Luan Rama: Një nudo në Apolloni apo konkurimi i bukurisë?

66
Sigal

Shpejt, „Shtëpia e Frëngut“ në kodrën e Apollonisë ishte bërë një vend i këndshëm për të gjithë vizitorët e huaj, diplomatët, gazetarët dhe apasionuesit e qytetërimeve antike. Është periudha e viteve 1924-1938… Në koleksionin fotografik të Rey-it, ndesh shpesh përfaqësues të trupit diplomatik, si ministrin fuqiplotë të Amerikës në Tiranë, të Italisë, atë të Anglisë, të interesuar për naftën apo minierat e qymyrit e të bitumit, e shumë të tjerë, veçanërisht etnografë apo gazetarë, siç ishte gazetarja e habitshme Paule de Fercoq (ajo mbi një kalë që kapërcente urat e vjetra të veriut shqiptar përgjatë 8 muajve), amerikania Rose Lane, e shumë të tjerë, të cilët, nga kryeqyteti shqiptar merrnin rrugën drejt Apollonisë për të kaluar në shoqërinë e këndshme të arkeologut francez Léon Rey dhe atmosferën e gërmimeve, një fund-jave të këndshëm. Por ja që në „Shtëpinë e Frëngut“, ndodhte të zbarkonin dhe zonjushe të hijshme. «Shtëpia ime e re, ishte ndërtuar për nevojat e ekipit arkeologjik dhe jo për pritjen e zonjushave të dëshpëruara, – shkruante Rey në kujtimet e tij. – Çdo të mendonin anëtarët e nderuar të Akademisë së Mbishkrimeve dhe Letrave të Bukura, po të mësonin se Lucette ishte personazhi i parë i huaj që strehohej në këtë shtëpi të Misionit Arkeologjik? Mendoj se ata do të tmerroheshin dhe tronditeshin thellësisht po të dinin se ajo vajzë, pasi kishte larë me kujdes të mbathurat, i kishte nderur për t’i tharë ato mbi kordonin që zgjatej nga shtëpia jonë tek shtylla ku valëvitej flamuri ynë tringjyrësh dhe ai shqiptar me shkabën me dy krerë. Por megjithatë, kjo mund t’i dukej gjëja më natyrale e botës, po të pranosh se arkeologët, për nga vetë natyra e tyre, kanë dobësi për t’iu përkushtuar bukurisë klasike dhe se zonjusha mund të pretendonte gjithashtu se mund të konkuronte me hyjnitë e bukurisë, si ato të skulpturave të krijuara nga Fidias, apo mjeshtër të tjerë të botës antike greke». Në atë kohë, në ekipin e tij, Rey kishte nevojë për një epigrafist për deshifrimin e shpejtë të mbishkrimeve, të cilat shpesh ishin të dëmtuara e mezi dukeshin. «Komisioni i Kërkimeve Arkeologjike» në Paris, (La Commission des Fouilles Archéologiques), i kishte zgjedhur një djalosh të ri të quajtur Victor(Viktor). Kështu bashkë me të, ai kishte përshkuar gjithë bregun dalmat për të mbërritur më së fundi në Apolloni. Victori ishte një djalosh i zgjuar, por një njeri i ngathët, për të cilin Rey do të ankohej në kujtimet e tij, sepse edhe për ndërrimin e gomave kur ato çpoheshin gjatë rrugës, ai duhej t’i ndërronte vetë, pasi Victori preferonte më shumë të pinte një birrë, sesa ta ndihmonte në një punë të tillë angarie. Megjithatë, ai ishte i apasionuar pas historisë dhe botës antike.

Po si kishte ndodhur që Lucette të zbarkonte në qytezën antike, që kishte filluar të zgjohej nga gjumi dymijë vjeçar?

