PROFIL/ Në rrëfimin e historisë të karrierës së saj, ish-notarja durrsake kampione dhe rekordmene, zbardh shumë të veçanta. Flet edhe Mjeshtri i Madh, Sadik Mema
Alida Leka “Zhiva” rrëshkitëse e ujit, një rrugëtim kampionësh
Agron KAJA
Duke qënë notare e elitës në notin shqiptar, si e mbani mënd një shkrim apo kronikë sportive që është folur për ju?
Kujtoj shumë kronika dhe shkrime, me shumë simpati për shkrimet e Xhoxhi Vasilit, por edhe në Durrës të gazetarit Bujar Qesja, i cili ka shkruajtur shumë për notin durrsak. Kanë qënë të veçanta të gjitha, të cilat na jepnin shumë kënaqësi.

E keni ndjerrë veten si pjesë e notareve që kanë ditur të notojnë dhe të fitojnë si kampionë?
Patjetër që po, sepse vetë rezultatet që unë kam arritur në karrierë, na veçonin në shoqëri. Gjatë periudhës së karrierës sime, kryesisht kur kam shkuar në Kinë, në Durrës ishim qëndra e vëmëndjes dhe e respektit nga qytetaria durrsake.
Kur ka nisur rrugëtimi juaj sportiv, në cilën moshë e kujtoni dhe ekipin që keni përfaqësuar?
Unë në vitin 1962 mësova të notoj, ndërsa në moshën 11 vjeç nisa të notoja te Zadrat. Më pas, në vitin 1966 nisa të garoj me Pionieret e Lokomotivës, ku trajner kisha Bashkim Dakolin. Ishte një nisje ku u rendita në vëndin e tretë.
Po karriera juaj që të notonit me një ekip të elitës në Shqipëri, kur ka nisur?
Me të Riturat e Lokomotivës unë nisa në vitin 1969, 1970, 1971, vite kur unë isha rekordmene me të Rejat dhe të Rriturat. Kisha shumë vullnet dhe bëja sakrifica në stërvitje. Mars-shtator e kaloja në ujë me stërvitje edhe dy herë në ditë.
Cila është periudha e kohëzgjatjes së karrierës tuaj si notare, dhe ekipet që përfaqësuat?
Unë u largova si notare me të rriturat në vitin 1981. Isha në moshë të re, por për mua 15 vite karrierë i kujtoj me shumë nostalgji. Stërvitje intensive, gara me shumë rivalitet, stërvitje edhe në Kinë. Kjo ishte ritmika që mbeti baza e suksesit.
Cili ka qënë trajneri juaj i parë, a mbeti ai një shembull për rezultatet tuaja?
Po, ishte fillimisht Bashkim Dakoli, më pas Xhevdet Mitraku deri në mbylljen e karrierës sime. Edhe Niko Kurani ka qënë pjesë e këtij trajningu, e natyrisht që ata mbetën shëmbull në karrierën time, sepse me ta hodha hapat e bazat e notimit.
Rekordin e parë që keni thyer në karrierën tuaj, si e kujtoni?
Rekordin e parë e kujtoj se ia thyeva Teuta Mejdanit në 100 m e 200 m Stil Shpinë. Gara është zhvilluar në Durrës te Porti detar, ku shikuesit e kësaj gare më kanë përshëndetur me shumë entuziazëm. Deri në vitin 1976 isha rekordmene, më pas deri në vitin 1981 pësova rënie në rezultate.
Keni garuar në Stilin Shpinë dhe në stafeta, cilat ishin rivalet tuaja në gara dhe në rekordet kombëtare?
Veç Teuta Mejdanit, rivale kisha Pranvera Rrapushin e Butrintit dhe Elida Xhindin e Flamurtarit. Garimi me to ka qënë shumë i veçantë dhe me emocion. Fillimisht munda Teutën dhe Elidën, më pas edhe Pranverën. Kështu ishte rivaliteti mes nesh.
Po me Kombëtaren e Notit, si i kishte marrëdhëniet Alida në periudhën e karrierës?
Unë kam qënë antare e ekipit kombëtar, nga viti 1974 e deri në vitin 1976. Gjatë kësaj periudhe kam shkuar edhe në Kinë, ku i rrita shumë rezultatet në stilin shpinë. Kujtoj një veprimtari ndërkombëtare me 23 shtete, ne Femrat e Shqipërisë u renditëm në vëndin e 6-të.
Keni garuar në det të hapur, pishinë dhe në maratonë, ku e keni patur më të lehtë garimin?
Garimin më të lehtë e kisha në pishinë, sepse aty është më qetë. Deti ka rryma që të ndalojnë gjatë garimit, nuk të ndihmon. Pishina më tërhiqte më shumë, në stërvitje dhe gjatë garave, dhe aty unë kam arritur rezultatet më të mira.
Sa mbahet mënd në mamorrien tuaj gara e fundit që keni bërë si notare e elitës?
Kam garuar në Durrës në vitin 1981 në garat 100 m e 200 m Shpinë, por edhe në Katërnotim 4X100 m. Natyrisht që i kujtoj si gara, ku edhe pse renditja ime ishte në vëndin e dytë dhe të tretë, aty rivalet e mia e kishin tensionin e emrit tim.
Në kohën kur ju keni garuar, si ka qënë infrastruktura në sportin e notit?
Në atë periudhë, ne në Durrës garonim më shumë në pishinë, por garonim edhe në det. Ndërsa në pishinën e Lushnjes e në Shkodër, garoja me lehtësi. Insfrastruktura ishte normale për atë kohë, ku kujtoj se kishim edhe trampolinë hedhje nga lartësia.
Keni qënë edhe trajnere me të rejat e Lokomotivës, si e kujtoni atë periudhë?
Ka qënë një periudhë shumë intensive, kishim konkurrencë me Butrintin, dhe dy-tre kipe të tjera. Kam përgatitur edhe kampione si Anila Ibrahimi, motrat Bekridheli. Punova 17 vite si mësuese e notit në Durrës, brezat janë të shumtë.
Kur u larguat nga aktiviteti si trajnere, e ndoqët ritmikën e garave të notit në Shqipëri?
Unë jetoj në Itali, dhe për të ndjekur ritmikën e garave të notit në Shqipëri, është e vështirë. Por informohem shpesh nga ish-kolege e kolegë të notit, kryesisht nëpërmjet telefonit, por dhe nga gazeta “Telegraf” që notin po e trajton me respekt.
Duke qënë një ish-notare, dhe njëherësh jeni marrë edhe me trajningun në not, si jeni ndjerrë?
Natyrisht që si notare, impakti në shoqëri ka qënë shumë më i ndjeshëm, ndërsa kur largohesh nga jeta aktive si sportiste, vijnë të tjera situata. Në tërësi, edhe si trajnere, por edhe sot, ndjehem e respektuar për emrin që kam lënë në këtë sport.
Në këtë moshë që jeni sot, e keni dëshirën që të trajnoni një ekip noti?
Unë edhe këtu në Itali vazhdova aktivizimin tim me notin, në pozicione të tjera, por në këtë moshë sot jo. Tashmë notoj vetëm gjithmonë, ku ushtrohem rregullisht në pishinë. Aty më rekomandojnë gjithmonë që të trajnoj ekip, por nuk mundem.

