Dëshiroj të falenderoj botuesin e Argeta LMG, z. Mehmet Gëzhilli, të cilit asnjëherë nuk i mungon dhe i shteron energjia dhe dëshira për të bërë gjëra të bukura dhe të goditura e të veçanta.
Sot është 247 vjetori i Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një ditë e madhe për kombin amerikan e natyrisht edhe për kombin e vogël shqiptar, i cili me zemër dhe shpirt feston këtë ditë dhe i uron atij një të ardhme edhe më të bukur.
Pikërisht ndodhet në Shqipëri një nga Presidentët më të dashur për kombin shqiptar, Presidenti Bill Klinton, Presidenti, i cili mori drejtimin e Shteteve të Bashkuara në periudhën më të vështirë të zhvillimit të marrëdhënieve ndërkombëtare, në periudhën pas rënies së Murit të Berlinit, në ato vite kur mbarë bota kishte më së shumti nevojë për një lidership të përgjegjshëm dhe të devotshëm për liri, demokraci e drejtësi.
Pikërisht, Presidenti Klinton i dha kuptim konceptit të fjalës liri, kësaj të drejte të pamohueshme të njeriut, si një e drejtë e pamohueshme për të gjithë njerëzit pa dallim, e sanksionuar më 4 korrik 1776, duke ndërhyrë me forcën e të drejtës dhe me të drejtën e forcës në Luftën e Kosovës në vitin 1999, për t’i dhënë kombit shqiptar atë që historia ja kishte mohuar prej shekujsh.
Është shumë emocionuese të flasësh për këtë President të madh. Unë kam pasur fatin ta takoj në dy momente. Herën e parë në 9 maj 1995, në Moskë, në festimet e 50 vjetorit të fitores ndaj fashizmit dhe përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe në Sarajevë më 30 korrik 1999 në Samitin e Paktit të Stabilitetit, i cili hodhi themelet e rindërtimit politik dhe ekonomik të vendeve të Evropës Juglindore, veçanërisht Kosovës.
Por Argeta LMG ka sjellë në shqip, si gjithmonë, me shumë kurajë dhe zgjuarsi dy botime të jashtëzakonshme, që lidhen me Presidentin Klinton. Të dy botimet janë nga më të shiturit në botë dhe në mënyrë shumë imagjinare, në një stil jashtëzakonisht të veçantë, tepër bashkëkohor dhe lehtësisht të pranueshëm nga lexuesi amerikan dhe jo vetëm, duket sikur na bind se Presidenti është zhdukur vërtet dhe se vajza e tij është rrëmbyer.
Klinton dhe James Patterson tregojnë, në versionin imagjinar, jetën e presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe sfidat me të cilat ai duhet të përballet, gjykimet dhe vendimet që ai duhet të marrë, impaktin e tyre kombëtar dhe ndërkombëtar dhe pasojat. Ata mjeshtërisht zbardhin ekuilibrin mes një burri shteti dhe një prindi të përkushtuar, raportit mes detyrës dhe dashurisë prindërore, dilemën e madhe mes shtetarit dhe babait, dhe qartë e me një gjuhë të thjeshtë i sjellin lexuesit një të vërtetë ndryshe nga ajo që ai mendon për një president kaq të fuqishëm.

Ndonëse veprat janë një pjellë e fantazisë krijuese, realisht duket se jemi dëshmitarë të një beteje të ashpër mes dy botësh dhe mendësish, botës demokratike dhe botës së krimit, mendësisë së zhvillimit dhe mirëqënies përballë asaj të regresit, kthimit në kohët më të errëta të njerëzimit.
Në qendër të kësaj lufte, për jetë a vdekje, qendron Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili është protagonisti kryesor dhe përshkruesi i detajuar i këtij trilli, i cili të rrëmben ta lexosh me një frymë.

Të dyja veprat janë një përshkrim i detajuar i luftës për pushtet, i intrigave, hipokrizive, tradhëtive, bëmave, rreziqeve dhe guximit dhe vendosmërisë për të marrë vendimin e duhur, në kohën e duhur nga ai burrë shteti, i cili sot ndodhet në Tiranë, për të na përshëndetur dhe për të treguar se ai mbetet një mik shumë i shtrenjtë i kombit shqiptar.
Faleminderit botuesit të Argeta LMG, z. Mehmet Gëzhilli, që pasuroi kolanën e librave shqip me këto romane shumë të vyera, në kohën e duhur, edhe si një mirënjohje për Presidentin Klinton, në këtë ditë të veçantë.
Ju faleminderit të gjithëve!




