Një ditë vere, në një nga baret kryesore të Tiranës, Rey ishte njohur me një grup francezësh, mes të cilëve dhe një vajzë të bukur, e cila kishte ardhur nga Aleksandria dhe tani ishte angazhuar në një nga kabaretë e qytetit, që ishte dhe „maison close“, apo „shtëpi publike“. Pranë saj, ishte Zoti Blake, një burrë bukurosh, një anglez që jepte lëndën e anglishtes në shkollën e Mesme Teknike të Tiranës, që e drejtonte Harry Fulc. Lucette ishte padyshim një personazh interesant, me të cilën do të krijonte një afinitet, veçanërisht kur ajo do të vinte në Apolloni. Historinë interesante rreth saj, ai do ta shkruante pothuaj njëzet vjet më vonë, në Paris në dorëshkrimin që kam përkthyer Hyjnitë kanë të drejtë, të botuar së fundi nga „Dituria“. «Ajo kishte sytë e një egjiptianeje, në formë bajame dhe një mjekër të lezetshme, – shkruante Rey në këtë dorëshkrim. – Buzët i kishte të vogla dhe flokët ngjyrë kafe, të cilat rreth qafës i bëheshin kaçurel. Kishte këmbë të gjata e të holla, me një gjoks të ngritur që i shfaqej nga bluza e saj dhe mbante një fund mjaft tërheqës. Zonja Pauline, merrej me rekrutimin e vajzave për kabaretë dhe klubet e natës. Ajo e kishte rekrutuar atë në jug të Francës, në Côte d’Azur, diku midis Antibës dhe Monte Carlos. Përmes saj, shpejt Lucette e gjeti veten të angazhuar me trupën «Tabarin» dhe më pas në shfaqjet e trupës «Concert Mayol», ku ajo kishte rolin e një skllaveje rumune. Ishte një shfaqje e mrekullueshme që u ndalua nga policia.

Ajo shkoi kështu në Egjipt dhe që andej u gjet në Tiranë. Kabareja në Tiranë ishte një kafe e zymtë, përgjatë bulevardit Zogu i I. Klientët e shpeshtë ishin aty ushtarë dhe djem të shtresave popullore. Kur shkoi atje, ajo pati një ndjenjë frike, pasi të gjithë ata të rinj i ngjiteshin nga pas. Lumturisht që ajo u lidh me zotin Blake, një profesor të anglishtes në shkollën amerikane. Ishte një njeri mjaft i sjellshëm dhe nga simpatia për francezen, ai arriti ta prishë kontratën e Lucette-s me pronarin e kabaresë, duke paguar një shumë të hollash dhe duke e vendosur Lucette-n në një banesë të vogël jo larg shkollës amerikane. Ata takoheshin shpesh atje dhe gjithçka shkonte mirë, gjersa një ditë, drejtori e thirri atë dhe i tha se kështu s’mund të vazhdonte më, pasi ky ishte një skandal i vërtetë. Po të vazhdonte të takohej me të, ai ishte i detyruar ta hiqte nga puna. Atëherë Blake i shkroi „Bishopit“ të Beratit që ta ndihmonte të martohej me të diku në një kishë të vogël. Ai kishte dëgjuar për një kishë të Fierit që ishte i përshtatshëm për një ceremoni të tillë. Bishopi i ktheu përgjigje se ishte dakort dhe se madje do të vinte vetë ta bënte kurorëzimin e tyre»…  Në një faqe të dorëshkrimit në Paris, në shtëpinë e birit të Léon Rey-it,më kishte bërë përshtypje që Rey kishte ngjitur dy fotografi të Lucette-s në ato letra të zverdhura nga koha, ku shquhej Lucette, e cila duhej t’i kishtem mbushur 25 vjeç. Ajo kishte vërtet sy të bukur, por vështrimi i saj në atë fotografi kishte një lloj trishtimi të fshehur. Kishte dalë në portën e kabaresë tiranase, ku në sfond, shquheshin fytyrat e nja pesë-gjashtë të rinjve, të cilët, të ulur, shikonin nga ajo me kërshëri sikur të