Në këto vite dhe në këtë moshë, me se merreni sot Alida mes Italisë e Shqiprisë?
Në pension të plotë, sepse kam qënë 13 vite masazhatore e Notit në Itali, më pas 20 vite në Bashkinë e Çezenatik me shërbimet sociale. Si një ish-notare e elitës në Shqipëri, mundohem ta mbaj ende gjallë pasionin tim për të notuar.
Ka disa vite që funksionon Shoqata Kombëtare e Veteranëve të Notit, ju si e vlerësoni?
E di që është krijuar Shoqata e Veteranëve të Notit në Shqipëri, por mua nuk më kanë lajmëruar. Kjo mbetet edhe si një kritikë për këtë shoqatë, e cila duhet të jetë edhe më afër emrave që kanë shkruar historinë me tituj kampionë e rekorde.
Më 19 janar 2026, Alida Leka ndryshon prefiksin e moshës (70). Por në jetën e përditëshme të saj, notimi ka mbetur si “detyrë shtëpie”. “Notoj gjithmonë vetëm, ku ushtrohem rregullisht në pishinë. Aty më kanë kërkuar që edhe të trajnoj ekip, por nuk mundem”. Dhe, … Alida ende noton!
EPITETI
Gjithmonë kur ka garuar në Sarandë në garën 4X100, tifozët sarandiotë e quanin Alida Lekën si “Zhiva” rrëshkitëse në ujë
ANKETA
Kur ishte në moshën 14 vjeçare në vitin 1970, Alida ka fituar anketën sportive “10 sportistët më të mirë” të Durrësit
FLORIKA BEBRI

