Viron Bezhani/Dera e mbyllur e sportit, në një ministri dhe shtet që vetëm premton

436
Sigal

Të merresh me sport është shumë e vështirë dhe këtë e dinë të gjithë ata që e kanë praktikuar atë qoftë edhe një ditë të vetme. Por akoma më e vështirë është të vijosh të merresh me sport kur vendos t’i bësh ballë edhe pengesave të shumta. Dhe ato pengesa nuk janë vetëm kundërshtarët në një stadium, pallat sporti, palestër apo pistë atletike. Për fat të keq ata janë kudo dhe më të “vështirët” për t’u mposhtur janë pikërisht ata që nuk duken. Ata që qëndrojnë të fshehur si një hije në një tavolinë zyre dhe nuk bëjnë asgjë për të ndihmuar dhe përkrahur sportin, por qëndrojnë të fshehur dhe harrojnë se janë në atë tavolinë për të qenë në krahë të atyre që çdo ditë bëjnë sport. Përkundrazi, ata vetëm premtojnë pa fund, madje edhe sot vijojnë të flasin për sportin pa e ditur se çfarë është ai. Kjo tashmë po ndodh rëndom në Shqipëri, pasi pikërisht ata që kanë për detyrë të ndërtojnë politika sportive në vend janë strukur dhe nuk dinë as vetë se ku janë fshehur. Për këtë arsye sporti sot në vendin tonë është lënë në mëshirë të fatit dhe ata njerëz që janë pranë MTKRS-së apo edhe më lart, Kryeministri e gjetkë, dalin nga guaska e tyre vetëm për të bërë premtime dhe për të dhënë medalje. Po ku janë ata në ditët e shumta të ftohta të dimrit, apo në vapën e padurueshme të verës kur sportistët bëjnë çdo ditë stërvitje? Sportistë e trajnerë që përballen çdo ditë me pengesat e zakonshme duhet të durojnë edhe neglizhencën e atyre që bëjnë sport dhe që nuk ndihmojnë, përkundrazi pengojnë. Dhe ato nuk janë pengesa të kalueshme si të një gare atletike, por pengesa më të mëdha, që i krijojnë vetë njerëzit. Dhe premtimi apo mashtrimi i radhës i kësaj qeverie nis sërish me fjalët “në 4-vjeçarin e ardhshëm”, ndërkohë që, në kaq shumë vite nuk ka bërë asgjë për sportin dhe zhvillimin e tij, madje gjithçka ka mbetur në ajër. Edhe një nismë që MTKRS-ja e nisi, siç është ligji i sportit, la shumë për të dëshiruar, madje dështoi. Një ligj që e bëri edhe më shumë “çorap” sportin në Shqipëri, duke ngatërruar edhe më shumë situatën në vend që ta zgjidhte atë, duke mos lejuar një liri veprimi. Një ligj i sportit që duket se u krijua për Ministrin e Sportit dhe jo për sportin, një ligj ku shteti kontrollon gjithçka dhe nuk u jepet frymëmarrje federatave, liri veprimi dhe frymëmarrje në këtë kaos të sotëm. Premtime të shumta, dosje pafund në sirtarë me projekte që vetë federatat i kanë dërguar dhe asgjë konkrete, ose shumë pak. Në fakt, sot, “e rëndësishme është të jesh mirë me planin”, siç thotë edhe batuta e një filmi. Dhe MTKRS-ja e sotme më shumë se kurrë është mirë me planin, pasi dosjet janë të shumta, por që për fat të keq flenë prej vitesh. Asgjë nuk bëhet qoftë edhe për të hequr pluhurin që ka zënë ato dosje, apo edhe vetë njerëzit që i mbajnë ato në zyra. Në ato dosje ndoshta flenë edhe kërkesat e shumta për të ndihmuar Elis Gurin, para se ai të na linte dhe të shpallej kampion me Bullgarinë. Dhe MTKRS sërish hesht. Premtimet e vazhdueshme për zhvillimin e sportit, që për fat të keq vijojnë edhe sot nga Kryeministri e drejtuesit e sportit, janë kthyer në një gangrenë për vendin tonë, një gangrenë që nuk e lë sportin të ecë përpara, përkundrazi e mbysin edhe më shumë atë. Të gjithë