donin ta përpinin. Dukej vërtet një yll që kishte zbritur në Tiranë në mesin e viteve 30’. Por ajo nuk e dinte se si franceze nuk ishte e vetme. Një tjetër franceze, po një balerinë, e trupës së „Folies Bergères“ të Parisit, ishte në atë kohë në Shqipëri: Tania Visarova, një bukuroshe moldave e lindur në Rusi dhe rritur në Paris, e cila e kishte lënë trupën e saj të spektaklit në Paris dhe kishte zbarkuar në Shqipëri me kërkesë të mbretit Zog. Dhe mbreti ishte dashuruar pas saj, por në syrin vigjilent të Nënës Mbretëreshë, kjo lidhje duhej prishur, dhe sa më parë. „Mbrëmja jonë ishte shumë e gëzuar, – përshkruan ai ardhjen e Lucette-s në Apolloni, – por atmosfera u bë edhe më entusiazte kur dy shishe shampanjë u shfaqën mbi tavolinën tonë. Lucette më tha se sapo kishte zbritur nga autobuzi në Fier, ajo kishte kërkuar rrugën për në Apolloni.Njerëzit i kishin thënë të shkonte tek Jani, i cili mund t’i jepte informacionin e duhur. Jani mori një karrocë me dy kuaj për ta sjellë tek unë në Apolloni. Por kuajt e lodhur ndaluan më pas dhe nuk donin të lëviznin më tutje. «Për çdo urgjencë kisha ca copa sheqeri me vete, – më tha ajo. –

Mendoja se kuajt do të ishin të kënaqur dhe do t‘u pëlqenin sheqeret, por ata as që i përfillën ato dhe i kthyen kokat nga ana tjetër. E ç’mund të bëja? I ofrova një bakshish karrocierit, i cili i dha ca para dikujt që të më çonte hipur mbi një gomar»… Ajo më tregoi shumë histori për trupën «Tabarin» dhe nxorri nga çanta një foto të saj, ku dukej e veshur me një fustan të thjeshtë dhe tepër të hollë. – «Ky është Dik-u! Një djalë i mrekullueshëm, – më tha ajo. – Kur kërceja në kabare, ai ishte si një ëngjëll. E dua shumë.  Shfaqja e Lucette-s në Apolloni kishte lënë gjurmë të mëdha në shpirtin e Rey-it, i cili padyshim e pëlqente shoqërinë e femrave të bukura. Aq më tepër kur ato u ngjanin skulpturave romake, Venusit, apo të dashurave të Praksitelit. Në atë vënd të humbur, Rey jetonte me mijëvjeçarë të tjerë, mes „banorësh“ të tjerë, të gurtë, që i shfaqeshin në sipërfaqen e tokës. Po kështu, shfaqja e Lucette-s i kishte dhënë një lloj romantizmi. Si të thuash, hyjnitë dërgonin kështu mesazherët e tyre. „Victori rrinte i tërhequr dhe vështronte Lucette-n. Para se të shkonim të flinim, ne u puthëm me njëri-tjetrin. Lucette tha se do të martohej me zotin Blake, i cili nuk erdhi atë ditë. Ja pse ajo ndenji me ne gjatë gjithë asaj jave. Përgjatë atyre ditëve, Victor nuk u morr fare me punë, por u kujdes vetëm për Lucette-n. Ai filloi t’i jepte asaj nocionet e para të arkitekturës, mbi rrënojat antike, etj. Shkuam dhe në manastir. Priftit i dhamë konjak grek dhe kafe. Bishopi kishte shkuar të rregullonte kishën që të ishte gati për martesën. Victor, i cili dinte disa fjalë shqip, i tha priftit se Lucette ishte një yll i Hollivudit, por prifti s’dinte se nga binte Hollivudi dhe s’mund ta konceptonte se si mund të ishte një «yll». Aq më tepër që kishte dhe dyshime për rangun e saj. Kur ata u larguan, ai u fal duke u përkulur tri herë. Tek harku i hyrjes së kishës, kishte një mozaik që paraqiste Andronic II Paleologos dhe familjen e tij. Ai e kishte ndërtuar këtë kishë kur kishte qenë perandori i Konstantinopojës.

