Gëzim Tushi: Pjesa më e madhe e krimeve nga fëmijët janë kontigjenti që kanë braktisur shkollën, shteti hesht

Pjesa më e madhe e krimeve nga fëmijët janë nga kontigjenti që kanë braktisur shkollën dhe kanë nivel të ulët arsimor dhe shteti hesht

-“Krimi minor”, është fenomen shqetësues në rritje nga përmasat dhe shpeshherë zhvillohet në mënyrë spontane kur dhe shteti i anshkalon

NOA

– Shoqëria jonë po përballet me një situatë të banalizimit të krimit, e cila buron nga kriza e vlerave morale dhe disiplinës sociale

Gëzim Tushi-“Mjeshtër i Madh”

Në vitet e fundit, shoqëria shqiptare po përballet me raste gjithnjë e më të shpeshta të përfshirjes së të miturve në akte kriminale si vjedhje, përdorim droge, dhunë e madje edhe vrasje. Jetojmë në periudhën në të cilën janë shtuar së tepërmi shqetësimet dhe anomalitë sociale, sjelljet agresive e perverse, antiqytetare e kriminale në përgjithësi. Nëse do bëjmë një vlerësim socialogjik statistikor dhe sasior duhet të pranojmë se në këto momente krimi është bërë më i zgjeruar si tipoplogji e më i sofistikuar si fenomenologji sociale. Krimi sot është i përhapur dhe i “demokratizuar” si dukuri, që ndeshet kudo në zonat urbane e qytetet metropolitan, por edhe në fshat e zonat rurale, në qëndra dhe periferi sociale, në të cilën janë të përfshirë burra e gra, të rinj e adoleshentë. Për fat të keq të shoqërisë tonë tashmë në veprimtari e aktivitet kriminal janë të përfshirë edhe fëmijë të mitur dhe adoleshentë.

 

Masat e parandalimit të krimit nga fëmijët

Nuk ka ndonjë nomenklaturë fikse të masave, mjeteve dhe metodave për të ndërtuar “pistën” që ndihmon në rrugën e zbutjes së kësaj situate. Në mënyrë sintetike mendoj se është vendimtare të kuptojmë se është koha kur duhen shtuar përpjekjet e të gjithë institucioneve për të zgjeruar konceptin e lidhjes dhe trajtimit me kujdes të të miturve. Një kujdes, që jo vetëm nuk është i “tepërt”, por i nevojshëm dhe në çdo kohë për t’i mbrojtur ata nga rreziqet që u vijnë nga “vetja” për shkak të moshës dhe kontradiktave të brendshme të zhvillimit kontradiktor, por edhe nga të “tjerët”, sikurse janë rrethanat familjare e sociale dhe ndikimet toksike që vijë nga areali i tyre moshor dhe intoksikimet sociale të këtij realiteti ku jetojnë. Është moment për të krijuar një koncept të qartë për situatën dhe shkaqet e krimit minor, por edhe për ndërtimin e një strategjie gjithpërfshirëse për një veprim socio-edukativ të kompaktësuar për të ndërgjegjësuar fëmijët tanë dhe për të shmangur një të keqe të madhe që i vjen rrotull fëmijëve tanë: adoptimi me krimin!

Statistikat dhe gjinia e krimit

 

Së pari, shumica e atyre që kryejnë veprime kriminale janë më shumë meshkuj dhe më pak femra. Së dyti, pjesa më e madhe janë nga kontigjenti që kanë braktisur shkollën dhe kanë nivel të ulët arsimor. Së treti, një pjesë e konsiderueshme janë nga familje me probleme sociale, me prindër të divorcuar, me baballarë vanitozë e të papërgjegjshëm, përdorues sistematikë të lëndëve psikotrope (alkool dhe drogë, që janë të dhunshëm në familje etj. Por është gjithashtu tejet shqetësues fakti që tashmë është bërë realitet i prekshëm ulja e moshës së fillimit të veprimtarisë kriminale dhe të përfshirjes në rritje edhe të fëmijëve në të. Sociologjikisht atë që unë e quaj “krim minor”, është fenomen shqetësues në rritje nga përmasat dhe shpeshherë zhvillohet në mënyrë spontane dhe me pak mundësi për t’u parandaluar apo vënë nën kontrollin e institucioneve të edukimit dhe sigurisë morale, sikurse janë familja, shkolla, shoqëria, institucionet komplementare të edukimit dhe rehabilitimit. Shkaqet janë të shumta, diverse dhe me ndikim komplementar. Ato janë edhe unike, si veçori moshore të përbashkëta, por dhe të diversifikuara, të lidhura me gjëndjen, statusin dhe parametrat edukativë të funksionimit të familjes, rolit të shkollës, ambientit social dhe habitatit kulturor ku rriten dhe formohen fëmijët tanë. Shoqëria jonë po përballet me një situatë të banalizimit të krimit, e cila buron nga kriza e vlerave morale dhe disiplinës sociale. Kjo atmosferë është shkaku kryesor i përhapjes së krimit minor dhe infektimit të tyre, të kthimit të fëmijës nga një njeri normal, në jo pak raste, në një njeri që e kryen krimin për shkak të moshës dhe formimit të cekët dhe edukimit të mangët, me gjak të ftohtë, duke u kthyer në një “kriminel minor”. Ka një zbehje të punës edukative në tërësi, të shoqëruar me një lloj “armiqësie paradoksale” ndaj nevojave të edukimit dhe vlerës së tij formuese tek fëmijët, për të bërë të mundur edukimin e tyre me cilësi humane e tipare shoqërisht pozitive dhe të vlefshme.