njerëzit e sportit duan të punojnë çdo ditë për të arritur rezultate, por shteti nuk kthen as kokën për t’i parë e ndihmuar. Drejtuesit e sotëm të sportit apo shtetit shqiptar nuk ngurrojnë të shkojnë e të japin medalje, apo të krenohen kur ato i marrin me aq mund sportistët tanë. Rrahin gjoksin dhe krekosen, por pas disa minutash struken sërish kur dëgjojnë se ata sportistë që u shtrënguan duart i kanë lënë pa paguar. Dhe ngrenë supet dhe bëjnë sikur nuk dinë gjë, duke ia hedhur “topin” njëri-tjetrit dhe nuk dinë të japin drejtim. Të ftojnë të dyert e tyre për të trokitur, por atë derë nuk e hapin kurrë, pasi kanë frikë nga e vërteta e hidhur. Vetëm pak ditë më parë Federatat njohën fondin Grant të këtij viti, një fond që vetëm sa i mban gjallë ato dhe që kishte lënë pezull të gjithë aktivitetin kombëtar. Kryeministri premton se do të ketë një plan për zhvillimin e sportit, por “harron” të paguajë sportisten e tij më të mirë! Dhe sërish sporti qëndron i fundit, i shumëpërfolur dhe i akuzuar, pasi është vetë shteti, ai që duhet ta përkrahë atë dhe ta ndihmojë me politika nxitëse, që e ka lënë pas dore. Nuk mjafton kurrë një premtim elektoral, por duhet punë, shumë punë, madje më shumë se sa bën një sportist dhe trajneri i tij për t’u dhënë mundësi këtyre të fundit që të fitojnë. Duhet t’u krijojmë kushtet më minimale për të konkurruar si të barabartë dhe më pas po, të krenohemi për atë që kemi bërë. Deri më tani gjithçka e arritur është meritë vetë e këtyre sportistëve dhe trajnerëve të tyre që kanë fituar dhe triumfuar kudo vetëm falë pasionit të tyre, dëshirës për të nderuar Shqipërinë kudo që kanë garuar. Ne duhet t’i falënderojmë ata që pranojnë të na japin dorën, pasi gjithçka e kanë bërë me forcën e tyre. Tashmë sporti dhe njerëzit që merren me sport kanë nevojë më shumë se kurrë të ndihen të përkrahur dhe të dashuruar nga vetë njerëzit që drejtojnë sportin në këtë vend. Nëse këta sportistë sot e dashurojnë sportin edhe mes shumë vështirësive, kështu duhet të bëjnë edhe njerëzit e fshehur pas tavolinave, të cilët dikur kanë qenë vetë sportistë. Pa sport nuk ka shtet, nuk ka krenari dhe civilizim, pasi ai është mjedisi ku të gjithë në shplodhemi dhe kalojmë kohën në mënyrën më të mirë të mundshme. Të përkrahësh sportin nuk do të thotë vetëm të japësh disa fonde më shumë, por edhe të dish të menaxhosh burimet njerëzore që ky sport të jep. Jo vetëm t’i menaxhosh ato duke i ftuar në mbledhje partie për të fituar elektorat, por të dish t’u krijosh atyre mundësi për të qenë gjithnjë kampionë. Sa pak palestra e mjedise sportive ka vendin tonë dhe kjo është për të ardhur keq, pasi rinia dhe sporti janë së bashku në rrugëtimin e tyre, por për fat të keq janë edhe kaq larg njëri-tjetrit. Megjithëse, ata janë së bashku ne të njëjtën ministri, ato qëndrojnë shumë larg, i ndan një humnerë, pasi askush nuk arrin t’i bashkojë. Sporti duhet ta bëjë këtë gjë, pasi ai afron rininë, i përket më së shumti rinisë dhe e largon atë nga veset. Por këtë gjë sporti ynë nuk po e bën dot, njerëzit që e drejtojnë këtë sport. Ndaj, sporti lëngon ende, nuk po gjen dot identitetin e tij, pasi pa identitet janë edhe njerëzit që e mbajnë peng atë. Sporti është i të gjithëve, ndaj nuk duhet t’i kthejmë krahët e ta harrojmë, pasi ai më shumë se kushdo na bën krenarë që jemi shqiptarë.