 

Dukej i ri dhe i zgjuar. Kishte një kurorë dhe fytyra e rrobat e tij ishin praruar me perla e flori. Lucette tha se ai duhej të kishte qënë një burrë tepër i pasur dhe e pyeti Victor-in nëse kishte patur perla japoneze në atë kohë. Por Victori tha se nuk dinte gjë rreth kësaj. Për të, historia mbaronte me perandorinë romake. Pas darke e kishim zakon të shkonim poshtë ullinjve dhe të qëndronim atje një kohë të gjatë. Ai e mbante Lucette-n në gjunjët e tij dhe nganjëherë i puthte krahët. Kjo gjëndje e bënte gjithçka poetike. – “Do të më kishte pëlqyer të shihja veten time një shekull më parë, – tha Lucette, – njëlloj sikur Apollonia të ishte toka ime, vëndi im”. “Ajo e besonte Victor-in dhe një natë ne shkuam në një pllakë të madhe e të sheshtë prej mermeri, dhe atje ajo filloi të luante sikur të ishte e drejtuar nga një shpirt misterioz. Ajo kishte hequr bizhamet dhe të mbathurat dhe ishte shfaqur para nesh lakuriq. Kur qëndroi palëvizur, dukej njëlloj si një statujë e mrekullueshme. Trupi i saj i bukur u rrotullua rreth kolonës antike si një dredhëz. – Sa shumë ndjej tani! – bërtiti Victori, – Bota antike po më hapet përpara! – Vertet? – i tha Lucette, – është një kompliment i këndshëm nga ana juaj. Victor ishte në një gjëndje ekstaze dhe sapo u ngjit për të fjetur, më tha se ajo çka ai ndjente për Lucette-n ishte një diçka më shumë se një ndjenjë dashurie: një dashuri që të digjte dhe të konsumonte brënda vetes. – Rrini i qetë – i thashë. – Më duket se të ka rënë dielli në kokë! Të nesërmen, kur doli dielli, në të njëjtin vënd, Lucette e përsëriti po atë vallëzim dhe Victori e fotografoi me aparatin e tij 35 mm. – Sa keq! – tha ai, – nuk i kam marrë me vete filmat e tjerë.  E vetmja gjë që i kërkoi ajo ishte që të mos i tregonte për këtë Blake-ut kur të vinte. Ai ishte xheloz dhe do të ishte më mirë të mos flitej rreth kësaj”. Shtëpia e “Frengut” përjetonte atë kohë trazimin e shpirtrave. Arkeologu tashmë kishte vite që zbarkonte vetëm në Shqipëri, me makinën e tij “Panhard” të mbiquajtur “Miss Albania” dhe që habiste kalimtarët nëpër rrugët e bregut dalmat me atë titull: “Miss Albania”. Padyshim një influencë amerikane, që kishte përshkuar vendin e galëve dhe që tashmë ndalonte në brigjet shqiptare për aventura të reja. Në pamje të parë, Shqipëria dukej një vend i prapambetur, oriental ende, por jo, një inteligjencë e re shfaqej, duke tërhequr pas dhe imazhin e bordellove shqiptare. “Siç ishte parashikuar, martesa u kurorëzua të shtunën. Zoti Blake erdhi herët në mëngjes me një makinë “Chevrolet” që e kishte blerë disa ditë më parë. Bishopi kishte dërguar një mesazh se nuk e linte dot qëndrën dhe se prifti i Pojanit do të kishte të gjithë fuqitë për të bërë kurorëzimin. Zozi na çoi te kisha, ku ai kishte sjellë karriget më të mira nga manastiri si dhe qilimin. Ai i ra kaq shumë këmbanave, saqë njerëzit kujtuan se kishte ndodhur ndonjë hata. Kështu,njerëzit erdhën të shihnin se ç’po ndodhte. Për herë të parë që kur kishim ardhur, Victori vuri kollare. Tonia më tha të vishja një palë pantallona të gjata dhe jo të shkurtërat që mbaja zakonisht. Blake ngjante si një oficer anglez, ndërsa