Fatjona Mejdini: Sjellja e Ramës, tentativë për të mos dhënë llogari dhe për të zvogëluar lirinë e shprehjes

599
Sigal

Presioni, shantazhi dhe etiketimet fyese ndaj gazetares Fatjona Mejdini në përballjen e Opinion të Enjten që kaloi, kanë qënë një prej temave më të diskutuara të ditëve të fundit. Gazeta Mapo, kontaktoi me Mejdinin, për t’i marrë një opinion se si e komenton ajo sjelljen e Kryeministrit, tani që kanë kaluar disa ditë dhe mund të gjykohet më me gjakftohtësi. Ajo thotë për Mapo, se nuk sheh gjë personale aty, por një përpjekje të Ramës për të mos dhënë llogari dhe për të zvogëluar lirinë e shprehjes.

Fyerje, ulërima dhe batuta, kjo sjellje e karakterizon shpesh kryeministrin shqiptar Edi Rama në raport me mediat, të cilat i etiketon si “kazan”.

Rasti i fundit i përballjes së tij me gazetarët në studion e “Opinion” shënoi dhe kulmin e kësaj qasjeje të tij ndaj mediave, kur më shumë se një herë tentoi të intimidonte gazetarët në studio dhe në rastin më ekstrem iu afrua fizikisht duke i ulëritur në fytyrë njërit prej tyre.

E gjendur në këtë, gazetarja Fajtona Mejdini, pjesë e Global Initiative, një organizatë ndërkombëtare që ka bërë disa investigime për krimin e organizuar në vend, disa i herë i vuri në dukje Ramës përpjekjet e tij për intimidim. Në rrjetet sociale përballja e saj me Ramën u kthye në argumentin e ditës.

Por, për Mejdinin, sjellja e Ramës nuk ka pse të merret si një betejë personale dhe as në kontekstin e të qënit gazetare femër, pasi ai ka një rekord të gjatë të sjelljes fyese ndaj mediave, e cila i është kthyer në retorikë.

“Unë nuk e marr personale sepse kryeministri i vendit ka një rekord të gjatë duke fyer gazetarët duke përdorur një gjuhë të papërshtatshme. Pra, ajo që ndodhi në Opinion nuk duhet të merret si çështje e gjuhës ndaj një gazetare femër, apo gazetari mashkull, kjo duhet të merret si një lloj retorike e kryeministrit, e cila po vijon prej një kohe të gjatë kundër mediave dhe kundër zërave kritikë”- thotë Mejdini për gazetën Mapo.

Sipas saj: “kjo është një tentativë për zvogëlimin e lirisë për të folur, për të bërë pyetje dhe për t’u marrë seriozisht.”

Gazetarja shton se dukuria haset më dendur në rastet në prag të fushatave.

“E shohim gjithmonë para fushatave elektorale që Kryeministri në vend që të japë përgjigje serioze për problemet dhe pyetjet që i shtrohen, ai përpiqet t’i devijojë ato duke përdorur batuta ose duke atakuar personalisht gazetarët”- tha Mejdini.