Stilin e garimit dhe shkathtësinë e Alidës, e kisha idhull
Ish-notarja e Butrintit Florika Bebri, ka qënë një nga rivalet e notares Alida Leka, të cilën sot ajo e kujton jo vetëm me nostalgji si person, por si një notare me cilësi shumë të larta garime, që e kishte idhull. “Edhe pse kaanë kaluar shumë vite që unë kam garuar bashkë me Alidën, e kujtoj garimin e saj dhe kohën kur kemi qënë së bashku edhe në ekipin kombëtar, këtu në Shqipëri dhe në Kinë. E them me shumë bindje se Alida ka spikatur si një notare që dallohej për cilësi garimi, me sedër dhe shpirt luftarak. Madje mbresa të mira kam edhe kur ishim në Kinë, ku tregoi cilësi shumë të larta. Stilin e shkathtësinë e saj e kisha idhull, ndërsa buzëqeshja e saj na sillte edhe ne buzëqeshjen pas çdo gare, edhe kur nuk arrinim synimin tonë. Në vlerësimin tim, Alida Leka mbetet në Librin e Artë të historisë së notit në Shqipëri”, kështu e kujton dhe e vlerëson Mjeshtrja Bebri, ish-kolegen e saj notare Alida Leka.
Kujdes! Merr vetëm fotografinë e dy notareve

1 Stili i startit
Karrierën si notare, Alida Leka e ka nisur në vitin 1966 me pioneret e Lokomotivës së Durrësit. Fillimisht ajo notoi në garat 100 m dhe 200 m në stilin Shpinë e Katërnotim
2 Stili i preferuar
Ndërsa në vitet më pas, Alida garoi edhe në Stafetë, por që në stilin e saj të preferuar, Shpinë, ajo arriti rezultatet më të mira deri në mbylljen e karrierës si notare
KONSIDERATA DHE VLERËSIME NGA ISH-KAMPIONË

NIKO KURANI, MJESHTËR I MERITUAR I SPORTIT
Notit shqiptar i mungon një “rrëshkitëse” uji si Alida Leka
Trajneri që ka dorën e ustait në formimin e përgatitjen e ish-notares Alida Leka, është Mjeshtri i Merituar i Sportit Niko Kurani. Ai e kujton me shumë nostalgji atë periudhë, ndërkohë që tregon se Alida ka qënë një notare e talentuar për kohën e atëhershme. “Më vjen mirë që rikujtoni historinë e notareve durrsake, sepse ato kanë qënë talente që i kanë dhënë shkëlqim këtij sporti të bukur. Alidën unë e kam stërvitur për shumë vite, dhe sot them se kam patur fatin të nxjerr një notare me shumë talent. Në ato vite (1970-1980), në Shqipëri nuk kishte ndonjë infrastrukturë të veçantë për sportin e notit, por ishin funksionale dhe shërbyen në rritjen e cilësisë së garimit. Kështu edhe Alida, e cila dallohej me një notim perfekt, edhe pse Stili Shpinë kishte vështirësi dhe veçanti nga stilet e tjera të notimit. Që në nisjen e karrierës së saj ajo tregoi se ishte një notare me të ardhme të mirë, dhe e tillë doli. Sot kur e kujtoj, me nostalgji them se notit shqiptar i mungon një “rrëshkitëse uji” si Alida Leka”, ky është vlerësimi i Mjeshtrit Niko Kurani.