Lucette mbante një kapele të bardhë që e kishte sajuar vetë. Nuk kishte as buqetë lulesh në duar dhe as ndonjë lule portokalli mbi flokë, por vetëm trëndafilë në çdo anë të kokës. Në kishë, ceremonia ishte e shkurtër dhe e thjeshtë. Kur u hap dera, nuk kishte organo që të luante një muzikë të gëzueshme. Me mbarimin e ceremonisë, të gjithë u kthyem në shtëpi dhe si burri,edhe gruaja, kaluan nga porta me harkun e kishës dhe pastaj kapërcyen atë të Akropolit, ku Victor i fotografoi me aparatin e tij. Më pas, sigurisht, patëm një drekë të këndëshme dhe unë ngrita një dolli për të sapo martuarit. Ata e lanë Apolloninë nga pasditja dhe kur makina u largua, zoti Blake hoqi kapelen në mënyrë ceremoniale për të na përshëndetur, ndërsa Lucette na dërgoi nga një të puthur. I përshëndeta me dorë. Më vonë na dërguan një kartolinë nga Athina. Victor mori dhe një kartë të veçantë me kërcimtaret e famshëm të Akropolit. Largimi i saj ishte për të si një sëmundje e vërtetë, por në sajë të punës me mbishkrimet e Bouleterion-it, në më pak se një muaj, ai e harroi atë brënda atij muaji, ashtu siç kishte harruar dhe birrën e Zagrebit që e pëlqente aq shumë. Por mysafiri ynë më kishte sjellë një shans të mirë. Ne gjetën shumë statuja dhe terrakota si dhe objekte të tjera të vyera antike”. Që nga ajo ditë, Rey nuk e pa Lucette-n e bukur, edhe pse bukuroshe të tjera do të zbarkonin në shtëpinë e “Frëngut”, por asnjëra prej tyre nuk do guxonte të konkuronte bukuritë e mermerta. Aventura arkeologjike e Rey-it vazhdonte. Gjetjet ishin të mrekullueshme. Në vitin 1939 Shqipëria u pushtua nga ushtritë musoliniane. Italianët nuk e pranuan arkeologun francez që të vazhdonte kërkimet e tij arkeologjike. Por edhe pas çlirimit të Shqipërisë, kur Rey më së fundi zbarkoi me shpresë që të fillonte kërkimet, përsëri e kthyen direkt nga aeroporti drejt Parisit. Një fluturim rokambolesk. Trishtimi i arkeologut ishte i madh… Në vitin 1952, kur po vazhdonte studimet mbi Marie-Antoinette, një mbrëmje, duke biseduar me zonjën Mandel, një amerikane mondane e shoqatës “Miqtë e Versailles”, artiste dhe një personazh i habitshëm, ai i premtoi se historitë rreth Shqipërisë që i tregonte herë pas here do t’i shkruante në një libër më vete. Dhe kështu ai u ul t’i shkruante. Kësaj rradhe shkruante letërsi, por një letërsi dokumentare, bazuar në ngjarje të vërteta, të jetuara, me njerëz realë. Zonja Mendel ishte e këndshme dhe me të shpesh kuvendonin në anglisht. Madje dhe librin që po e shkruante si të thuash për të, po e shkruante drejtpërdrejt në anglisht. Ishin histori të këndëshme, që zonjën Mendel e çudisnin gjithnjë, duke lëshuar ca pasthirrma të habitshme. Padyshim një botë e panjohur për të. Një ditë ai kujtoi gjatë historinë e bukuroshes Lucette, asaj balerine, që kishte takuar në Shqipëri. Ai i ruante ende ato fotografi që kishte bërë me të në kolonat antike të Apollonisë… Por mjerisht, një dekadë më pas, ajo kishte përjetuar një tragjedi të vërtetë. Për shumë kohë Rey kishte mbetur pa asnjë lajm rreth Lucette-s deri sa një ditë, pas luftës, ai e ndeshi rastësisht në metro. “Ajo dukej shumë e lumtur që më takoi dhe ne e përshëndetëm njëri-tjetrin me zë aq të lartë, sa njerëzit po na shihnin me habi”. Rey kujtonte shpesh atë figurë simpatike që atë çast që e kishte takuar vinte era parfum, të veshur këndshëm, me një robë të thjeshtë, me një beretë dhe një karficë në kokë. Kur ajo kishte hequr dorashkat, ai kishte pikasur thonjtë e gishtave të saj të lyera me të kuq.