Mugesa e kujdesit të prindërve

Kjo situatë e zgjerimit të krimit minor dhe e përfshirjes në zgjerim e fëmijëve në aktivitet kriminal është e lidhur me shumë shkaqe, faktorë dhe funksionimin e institucioneve sociale. Por në tërësinë e përgjegjësisë social-edukative që ka tërë “industria” e dijes dhe edukimit moral të fëmijëve tanë, njëri është padyshim më kryesor dhe fundamental, me peshë edukative dhe rol social të pazëvendësueshëm. Familja dhe prindërit janë përgjegjësit dhe aktorët kryesorë të formimit human dhe ndërtimit hap pas hapi të arkitekturës së fëmijës. Familja është “fonderia” ku formohet personaliteti i fëmijës, ku spikaten tiparet e personalitetit dhe projektimi i perspektivës sociale të rrugëtimit të tij në jetë. Për fat të keq kemi zhvillime dramatike për sa i takon dobësimit të strukturës edukative të familjes, funksionimit kompakt të prindërimit. Shumë familje janë bërë e keqja e madhe nga buron puna e mangët, braktisja edukative, mungesa e përgjegjësisë prindërore dhe inercia dhe negativizmi që vjen nga konceptet shformuese e parimet e dobëta të prindërimit. Nuk është rastësi që pjesa më e madhe e fëmijëve të përfshirë në aferat e krimit minor janë nga familje disfunksionale e të destrukturuara, me statusin e familjes së dhunshme, që nuk prodhon as “stof edukativ” dhe as empati komunikative e formuse me fëmijët. Padyshim, një nga shkaqet e kësaj situate është edhe fakti që për arsye objektive (mbingarkesat e jetës moderne) apo subjektive, sikurse janë neglizhenca, papërgjegjshmëria prindërore, iluzionet e edukimit spontan e në gjëndje të lirë nga shkolla dhe komunitet. Padyshim, një nga shkaqet është ndikimi i integrimit të fëmijëve në botën dixhitale dhe komunikimet e tyre intensive, spontane e jashtë çdo orientimi të rrjeteve sociale, përdorimi i tyre për qëllime kriminale, që fillojnë nëpërmjet dialogëve virtualë dhe pastaj përfundojnë në zënka, dhunë verbale e fizike dhe në shumë raste edhe në akte kriminale. Sot, për fat të keq, në realitetin tonë social kemi shumë raste të marrjes së jetës së fëmijëve dhe adoleshentëve për shkaqe banale moshore, por që, për fat të keq, “prodhojnë krim”. Shumë prindër, të dembelosur apo të papërgjegjshëm për të kuptuar rolin edukativ dhe përgjegjësinë prindërore, shpesh janë infektuar nga një virus social i përhapur, sikurse është “teknoprofecia”, ose besimi idiot se fëmijët mund të vetedukohen me “frymën e kohës moderne” përmes ndikimeve të rrjeteve sociale. Fëmijët nuk kanë nevojë për edukim virtual, aq më tepër kur, sikurse dihet, komunikimi i tyre në shumicën e rasteve është agresiv, toksik e konfliktual. Fëmijët kanë nevojë të kenë të pashkëputur “kordonin” biologjik dhe edukativ të prindërve të tyre, komunikimin e vazhdueshëm e të besueshëm, të përshtatur me statusin e fëmijës dhe veçoritë moshore të tyre. Asnjë institucion nuk e zëvendëson funksionin edukativ e formues të familjes, asnjë “aktor social” nuk mund të bëhet zëvendësues i rolit të prindërve në këtë proces. Ata janë vendimtarë, roli i tyre është fundamental. Aktorët e tjerë janë të rëndësishëm, por mbeten gjithsesi faktorë të jashtëm e komplementarë. Një bashkim i këtyre faktorëve dhe kthimi i tyre në një ortek të përbashkët edukativ, do të ishte ideale për formimin edukativ dhe skalitjen e personalitetit të fëmijëve tanë. Padyshim, familja është një strukturë kompakte dhe kur është e tillë, edhe roli e funksioni edukativ, projektimi dhe ndërtimi i vlerave tek fëmijët është i plotë, pa të çara, vendimtar. Sigurisht “karroca edukative” e familjes dhe roli i saj në ecjen e fëmijës në rrugën e duhur bëhet më mirë kur ajo udhëhiqet nga “dy buajt” në të njëjtin drejtim. Divorci gjithnjë është me pasoja dhe i dëmshëm për ecurinë normale të fëmijës. Shpesh ky akt social e civil shoqërohet me trauma tek fëmijët dhe ndikon në deformimin e strukturës normale e evolucionare të sistemit të edukimit nëpërmjet familjes me dy prindër. Por kjo nuk do të thotë, nga ana tjetër, se fëmijët me prindër të divorcuar janë fatalisht të dënuar për t’u bërë qënie me cene edukative e anomali sociale. Koha po tregon se fëmijët me një prind biologjik, shpeshherë janë nën ndikimin e rritjes së angazhimit edukativ e social dhe të përgjegjësisë prindërore për të plotësuar vakuumin e krijuar nga divorci dhe mungesa e përmanencës edukative të njërit nga prindërit biologjik të fëmijës.