SADIK MEMA, MJESHTËR I MADH
Alida ka lënë një emër të madh në notin shqiptar
Mjeshtri i Madh Sadik Mema, nuk do të mungonte edhe në këtë Profil të notares durrsake Alida Leka. Në vlerësimin e tij për këtë notare, Pupi shpreh konsideratat më të mira, së pari si një notare kampione në stilin Shpinë, por edhe si një vajzë shumë e edukuar dhe sociale. “Alida ka qënë kampione dhe rekordmene e stilit Shpinë, një nga notaret më të mira të viteve 70-80. Ajo ka qënë anëtare e ekipit kombëtar të notit, njëherësh edhe pjesëmarrëse në turneun ndërkombëtar në disa veprimtari miqësore në Kinë. E kujtoj me shumë nostalgji dhe respekt Alidën notare, pasi në garat që ajo ka bërë gjatë karrierës së saj, kishte stil notimi perfekt dhe dukshëm superior me rivalet e saj. Të gjithë kur e shikonim gjatë notimit, kënaqeshim me garën e bukur të saj. Por veç cilësive të saj si notare, unë dua ta veçoj edhe si një person shumë i sjellshëm e social në gara dhe jashtë tyre. Pasi u largua si notare, Alida Leka si trajnere ka përgatitur breza notaresh në Durrës. Kësisoj, ajo ka lënë një emër të madh dhe të mirë në notin shqiptar”,
ALIDA LEKA
Datëlindja: 19 janar 1956
Vendlindja: Durrës
Vendbanimi: Itali-Durrës
Arsimi: ILKF “Vojo Kushi” 1985-1987
Profesioni: Arsmitare
Sporti që ka ushtruar: Notin
Starti i karrierës në elitë: Në vitin 1962 te Currilat me Pionieret e Lokomotivës
Skuadra e parë elitare në karrierë: Me Lokomotivën në vitin 1966
Stili i preferuar në gara: Stili Shpinë dhe Katërnotim
Skuadrat të tjera në karrierë:
Gara e parë kombëtare në karrierë: Në vitin 1969 tek Porti në Durrës, 100 m dhe 200 m Shpinë
Rekordi i parë kombëtar: Në vitin 1969 në 100 m dhe 200 m Shpinë
Gara e fundit kombëtare në karrierë: Në vitin 1981 në Durrës te pishina
Rekordi i fundit kombëtar: Nw vitin 1971 në garat e 100 m e 200 me Stil Shpinë
Me Kombëtaren: Në Kinë në vitet 1974 e 1975. Me 23 shtete në garë ndërkombëtare, në stafetën 4X100 m Katërnotim, medalje me Ludmilla Meçe, Tatjana Sheshmini, Fatlinda Shehu dhe Alida Leka
Fituese në garat e Stilit Shpinë: Stil Shpinë fituese në të gjitha garat
Kohëzgjatja e karrierës: Në vitet 1962-1981
Tituj e trofe si notare: Shpina ishte e Lokomotivës, isha absolute
Karriera si trajnere: Në periudhwn 1981-1991, Paratëreja dhe të Rejat e Lokomotivës
Të tjera me sportin: Në Brindizi, Itali, si masazhatore sportive
Aktualisht: Pensioniste

Alida e ujit, e tillë edhe në jetë
Teksa përgatis këtë Profil për karrierën e notares durrsake Alida Leka, veçoj disa fjalë nga ish-kolegë e trajnerë të saj, të cilët e vlerësojnë atë si një notare shumë e mirë që “rrëshkiste mbi ujë”, por edhe si një vajzë e sjellshme dhe me qytetari. Këtu u ndala për ta zbardhur këtë konsideratë, sepse kur këto fjalë bien në duart e gazetarisë, duhen vlerësuar për ta sjellë protagonistin më të afërt në vlerat e saj. “Veç cilësive të saj si notare, unë dua ta veçoj edhe si një person shumë i sjellshëm e social, në gara dhe jashtë tyre”, kështu e vlerëson Sadik Mema, ndërsa Florika Bebri e thotë çiltër: “Stilin dhe shkathtësinë e saj e kisha idhull, ndërsa buzëqeshja e saj na sillte edhe ne buzëqeshjen pas çdo gare”. Për trajnerin Niko Korani, Alida dallohej me një notim perfekt në stilin Shpinë. “Sot kur e kujtoj, me nostalgji them se notit shqiptar i mungon një “rrëshkitëse” uji si Alida Leka”. Ndaj edhe këto rreshta i titullova: Alida e ujit, e tillë edhe në jetë!




















