Arjana Fetahu Gaba: Gjithmonë të kam thënë lamtumirë

40
Sigal

 

 

Një shi i rrëmbyer litarë litarë,

për dreq s’po ndal që nuk po ndal!

Megjithatë nuk është ky shkaku,

që unë në rrugë s’dua të dal.

 

Kam qejf të rri në folenë time,

dhe prap s’po bëj rehat.

Kam një gërryerje si acidi,

këto kohë thellë në stomak.

 

Dhe nuk më bëhet të shikoj,

vetveten në pasqyrë.

Në tru ca zëra më gumëzhijnë,

nga ky ambient i ndyrë.

 

Një lloj mërzitje ndjej më shpesh,

(Asnjë mërzitje s’është pa shkak ).

Me paradoksët jam në luftë,

t’i djeg në një oxhak.

 

Por kjo e sotmja qënka ndryshe,

diçka ti vrave, vrave dje,

dhe pse qëndroj me këmbë mbi tokë,

shpirtin e kam nën dhe.

 

Sa herë të kam thënë lamtumirë,

më shumë të kam dashuruar,

po kurrë s’kam dashur të besoj,

se sa herë veten kam mashtruar.

 

 

 

Po kthehem Atdhe!

Po kthehem tek ti Atdhe,

si fëmijë i lumtur shoh malluar,

dritaren e avjonit prek,

sikur të kam në duar.

 

Oh ti toka e vendit tim,

Oh i shtrenjti Atdhe,

e ndiej që po më priten gjunjtë,

e zemra fort si zog po m’rreh.

 

S’ngopem dot me aromën tënde!

Si mund te vdisja pa të të parë,

vitet i endur nëpër botë,

me lot fëmije i kam larë.

 

Një pjesë të shpirtit unë lashë,

tek ti si gjurmë i shtrenjti Atdhe!

Po vij nga kilometra larg,

por frikë kam a po më njeh?

 

Kush më beson sa jam malluar?!

Atdheu s’kërkohet nëpër botë!

Ngado të shkosh, të bëhesh mbret,

do kthehesh prap, po tek kjo tokë.

 

Tek toka ime ku hodha shtat,

ku qumshti i nënës m’u bë hallall,

të flas shqip, e të më ndjejnë,

e t’më shohin që jam gjallë.

 

Të qaj, të qesh, të marr një valle,

me rradhë të gjithë t’i përqafoj,

i shtrenjti im me kaq shumë halle,

si kjo ditë s’ka kurrë njësoj.