Legjenda e Dinamos: “Kam parë lojtarë të talentuar te ekipet e moshave. Jemi në rrugë të mbarë”
Vasillaq Zëri, një nga lojtarët më popullorë që ka nxjerrë shkolla dinamovite dhe më cilësorët e futbollit shqiptar, tha për gazetën “Telegraf” se Shqipëria vazhdon të nxjerrë talente, çka sipas tij, u pasqyrua edhe në kualifikimin e fundit të Kombëtares U-17 në fazën “Elite Round” të Kampionatit Europian. Ish-lojtari i Kombëtares (1976-1982) shtoi se, përfaqësueset e moshave kanë në gjirin e tyre lojtarë të talentuar, të cilët mund të shndërrohen në një perspektivë të sigurt për Shqipërinë e së ardhmes. “- Talentet s’i kanë munguar kurrë futbollit shqiptar. Vazhdimisht kemi pasur të tillë. Përsa i përket futbollit të bazës, dua ta theksoj se zhvillohen kampionate te rregullta. Zonat rajonale të krijuara nga Federata po japin frytet e tyre, pasi lojtarët grumbullohen vazhdimisht dhe kanë krijuar ekipet përfaqësuese të zonave, sipas programit të hartuar”, – tha Zëri.
Duke analizuar pjesën e parë të Kategorisë Superiore, ish-mesfushori i Dinamos, veçoi rivalitetin e skuadrave, të cilat e kanë bërë më interesant kampionatin. Vasillaq Zëri, së bashku edhe me sulmuesit Ilir Përnaska dhe Shyqyri Ballgjini, formuan një nga sulmet më të frikshme në Shqipëri në kohën e tyre (1977-1982). Vasillaq Zëri i përket një grupi të artë lojtarësh të Dinamos, me emra të tillë si Iljaz Çeço, Torez Çiraku, Shyqyri Ballgjini, Ilir Përnaska, Gani Xhafa, Faruk Sejdini, Rifat Ibërshimi, Muhedin Targaj, Medin Zhega, Jani Rama, Aleko Bregu, Xhorxhi Puka, etj. Futbollistë pasionantë, të cilët prodhonin spektakël në fushën e lojës.
– Zoti Zëri, futbolli shqiptar ka “marrë pushimet”, ndërkohë që tabloja e pjesës së parë të sezonit na ofroi një ngjeshje të ekipeve në tabelën e renditjes. Duke e parë në syrin e një specialisti, çfarë ofroi ai?
– Duke e analizuar atë në të gjithë aspektet, gjykoj se kampionatin ofroi rivalitet midis të gjitha skuadrave. Janë zhvilluar ndeshje të bukura dhe të një niveli shumë të pranueshëm, çka reflekton edhe në renditjen e ngjeshur në renditjen pas 16 javëve të luajtura.
– Cila është e veçanta e këtij sezoni?
– Mendoj se, surpriza ishte Partizani, që ka bërë një sezon të pëlqyeshëm dhe i ka dhënë gjallëri kampionatit tonë. Po, rikthehet fuqishëm dhe ka ndikuar jo pak në cilësinë e këtij kampionati, si dhe me angazhimin e pjesëmarrjen të tifozëve të tij. Partizanin, së bashku edhe me Skënderbeun, Kukësin, e ekipet e tjera të kreut e shoh në luftë për titull.
– Tirana ka bërë deri tani një sezon që lë shumë për të dëshiruar…
– Me keqardhje e them se, nuk duhet të ishte në atë gjendje, pasi është një nga klubet të mëdhenj në Shqipëri. Mendoj se, një Tiranë e fortë do ta shtonte më shumë rivalitetin në kampionat. Shpresoj se, Tirana ta kalojë krizën e saj dhe të bëjë paraqitjet të mira në ndeshjet që do të vijnë.
– Tashmë është koha e merkatos. Skuadrat po marrin lojtarë të rinj, për të bërë një grup më kompetitiv. Me blerjet e deritanishme të ekipeve, si i shihni skuadrat?
– Merkatoja dimërore është një mundësi e mirë, për të rregulluar defektet që ka konstatuar çdo ekip. Kjo ndodh në të gjitha klubet e botës. Gjithsesi, për të dalë në një përfundim duhet të presim fundin e saj, pranë fundin e janarit, por dhe cilësinë e sportistëve që do të marrin skuadrat. Uroj që, të marrin lojtarë sa më të mirë, pasi kështu rritet edhe cilësia.
– Para pak javësh, u organizua një tavolinë e rrumbullakët me pjesëmarrjen e të gjithë trajnerëve të ekipeve kombëtare, për të pasur një modul loje nga U-17 e deri te ai A. Si do ta konsideronit?
– Është me të vërtetë një gjë shumë pozitive, pasi aspekti taktik vlen shumë në futbollin e sotëm. E çmoj shumë iniciativën e Federatës dhe impenjimin e trajnerit De Biazi, për këtë të ndërtuar një strategji të përbashkët në punën e ekipeve përfaqësuese.
– Ka shumë lojtarë të rinj shqiptarë, të cilët janë rritur e formuar jashtë si futbollistë…
– Nga ana e Federatës janë bërë shumë përpjekje, për të afruar të gjithë lojtarët më të mirë të rinj, të cilët mund të luajmë në Itali, Greqi, Zvicër, Gjermani, apo gjetkë. Po, të shikoni ekipet e moshave ka shumë lojtarë të thirrur nga ato kampionate.