… – Gjatë kohës që prisnim trenin, ajo më foli në një mënyrë miqësore dhe më tha se kishte gjetur një punë në lagjen 14, në Rue Rose, jo larg “Sfinksit”. Ishte një Night-Club i quajtur “Scarabé”. Ajo punonte aty zakonisht çdo natë gjer në orën 3 të mëngjesit. Më tha që ta takoja sa më parë atje dhe se do të kënaqej shumë po të takoheshim. U ndamë te dera e stacionit. E pashë atë tek vraponte duke ngjitur shkallët në drejtim të Lilas dhe m’u kujtua sesi ajo hidhej me aq lehtësi nëpër rrënojat antike kur ishte mikja ime në Shqipëri. “Scarabé” ku punonte Lucette ishte një kabare shumë e veçantë e Montparnasse-it, ku shumica e klientëve ishin vajza e gra të vetmuara që kishin zakon të kërcenin së bashku. Disa prej tyre vishnin pantallona, vinin kollare, dhe flokët i prisnin të shkurtra si djemtë….” Dhe një ditë, kurioz, ashtu siç e kishin lënë, ai u shfaq në kabare. Vajzat dhe gratë ashtu si dhe Lucette me zonjën Leopold, kërcenin dhe shtrëngoheshin pas partnereve të tyre. Të vetmit burra atje, ishin pesë japonezë të vegjël, të ulur rresht në një stol, “njëlloj si dallëndyshet”, siç kujtonte ai, si dhe një turist suedez me gruan e tij të re. «-Tungjatjeta! – më tha. – Sa e gëzuar jam që të shoh përsëri. E gjete lehtë këtë vënd ?Doja t’i blija asaj një shishe shampanje, por ajo refuzoi dhe porositi thjesht dy lëngje mente të përziera me limonatë. Dukej e lumtur dhe plot jetë. Më tha se një vit pas martesës në Shqipëri ishte divorcuar. – Blake nuk ishte një djalë zëmër-keq, por ishte tepër xheloz, saqë jeta me të ishte bërë e pamundur“… Tani punonte për zonjën Leopold dhe jetonte me të në një dhomë të vogël. Por zonja Leopold ishte më xheloze se Blake…” Atë mbrëmje, ajo i kishte kërkuar t’i fliste për Apolloninë, dhe “kuotën 104”, apo “kodrën e shenjtë” siç e quante ai. E kishte pyetur për ciganen Tonia, shërbyesen e tij besnike,Victor-in, igumenin e manastirit. Po ç’ti tregonte Rey, kur që prej shumë e shumë vitesh ai s’kishte vënë më këmbën në Apolloni?  – Pas një jave, u riktheva në rrugën Rose, i kënaqur me idenë e një bisede të këndshme me Lucette-n në Louvre, por kabareja e vogël ishte mbyllur. Prita gjatë në rrugë me idenë se ishte tepër herët. Në bulevardin pranë, portieri i «Sfinks»-it, ecte poshtë e lart dhe unë e pyeta se përse «Scarabé» nuk ishte hapur. Ai më tha se zonja Leopod kishte patur probleme me një inspektor policie, lidhur me trafikun e kokainës dhe se zonjën e kishin futur në birucë. E pyeta gjithashtu për Lucette-n, e cila ishte një mike intime e zonjës Leopold. – Ah, po, – tha djaloshi, – lezbikja e zgjuar… Ajo priti gjithë ditën dhe kur mori vesh se zonja Leopold ishte arrestuar u hodh në rrotat e një kamioni. Njerëzit më thanë se vdiq në ambulancë, tek po e çonin në spital. Ishte një vajzë e këndshme dhe të gjithë e donin »…