Xhevdet ZEKAJ/Dhuna në futboll… Po ai që vodhi a ka faj?

518
Sigal

Kavaja e Gramshi nuk janë asgjë serioze, përballë skandalit të trukimeve dhe degjenerimit total të ndeshjeve

Nuk kanë fund skandalet në futbollin shqiptar, rastet e fundit e kanë kaluar masën, ato nuk kanë justifikim për presidentët e futbollit të Gramshit e Kavajës, por FSHF-ja, arbitrat, vëzhguesit, delegatët, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, komisionet e (pa)varura, në fakt të lidhura, të varura, të kthyer në manekinë  e zë të shefit sa e kanë fajin e përgjegjësinë?

 Dhuna e ka një emër: degjenerim total juridik; statuor; trukues, drejtues, mafioz me dy standarde nga kupola e futbollit në qendër dhe disa gangsterë futbolli, që e kanë lidhur këmbë e duar FSHF-në, për mos të thënë tashmë e komandojnë atë dhe ata e kanë kaluar trukimin.

  Kavaja e Gramshi nuk janë asgjë serioze, përballë skandalit të trukimeve dhe degjenerimit total të ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë me viktimë: “Flamurtarin” dhe, kur them Flamurtarin, kam parasysh një personalitet publik, politik, sportdashës, e potencial intelektual, arsimor, patriot e trim si Shpëtim Gjika, dhe kur ai dorëzohet përballë mafies të trukimit hajde fol pastaj për…

  Gramshi e Kavaja janë kurbanët që futbolli i xhaketave të zeza i servir politikës, për ti thënë asaj: Ne jemi të trukuar, por dimë t’ju shërbejmë edhe ty politikë! I godisni anëtarët tanë, sepse nuk na duhen më, kështu u shërbejmë juve dhe njëherazi largojmë vëmendjen nga gjitha ato skandale që kanë mbytur futbollin.

  Dhe të gjitha mediat e spostuan fokusin e tyre nga politika, që mbush përditë ekranet dhe faqet e para të gazetave, në incidentin e ndodhur në Kavajë, në pushimin mes dy pjesëve të ndeshjes Besa-Tirana. “Kryebashkiaku Roshi godet trajnerin Nevil Dede, kërcënon lojtarët bardheblu”. Ky është lajmi, që ngjan me një “fotokopje” të simotrës ngjarje të një dite më parë, ndodhur në Gramsh. Veçse atje kryebashkiaku nuk përdor grushtet, apo kërcënimet, por i hip makinës si mbi tank dhe shkatërron dyert e stadiumit në tentativë për t’i larë hesapet me arbitrin. Reagimet janë të shumta, nga të gjitha palët e përfshira në këto incidente, por vetëm FSHF-ja hesht. Policia shoqëron kryebashkiakët në komisariate, ndërkohë që futbolli shqiptar prodhon skandalin e radhës. Por, meqë nuk është e re që në stadiumet tona dhuna bëhet e pranishme, qoftë verbale nga sharjet “me libër shtëpie”, e deri tek ato më të dhunshmet, që degjenerojnë në përplasje fizike, impakti i saj publik zgjat vetëm tri ditë. Fakti është se u bënë kaq vite që kjo gjendje vazhdon dhe nuk ndryshon. Arbritrat në veçanti janë shënjestra e kësaj dhune që vjen si nga lojtarët në fushë dhe stafi i ekipeve të tyre, po ashtu dhe nga tifozëritë përkatëse, ndërsa së fundi, sidomos në prag fushatash elektorale, në skenë dalin edhe deputetët, kryebashkiakët, ata me kollare. Pas këtyre ngjarjeve të shëmtuara, të përsëritura deri në banalitet, pyetja që shtrojmë është: Cili është misioni i futbollit në Shqipëri? A mund t’i quajmë ende “sport” këto akte dhune shtazarake? Çfarë masash duhen marrë? Ju kujtohet çfarë i ndodhi një emri të madh si Sulejman Mema në Burrel, që përfundoi në koma. Çfarë ta quajmë atë dhunë, përveçse një akt barbar, kafshëror, i kryer nga njerëz për të cilët burgu do të ishte më e pakta. Sporti është një aktivitet social dhe kulturor që përfshin në të emocione, shprehje të individualitetit, edukim dhe në shoqëritë e civilizuara është një ambasador i mirëkuptimit midis ekipeve (individëve) që ndeshen dhe i vlerave të klubeve (apo shteteve). Futbolli, si sporti më popullor në botë, mbi të gjitha ka një etikë të tijën specifike, ku përveçse raportit fizik me trupin që ka çdo sportist, ai ka gjithashtu një raport social me kundërshtarin, me arbitrin, me mbështetësit e tij dhe me shoqërinë në përgjithësi.

