Van Dijk u drejtohet tifozëve të Liverpoolit me letër emocionuese pas lëndimit të rëndë

334
Sigal

Virgil van Dijk ka folur për herë të parë që prej se e pësoi një lëndim, që me gjasë i ka humbur tërë sezonin, në derbin e Merseyside të shtunën, duke u zotuar se do të rikthehet më i shëndoshë, më i fortë dhe më i mirë së kurrë më parë.

Qendërmbrojtësi holandez u desh të largohej nga fusha me ndihmën e të tjerëve në barazimin e Liverpoolit 2:2 kundër Evertonit, pas ndërhyrjes së tmerrshme që portieri Jordan Pickford e bëri ndaj tij.

Testet mjekësore dy ditë më vonë kanë konfirmuar se Van Dijk e ka pësuar një lëndim të brendshëm në ligamentin e gjurit, që nënkupton se atij do t’i duhet kohë e gjatë për t’u shëruar.

Lëndimi i holandezit është goditje e rëndë për shpresat e Liverpoolit për ta mbrojtur titullin e parë në Premierligë, pasi Jurgen Klopp do ta ketë të pamundur ta mbulojë boshllëkun e lënë nga një mbrojtës me aftësitë e tij.

Van Dijk i ka zgjedhur rrjetet sociale për t’i falënderuar përkrahësit për fjalët ngushëlluese dhe është zotuar se do t’ua shpaguajë atyre besimin duke u rikthyer edhe më i fortë së më parë.

“Tani jam plotësisht i përqendruar në riaftësimin tim dhe do të bëjë gjithçka që mundem për t’u kthyer në fushë sa më shpejt. Pavarësisht zhgënjimit të qartë, unë jam besimtar i palëkundur se në vështirësi ka mundësi dhe me ndihmën e Zotit, unë do të kthehem më i mirë, më i shëndoshë dhe më i fortë se kurrë më parë”, shkroi 29-vjeçari.

“Dua t’i falënderoj të gjithë për mesazhet mbështetëse. Kanë vlerë të madhe për mua dhe familjen time dhe do të bëjë gjithçka që mundem për t’i përkrahur bashkëlojtarët e mi në çdo mënyrë që mundem në javët e vështira që na presin, ndërkohë që do ta rimarr veten dita ditës. Do të rikthehem”, shtoi ai./Gazeta Express/