Triumf me përmbysje, Partizani fiton derbin dhe i rrezikon vendin në katërshe të Tiranës

26
Sigal

Derbi i kryeqytetit është përsëri i kuq. Partizani ka fituar me shifrat 2-1 me përmbysje sfidën e ethshme në “Air Albania”, duke siguruar një rezultat të rëndësishme që e ngjit në vendin e dytë ndërsa rrezikon vendin në katërshe të bardhebluve.

Orges Shehi triumfon në derbi, këtë herë si i “dem”, me shpresën që ky sukses ndaj rivalëve të përjetshëm t’i jap sezonit një tjetër shtysë. Tirana vijon ulje ngritjet e forta, por kjo humbje në derbi, i dyti këtë sezon, sigurisht që lë një shije të keq.

Në “Air Albania”, në një atmosferë elektrizuese, me mbi 12 mijë tifozë të pranishëm, derbi nisi “zjarr”, me Tiranën që gjeti golin që në minutën e 7-të.

Një kundërsulm perfekt i Deiut, i cili shërbeu për Abazaj, ky i fundit provoi kuadratin, por topi i grushtuar nga Hoxha u kthye në një asist për Liridon Latifin që nuk fali duke kaluar bardheblutë në avantazh.

Partizani u përgjigj fuqishëm, me të kuqtë që përfituan nga një gafë e portierit Abdullahu i cili ndërhyri në mënyrë të gabuar ndaj Skukës duke shkaktuar penallti. Nga pika e bardhë, Skuka u tregua perfekt duke barazuar shifrat në 1-1.

Partizani nuk u mjaftuan me kaq, por në minutën e 41-të, Tedi Cara me një aksion personal fantastik dërgoi topin në rrjetë duke përmbysur rezultatin.

Me fillimin e pjesës së dytë, të kuqtë kishte shansin të shënonin golin e tretë, por rastin më të pastër e kishte Tirana, me Regi Lushkjan që ishte i pafat teksa goditja e tij u përplas në shtyllën pingule. Me kalimin e minutave, ritmi i lojës ra disi, me Tiranën që provoi në çdo formë të shmangte këtë humbje, por pa sukses. Festa në fund ishte e gjitha e kuqe, me Partizanin që shijon këtë sukses 2-1 përballë Tiranës.