  Po u rikthehem pyetjeve të mëparshme: në morine e rasteve të dhunës, si është e mundur që forcat e rendit janë të pranishme në stadiume por nuk reagojnë dot dhe me efikasitet për të mbrojtur një trajner kur po i drejtohet dhomave të zhveshjes? Vëzhguesi apo delegati i federatës përse ngulmon në vazhdimin e lojës? Ndoshta dhuna bën pjesë në këndvështrimin e FSHF-së mbi futbollin. Ndoshta e quan pjesë të lojës. Cili është misioni i futbollit shqiptar, çfarë të mire i sjell ky sport shoqërisë sonë? Çfarë pretendojnë se shfaqin kryebashkiakët, cilitdo qofshin ata, apo deputetët, në performancat e tyre sportive? Çfarë pretendojnë se përfaqësojnë këta njerëz të zgjedhur nga populli? A i duhet shoqërisë shqiptare ky lloj prezantimi kafshëror në fushat e blerta e në stadiume, që s’ka asnjë lloj lidhje me njerëzoren? A i duhet futbollit tonë një federatë e tillë e paaftë dhe e bërë palë me dhunuesit, duke mos reaguar? Dhuna, ç’është e vërteta e për fat të keq buron nga vetë institucionet e futbollit shqiptar, nga federate e deri te klubet, pasi edukimi sportiv ka humbur çdo vlerë njerëzore dhe është fokusuar tek “biznesi” sportiv (shitja e blerja e ndeshjeve, trukimi i tyre). Rregullorja e FSHF-së në të tilla raste ndoshta nuk mjafton. Parlamenti shqiptar duhet të përpilojë dhe të miratojë ligj mbi etikën sportive, që njëherë e mirë kjo mendësi brutalësh të ndryshojë dhe agresorët në futboll të marrin dënime nga më ekzemplarët. Futbolli duhet të jetë për të gjithë, por a shkohet në stadiumet tona me pjesëtarë të familjes për të shijuar një garë të tillë sportive? Çfarë mund të mësojnë fëmijët nga ato britmat çnjerëzore që shajnë me nënë e me prag shtëpie arbitrat, lojtarët apo tifozërinë kundërshtare? Çfarë deformimi psikologjik pëson, qoftë edhe për momentin, kur sheh a mëson se një kryebashkiak dhunon trajnerin kundërshtar, apo e kërcënon me jetë? Thënë më shkoqur, si pasojë e sistemit të kalbur e të korruptuar, me në krye FSHF-në, ne sot kemi një futboll që dhunon e diskriminon gjithçka, ndërsa vlerëson anët më të errëta, më të pista, me perverse njerëzore.

  Policia e tregoi forcën ashtu si me atë vajzën në stadiumin e Fierit. Kaq do të mjaftonte për të kuptuar se edhe ajo tallet me futbollin, me FSHF-në, apo vetë tifozin…

  Dhe në fund dy fjalë për Alban Tafajin, ju keni qenë dhunues dhe i dhunuar i futbollit, keni rrahur me grusht në fushë një lojtar të Dinamos, dhe ju ka goditur në zyrat e FSHF një president futbolli, në të dy rastet fajtori dhe sherrxhiu ishin strukturat e FSHF apo jo? Po për Kavajën e Xhadit u sulët pa mëshirë në konferenca në emër të cilit standard?  Alban në kësi rastesh e vetmja gjë e mirë do të ishte të heshtje, apo ta filloje me një falje që gëzoni kur skuadra juaj humbet me një skuadër të një Bashkie të djathtë, dhe pastaj nderoni me grusht e hidhëroheni e provokoni kur skuadra është  një bashkie të majtë? Dhuna fillon e mbaron tek Kupola e rrugës së Elbasanit, atje ku e kanë bërë baltë, dhe balta e këtij futbolli na ka bërë pis të gjithëve….

 Fotoja që provokoi incidentin. Trajneri i Tiranës, Nevil Dede, duke përshëndetur me grusht tifozët e Besës.