fatbardh Kupi për të dytën herë, Lek Mirakaj, Mojsi Mirakaj, Naim Staravecka, Qemal Dema për të dytën herë, Medi Bylykbashi, Gezim Bylykbashi.
Në kampin Grabjan u arrestuan: Tefta Tasi, Besa Dume, Medi Celiku. Në kampin Çermë u arrestuan: Ahmet Kolgjini për të dytën herë, Eqerem Muja, Fatmir Muja,Shefqet Dobra. Në kampin Plug: Kurt Kola për të dytën herë, Evgjen Merlika, Njazi Veshi. Ka edhe emra të tjerë që nuk më kujtohen, sinqerisht iu kërkoj ndjesë. Këto që rendita më lart janë arrestime vetëm në kampet e internimit të rrethit të Lushnjës
Sigal