Paparaci/ Ismail Xhaferi: Monumenti i tradhtisë

18
Sigal

Vargje satirike nga Ismail Xhaferi

Në Tiranën tonë

shumë çudira kemi:

Monument ka Zogu

dhe Avni Rustemi

Monumenti i Zogut

përballë Skënderbeut

se i dhuroi Serbit

pjesë nga të atdheut.

Pjesë nga të atdheut

shiti ky kodosh;

perlën Shën Naumi,

tokën në Verrmosh.

Vetëm mbreti ynë

me kokë në Serbi

Atdheun e shiti,

si një pronë të tij!

Si në pronë të babes,

ç’nuk bëri qafiri!

Jashtë Atdheut mëmë

mbeti Manastiri.

Bëri e ç’nuk bëri

mbreti ynë nga Mati,

ndaj qysh atëherë

e quajnë satrapi.

Bëri e ç’nuk bëri

mbreti ynë i parë:

Vrau patriot,

vrau luftëtarë.

Se në kohë të tij

fjalën e kish huri,

dhe Nolin e madh

këtej e përzuri.

E përzuri Nolin

dhe kurrë nuk ndali,

se vetë ishte mizë,

ndërsa Noli mali

Për Nolin urdhëroi

vdekje në mungesë.

Po Noli qe det

që kurrë nuk vdes

Vrau Avni Rustemin;

ajkë të djalërisë.

Shqipërinë e ktheu

vartëse të Serbisë.

Veç për fron e tij

mendoi ditë e natë,

ndaj e la Kosovën

në lëngatë të gjatë.

Zogu vetëm Zogu,

si një korb i natës,

se në dej i rridhte

gjaku Esat Pashës.

Zogu mbret i hurit

edhe i litarit,

se në dej i rridhte

gjaku tradhëtarit.

Me zogun në krye

fati kurrë s’na ndriti,

se vendi drejtohej

nga serbi Pashiqi.

Zogu që themel

kishte tradhëtinë:

Vrau Hasan Prishtinën,

vrau dhe Avninë.

Zogu vetëm Zogu,

që njihte mirë hurin:

Vrau Gurakuqin,

vrau Bajram Currin.

Kur erdhi fashizmi

Thasët plot i ngjeshi

La Atdheun të mjerë

Dhe opingat veshi.

Ndonëse ballë fashizmit

Atdheu gremisej.

Binte Ulqinaku

Zogu arratisej.

Mbreti ynë ikte

Larg në arrati

Dhe merrte me vete

turp edhe flori.

Në Tiranën tonë

mjaft çudira kemi

Një monument Zogu,

një Avni Rustemi.

Bustet e heronjve

rezatojnë lavdi,

ndërsa Ahmet Zogu

veç zi e më zii…