– Vitet e fundit futbolli i bazës ka marrë një prioritet të veçantë.
Ju jeni një specialist i futbolli të moshave. A shihni talente aty?
– Talentet s’i kanë munguar kurrë futbollit shqiptar. Vazhdimisht kemi pasur të tillë. Përsa i përket futbollit të bazës, dua ta theksoj se zhvillohen kampionate te rregullta. Zonat rajonale të krijuara nga Federata po japin frytet e tyre, pasi lojtarët grumbullohen vazhdimisht dhe kanë krijuar ekipet përfaqësuese të zonave, sipas programit të hartuar. Është një punë e organizuar dhe janë evidentuar të gjithë lojtarët më të mirë, të cilët mund të jenë në dispozicion të trajnerëve të ekipeve kombëtare.
Këtë e tregoi edhe kualifikimi i Kombëtares U-17 për në turin “Elite Raund” të Kampionatit Europian të asaj moshe. Ishte një sukses i rëndësishëm për futbollin tonë. Spikatën futbollistë të rinj, që luajtën denjësisht. Ndaj tyre, Federata Shqiptare ka treguar një kujdes shumë të veçantë. Është bërë një punë shumë e mirë nga Sektori i Ekipeve Kombëtare.
Katër herë kampion
Mesfushori virtuoz Vasillaq Zëri ka dalë katër herë kampion i Shqipërisë me Dinamon: sezonet 1974-1975, 1975-1976, 1976-1977 dhe 1979-1980.
5 ndeshje me Kombëtaren
Llaq Zëri është aktivizuar në pesë ndeshjen me Përfaqësuesen A në vitet 1976-1980: kundër Algjerisë, Finlandës, Bullgarisë (2) dhe Austrisë.
Dy fanellat e Llaqit
Gjatë karrierës së tij të gjatë, Vasillaq Zëri ka veshur bluzat e dy skuadrave: Dinamos dhe Shkëndijës, më këtë të fundit gjatë kohës kur kryente Institutin.
Sulmuesi shqiptar kërkohet zyrtarisht nga Roma. Fitoi “Këpucën e artë” në Botërorin U-17
Valmir Berisha: “Ëndërr të luaj me Totin”
Sulmuesi i talentuar shqiptar, Valmir Berisha, kërkohet zyrtarisht nga Roma. 17-vjeçari, i cili fitoi “Këpucën e artë” në Botërorin U-17 me përfaqësuesen e Suedisë, është ndjekur nga disa prej ekipeve më të mira në Europë, përfshirë Arsenalin, Mançester Junaitidin, Liverpulin, Totenhemin në Angli, por dhe Interin, Milanin, Juventusin në Itali, si dhe Realin e Madridit, Sevijën e Vijarealin në Spanjë. Sulmuesi i Halmshtads në Suedi pranoi faktin se, për të interesohen dy klube, një në Itali (Roma) dhe një në Angli (Sandërleni, ish-skuadra e Lorik Canës). Kartoni i djaloshit që, mund të luajë edhe me kombëtaren shqiptare vlerësohet për momentin 300 mijë euro, shumë që verdhekuqtë nuk do ta kishin aspak problem për ta paguar, duke para perspektivën e këtij futbollisti. I konsideruar si Ibrahimoviçi i ri, Berisha tha se e konsideron një “ëndërr të luajë përkrah Totit”, kapitenit legjendar të Romës. Gjithsesi, vendimi final i përket Valmir Berishës se ku do të “ankorohet”, në Itali apo Angli. “Telenovelë” që pritet të mbyllet në ditët e ardhshme. Ai dha një intervistë për portalin suedez “fotbollskanalen.se”.
– Berisha, kërkoheni nga Roma. Çfarë mund të thoni?
– Po, e di. Është një gjë shumë e bukur. Roma është një klub i madh, ndoshta është si një ëndërr të luash për të. Gjithsesi, unë kam thënë edhe më parë se dëshiroj të luajë në një klub të vogël, përndryshe është shumë e lehtë të dalësh nga qarkullimi. Shumë suedezë kanë shkuar për të luajtur në Itali, por tani luajnë në kategorinë e tretë.
– A mund të jetë Roma, klubi juaj i ardhshëm?
– Sigurisht, kjo nuk është e pamundur. Unë dëshiroj të luaj në Itali, por nga ana tjetër besoj se Anglia mund të jetë një vend më i mirë për t’u zhvilluar.
– A jeni afër marrëveshjes me Sanderlendin?
– Nuk mund ta them në këtë moment. Por, si Roma ashtu dhe Sanderleni janë alternativa shumë të mira për mua.
– “Sky Sports” ka shkruar se Roma është shumë më afër, a është e vërtetë kjo?
– Ndoshta mund të jetë edhe kështu.
– Berisha dhe Toti, tingëllon shumë bukur apo jo?
– Do të ishte me të vërtetë një ëndërr. Gjithsesi, unë mendoj se ai mund të tërhiqet përpara se unë të bëhem pjesë e ekipit të parë, gjithmonë nëse unë do të luaj te Roma. Për momentin mund të luaja me ekipin U-21.
– Ju keni thënë se, vendimin do ta merrnin brenda një jave, ai qëndroni atij mendimi?
– Po, mund të merret në konsideratë.
– Agjenti juaj, Andres Karlson, tha se Roma është klubi që ëhtë në krye të garës?
– Nuk dua të shtoj asnjë koment.