‘Teuta’, ‘mbretëresha’ e Kategorisë Superiore 2020/2021

426
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Pas 27 vitesh mungesë ‘djemtë e detit’ rikthejnë në Durrës titullin kampion

Ditën e djeshme janë luajtuar, ndeshjet e fundit të vlefshme për sezonin futbollistik të Kategorisë Superiore 2020/2021. Një kampionat ky, për të cilin u luftua deri në 90 minutëshin e fundit, për titullin kampion, ku ‘Teuta’ dhe ‘Vllaznia’ luajtën gjithçka për të rikthyer titujt kampion në qytetet e tyre, por që në fund ‘djemtë e detit’ të udhëhequr nga trajneri Edi Martini, arritën të ngrenin në ‘qiell’, kupën që kishte 27 vjet që u mungonte durrsakëve. Gjithçka u vendos javën e fundit pasi ‘Teuta’ dhe ‘Vllaznia’ ishin me pikë të barabarta, dhe gjithçka do të vendosej nga golavarazhi i përgjithshëm. Shorti favorizoi ‘Teutën’ të cilët u përballën me ‘Apoloninë’ e rënë nga kategoria që prej disa javësh, duke i ‘shkatërruar’ këta të fundit me rezultatin 6-1, ku tre nga gola u shënuan nga vlonjati Dejvi Bregu, i cili fitoi dhe ‘Këpucën e Artë’ të këtij sezoni pasi arriti të shënojë 16 gola. Ndërsa, ‘Vllaznia’ pati një përballje jo të lehtë me ‘Laçin’, por që arriti ta fitonte me rezultatin 2-0, po pa mjaftuar për t’i rikthyer titullin kampion shkodranëve, duke u mjaftuar kështu vetëm me vendin e dytë në renditje.

Renditja përundimtare

Në vendin e tretë u rendit ‘Partizani’ në kuotën e 65 pikëve vetëm 1 pikë më pak se ‘Teuta’ dhe ‘Vllaznia’. Të kuqtë në javën e fundit u përballën me ‘ballshiotët’ e ‘Bylis’, me këta të fundit që luanin për 1 vend në Superiore për sezonin e ardhshëm, por që iu mohua nga ‘demat’ e Ilir Dajës duke humbur me rezultatin 2-4. Pas ‘Partizanit’ në renditje është ‘Laçi’. Një sezon fantastik ky për ‘kurbinasit’ e Shpëtim Duros të cilët arritën të grumbullonin 61 pikë. Poshtë ‘Laçit’ në renditje, në vendin e 5-të ndodhet ‘Tirana’ në kuotën e 58 pikëve. ‘Bardheblutë’ e Orges Shehit megjithëse pa asnjë objektiv të mbetur për këtë sezon futbollistik, bënë detyrën, ndeshjen e fundit duke fituar kundër ‘Skënderbeut’ me rezultatin 3-1. Nëse do ishin treguar më të kujdesshëm në disa ndeshje në ‘letër’ të lehta mund të arrinin dhe zonën e Kupave të Evropës. Poshtë ‘Tiranës’ në renditje ndodhet skuadra e ‘Kukësit’ e udhëhequr nga Mirel Josa, të cilët këtë javë u përballën me ‘Kastriotin’ ku u mundën me rezultatin 1-2, duke i mundësuar kështu ‘krutanëve’ një shanc për qëndrimin në Superiore për sezonin e ardhshëm.

Fituesi i ‘Këpucës së Artë’, Dejvi Bregu

Poshtë Kukësit në renditje ndodhet Skënderbeu  në kuotën e 37 pikëve, të cilët objektivi i vetëm që u ka ngelur këtë sezon është finalja e Kupës së Shqipërisë, kundër ‘shkodranëve’ të Brdariç. Tre vendet e fundit të renditjes mbyllen nga ‘Kastrioti’ në vendin e 8 me 35 pikë të grumbulluara, ‘Bylisi’ në vendin e 9 me 31 pikë të grumbulluara dhe ‘Apolonia’ në vendin e fundit me vetëm 21 pikë të grumbulluar në 36 javët e kampionatit. Këto dy të fundit tashmë janë zyrtarisht të rëna nga Superiorja, ku sezonin e rradhës do i lirojnë vendin ‘Dinamos’ dhe ‘Egnatias’, të cilat kanë siguruar kuafilikim pa pasur nevojë të luajnë ndeshjet e ‘play-off’-it. Ndërsa skuadra e ‘Kastriotit’ do të luajë dhe një ndeshjë këtë sezon ku do të përballet me ‘Tomorrin’ e Beratit, pasi këta të fundit arritën të mundnin ditën e djeshme skuadrën e ‘Burrelit’ duke siguruar kështu një “gjysëm-bilete”, për sezonin 2021/2022 të Kategorisë Superiore.  Dominanca e ‘Teutës’ dhe ‘Vllaznisë’ të këtij sezoni duket dhe në listën e golashënuesve, ku nga ‘top 5’ golashënuesit 3 janë të këtyre 2 ekipeve. Me Dejvi Bregun, i cili e ka çuar topin në rrjetë plot 16 herë këtë sezon, ndjekur nga dyshja e frikshme e sulmit të ‘Kukësit’, Eze dhe Ibraimi ku, secili prej tyre ka shënuar nga 15 gola, dhe mbyllet ‘top 5’ me dyshen e sulmit të ‘Vllaznisë’, Ardit Hoxhaj dhe Haris Dilaver ku kanë dërguar sferën në rrjetet respektivisht 12 dhe 11 herë.

Rezultatet e javës së fundit të Kategorisë Superiore