Vasillaq Zëri: “Shqipëria, me të ardhme”

892
Sigal

Legjenda e Dinamos: “Kam parë lojtarë të talentuar te ekipet e moshave. Jemi në rrugë të mbarë”

Vasillaq Zëri, një nga lojtarët ofensivë më të mirë që ka nxjerrë shkolla dinamovite, pse jo dhe futbolli shqiptar, është tepër i vëmendshëm ndaj çdo ngjarje sportive, sidomos të ndeshjeve të ekipeve kombëtare. Një analist i detajeve, ish-legjenda e Dinamos beson tek e ardhmja e Kombëtares. “Pashë një Shqipëri të fortë ndaj Islandës, pavarësisht humbjes, dhe një ekip të pjekur në fitoren ndaj Sllovenisë”, – tha Zëri për gazetën “Telegraf’. Ish-lojtari i Kombëtares (1976-1982) tha se, përfaqësueset e moshave kanë në gjirin e tyre lojtarë të talentuar, të cilët mund të shndërrohen në një perspektivë të sigurt për Shqipërinë e së ardhmes. Zëri vlerëson punën e deritanishme të De Biazit, por dhe të trajnerëve të tjerë të ekipeve kombëtare, si boshnjakut Xhemal Mustedanagiç (U-17), Foto Strakoshës (U-19) dhe Skënder Gegës (U-21). “Janë duke bërë një punë shumë të mirë. Jam i bindur plotësisht, se jemi në një rrugë të mbarë”. Me një karrierë të ndritur me Dinamon (katër herë kampion), por dhe një periudhë të suksesshme me Shkëndinë e viteve 1967-1973, Vasillaqi flet edhe për kampionatin e Kategorisë Superiore. Sot, Vasillaq Zëri është një punonjës i Federatës Shqiptare të Futbollit, por ai mbetet një idhull për tifozët e Dinamos dhe shumë i respektuar nga të gjithë bashkëkohësit e tij dhe më gjerë. Në vitet 1970, Zëri ishte pjesë e një prej tresheve më të famshme që ka pasur futbollit shqiptar, së bashku dhe me Ilir Përnaskën dhe Shyqyri Ballgjinin.

Zoti Zëri, Fitorja (1-0) me Slloveninë e ndryshoi komplet atmosferën në ekipin Kombëtar dhe, tani pas katër ndeshjeve të para ndodhemi në vendin e tretë në grupin tonë eliminator (E) të Kampionatit Botëror. Si një ish-lojtar i Kombëtares, dhe për më tepër një specialist i futbollit, si do ta gjykonit këtë moment?

Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga ajo fitore e bukur me Slloveninë, unë do ta gjykoja se erdhi në momentin e duhur, nisur dhe humbja e pamerituar me Islandën, për të cilën unë mendoj se duhet ta kishim fituar me atë që krijuam në fushë. Gjithsesi, në futboll ndodhin këto gjera. E konsideroj një avantazh shumë të madh psikologjik. Jam i mendimit se, me grupin e lojtarëve që kemi, ne i kemi të gjitha mundësitë që ta fitojmë ndeshjen në Islandë, por dhe në transferta të tjera.

Dy fitore në katër ndeshje, përfshirë dhe atë me Qipron, dhe gjashtë pikë nga 12 të mundshmet nuk është se na kanë ndodhur shpesh, apo jo?

Fitorja me Qipron, pavarësisht se u arrit në minutat e fundit ishte merituar. Unë do të vlerësoja faktin se, konstatova një shpirt gare të madh, sidomos në minutat e fundit, kur në traditën tonë kanë qenë minutat që shpesh na kanë ndëshkuar.

Në bankinën e Kombëtares prej tetë ndeshjesh është italiani Xhani De Biazi, i cili ka fituar katër takime, si asnjë nga trajnerët e huaj paraardhës. A mendoni se mund të flasim për një “erë” italiane në futbollin tonë?

Çdo trajner, shqiptar apo i huaj, ka meritat e veta në ekipin Kombëtar. De Biazi është përpjekur të ndryshojë atë që, ai ka menduar se nuk ka funksionuar mirë. Për të qenë i sinqertë, vlerësoj se jemi në rrugë të mbarë. Kemi futbollistë me përvojë, por dhe të rinj të afruar dhe me perspektivë, të cilët dhe kanë rezultuar vendimtarë dhe me golat që kanë realizuar (Sadiku, Çani, Roshi). Është momenti që, kjo skuadër tani ka nevojë për stabilitet dhe vazhdimësi.

Kanë mbetur dhe gjashtë ndeshje në kualifikueset e Kupës së Botës, teksa takimi i parë i vitit të ardhshëm është ai në Norvegji. Edhe pse është shpejt për të bërë një parashikim për atë ndeshje, si e shihni ju perspektivën?

Unë besoj se, ekipi ynë me alternimin e lojtarëve me përvojë me ata të rinj, nuk ka pse të ketë frikë në ndeshjet në transfertë. Sidomos, me ekipet që ka grupi ynë është e mundur të fitojmë me cilindo ekip. Nuk do ta konsideroja guxim të tepruar, nëse do të thosha që kemi shpresa reale për t’u kualifikuar për në finalet e Botërorit.

Lë të kthehemi te Kombëtarja U-19, e cila para pak ditësh mori pjesë në eliminatoret e Kampionatit Europian të asaj moshe, ku morën pjesë dhe Belgjika, Italia dhe Bjellorusia, dhe për tepër u zhvillua në vendin tonë, në Vlorë dhe në Fier. Cili është vlerësimi juaj?

