Korrupsioni në FIFA, Putin në mbështetje të Blater: Ndërhyrje e dëshpëruar e SHBA-së

472
Skandali i korrupsionit që ka përfshirë FIFA-n po shndërrohet gjithnjë e më tepër, ashtu siç pritej, në një krizë politike mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë.
Presidenti Vladimir Putin, i ka dalë në mbrojtje drejtuesit disavjeçar të institucionit të futbollit, Sep Blater, duke i quajtur arrestimet e ndodhura në Europë dhe Amerikë, si një përpjekje e SHBA-së për të penguar rizgjedhjen e zviceranit. Gjithashtu ai tha se ky skandal nuk do të prishë planet e Rusisë për të organizuar Botërorin 2018.
Putin: “Kjo nuk ka të bëjë fare me ne. Por natyrisht që unë kam mendimin tim për këtë çështje. Të premten duhet të ishin mbajtur zgjedhjet e FIFA-s dhe zoti Blater i ka të gjitha mundësitë për t’u rizgjedhur. Dhe ne e dimë se sa presion i kanë bërë atij për të anulluar të drejtën e Rusisë për të mikpritur Kupën e Botës 2018. Kjo është thjesht një tjetër përpjekje flagrante e amerikanëve për të ndërhyrë në juridiksionin e shteteve të tjerë”.
Putin gjithashtu ngriti dyshime të mëdha mbi arrestimet e bëra në Zvicër për llogari të drejtësisë amerikane, pasi sipas tij Shtetet e Bashkuara nuk kanë të drejtë të kërkojnë ekstradimin e zyrtarëve ndërkombëtarë, pasi rastet e dyshuara për korrupsion nuk kanë ndodhur në tokën amerikane.
Përveçse për korrupsion dhe pastrim parash, autoritetet zvicerane po hetojnë edhe proçesin e zgjedhjes së Rusisë dhe Katarit si vendet organizatorë të dy Botërorëve të ardhshëm, në vitin 2018 dhe 2022.
Sigal