Përtej rezultateve (1 fitore dhe 2 humbje), unë do të veçoja faktin se në përfaqësuesen e drejtuar nga i mirënjohuri Foto Strakosha, pashë disa elementë shumë të spikatur, si kosovari Enis Gavazaj, Elvis Kabashi dhe Valon Ahmedi. Ndeshja me Belgjikën ishte një ndër më të mirat që, unë kam parë nga kjo përfaqësuese. Në vlerësimin tim, ata janë futbollistë me të ardhme. Janë me perspektivë. Nuk është çudi që t’i shohim shumë shpejt edhe në Kombëtaren A, gjithmonë në rast se ata do të punojnë seriozisht dhe në vazhdimësi. Me aq sa kam informacion, edhe ekipi Kombëtar U-17 ka në gjirin e tij disa lojtarë cilësorë.

A mund të flasim për një të ardhme më të mirë të ekipeve Kombëtare?

Mendoj se, duke pasur futbollistë të rinj të talentuar dhe e ardhmja e Kombëtares A është disi e garantuar në vazhdimësinë e saj. Është futur në një rrugë të mbarë, pavarësisht nga rezultatet. Dihet, që Italia apo Belgjika kishin futbollistë me përvojë, por për ne është e rëndësishme që kemi disa talente mbi të cilët mund të bazohen në vazhdimësi trajnerët e moshave. Qëllimi i këtyre skuadrave është furnizojnë ekipin e parë. Një pjesë e konsiderueshme e lojtarëve luajnë jashtë dhe pa dyshim eksperienca e tyre do të vlejë.

Zoti Zëri, kampionati i Kategorisë Superiore ka zhvilluar vetëm shtatë nga 26 ndeshjet e këtij sezoni, por një ndarje midis dy grupeve të mëdha, atyre që synojnë titullin dhe zonën e Europës dhe atyre që do të luftojnë për mbijetesën duket se tashmë është bërë?

Në fakt, për hir të së vërtetës është shpejt të dalësh në konkluzione, pasi janë dhe treçereku i ndeshjeve për t’u luajtur dhe tabloja e renditjes mund të pësojë ndryshime gjatë rrugës. Duke qenë i rezervuar në gjykim, kjo dhe për të mos qenë i shpejtuar, do të thosha se në jo pak ndeshje kemi parë futboll cilësor dhe të mirë. Për mua ka një rivalitet midis skuadrave.

Gjatë merkatos, pati skuadra që e ruajtën grupin e lojtarëve, por dhe ato që investuan fuqishëm me prurje të reja. A është ky një kriter për një futboll cilësor?

Në gjykimin tim, çdo skuadër ka punuar në merkato në bazë të objektivave dhe mundësive financiare që ajo ka pasur. Sigurisht, që në ndonjë rast edhe futbollistë të konsideruar si cilësorë nuk kanë arritur të përshtaten me skuadrat e tyre të reja, dhe as grupit të lojtarëve. Nuk është mirë të përmend emra, kjo dhe për arsye etike profesionale.

_____________________________________________________________________________________

OFERTA E AJAKSIT TË FAMSHËM

Vasillaq Zëri mund të kishte veshur fanellën e Ajaksit të famshëm, nëse do të ekzistonte gjatë regjimit komunist do të lejoheshin transferimet e lojtarëve shqiptarë në kampionatet e huaja. Pikërisht, kjo ia mohoi Zërit fatin të luante me “arkëtarët” holandezë. Dinamo luajti kundër Ajaksit në sezonin 1980-1981 për Kupën e Kampioneve. Në fakt, i humbi të dyja ndeshjet: 0-2 në “Qemal Stafa” (17 shtator 1990) dhe 0-1 në Amsterdam (1 tetor 1980), por loja e Zërit i bëri shumë përshtypje trajnerit të Ajaksit. Drejtuesit e Ajaksit i bënë një ofertë thuajse zyrtare Vasillaqit, por trajneri i Dinamos iu shpjegoi atyre se në Shqipëri nuk ishte praktikë që një futbollist të transferohej jashtë

_____________________________________________________________________________________

KUR LUANTE KUNDËR FERGUSONIT

Dy ndeshje të tjera të bujshme të Dinamos, në të cilat ka marrë pjesë dhe Vasillaq Zëri janë ato kundër holandezëve të Ajaksit (1980-1981 për Kupën e Kampioneve: dy humbje 0-2 në “Qemal Stafa” dhe 0-1 në Amsterdam), gjermanolindorëve të Karls Zais Jenës (1981-1982 përr Kupën UEFA: 1-0 në Tiranë, 0-4 në Jena) dhe Aberdinit e Skocisë (1982-1983: 0-0 në Tiranë dhe 0-1 në Skoci, për Kupën e Kupave). Aberdini drejtohej asokohe nga trajneri Aleks Ferguson, përpara se skoceci legjendar të ulej bankinën e Mançester Junaitid. Vasillaq Zëri atëherë ishte 31 vjeç: “Unë kam luajtur mirë në të dyja ndeshjet dhe Ferguson erdhi na takoi e na dha dorën. Nuk e patën dhe aq të lehtë, por ne kishim probleme, sepse Përnaska e Ballgjini e kishin lënë futbollin. Në fund të atij edicioni, Aberdini fitoi Kupën e Kupave të Europës”, – kujton legjenda blu.