Ja si grabiten studentët nga “mafia” e universiteteve

406
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Studentët: Na u bë presion që ta paguajmë tarifën se në të kundërt, nuk do na lejojnë të hyjmë në provime

Studentët dhe aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin kërkojnë anulimin e tarifave studimore për këtë vit akademik. Kushtet e vështira të mësimit online, diskriminimi i vazhdueshëm ekonomik duke i detyruar të blejnë paketa interneti apo pajisje teknologjike, janë disa nga arsyet që studentët nuk pranojnë të paguajnë tarifën vjetore.

“Në këtë vit shkollor, mirë që kemi shpenzuar vetë për të bërë mësimin online, por në këmbim na kërkohen dhe tarifa të larta. Mësimi online  ka funksionuar vetëm formalisht”, thotë për “Telegraf” Xhovana Rajta, studente e gazetarisë.

“Prej mëse një viti mësim online – ku studentët janë përballur me diskriminim të vazhdueshëm ekonomik, të detyruar të paguajnë paketa interneti dhe të blejnë aparaturat e nevojshme teknologjike – Ministria e Arsimit dhe rektoratet e universiteteve publike, kanë vendosur të detyrojnë studentët t’i paguajnë të plota tarifat studimore, duke i kërcënuar me mospranim në provime. Në vend se t’u garantojë studentëve arsimim falas, sidomos në kushtet katastrofike të zhvillimit online të leksioneve dhe seminareve, qeveria u ka hequr oligarkëve të kromit rentën minerare, ka përgjysmuar tatimin e dividentit për korporatat dhe u ka mundësuar bizneseve të mëdha garanci sovrane në marrjen e kredive. Kjo tregon se në krye të qeverisë nuk janë përfaqësuesit e studentëve, familjeve të tyre dhe qytetarëve të thjeshtë, por shërbëtorët e oligarkëve. Sot, të shpërndarë cep më cep të vendit, mund të dukemi të pafuqishëm. Po zërin duhet ta ngremë si dhe sa të mundemi. Duhet të kërkojmë me çdo kusht heqjen e tarifave universitare për këtë vit akademik. Pastaj me rikthimin në auditorë, mllefi dhe organizimi ynë do ta vendosë një herë e mirë të drejtën në vend: arsim publik falas e cilësor, demokraci universitare dhe kultivim të mendimit kritik!” përfundoi Lëvizja për Universitetin.

Tarifa e universitetit do paguhet e plotë për vitin pandemik

Ky reagim vjen pas deklarëtës së Rektori të  Universitetit  të Tiranës, Artan Hoxha, ku deklaroi se tarifat do të paguheshin të plota.

Rektori Artan Hoxha sqaroi edhe njëherë se ndryshimi i tarifës është i pamundur. “Universiteti nuk duhet parë vetëm në një aspekt, universiteti është i gjithi shërbim për studentët. Ajo që është e shëndetshme është që universiteti të rritet, të forcohet, të japë programe konkurruese,” tha Hoxha. Ligji i arsimit të lartë i cili ngjalli debate dhe protesta të shumta nga studentët dhe pedagogët, duket se mund të ketë ndryshime.”

Rektori u shpreh se në takimin me kryeministrin Rama u diskutua jo formalisht edhe për hapësirat ligjore për arsimin e lartë. “Sot që flasim jemi akoma në verifikimin e disa hapësirave ligjore. Ajo që ka vuajtur në fakt ka qenë mosmbështetja e këtij ligji në kohë me aktet nënligjore,” tha ai. Në takimin mes rektorëve dhe kryeministrit vend kryesor në diskutim zuri ndërkombëtarizimi i diplomave shqiptare, në mënyrë që studentët të mos hasin probleme për t’u punësuar jashtë vendit.

Përpjekjet e studentëve për anulimin e tarifave janë të hershme, në qershor 2020 aktivistët dorëzuan një peticion me tetë mijë firma Ministrisë së Arsimit, ku gjatë grumbullimit përpara institucionit u proceduan penalisht katër organizatorët.

Në vend se t’u garantojë studentëve arsimim falas, sidomos në kushtet katastrofike të zhvillimit online të leksioneve dhe seminareve, qeveria u ka hequr oligarkëve të kromit rentën minerare.

KOSOVA ZERON TARIFAT PËR STUDENTËT

“Madje  studentëve u është bërë presion që ta paguajnë tarifën se në të kundërt nuk do na lejojnë të hyjnë në provime” shprehet Ardit Lipa.

Ai tregon se duke qenë shqiptar i Kosovës nga biseda me miq rezulton se në Kosovë tarifat janë hequr për studentët.

“Në Kosovë ua kanë zeruar tarifat”, thotë bindshëm ai.

Ky lajm më pas është bërë i ditur nga instatncat e Universitetit të Prishtinës, që njoftuan se qeveria ka miratuar zerimin e tarifave për nivelin bachelor dhe përgjysmimin e tarifave për nivelin master të studimeve. Mesa duket Kosova ka ndjekur shembullin me shumicën së vendeve të Evropës ku studentët janë stimuluar me heqjen e tarifave.

“S’e kam për detyrë! Ça do, ça do!”

Janë frazat më të shpeshta që dëgjon sa vë këmbën në zyrat e sekretarisë së Universitetit të Tiranës. Është kthyer në skandaloz procesi i kërkimit të një liste notash, ku studenti sorollatet sa një zyrë në një zyrë tjetër me pretekstin, që ‘ligji’ thotë se lista e notave duhet të merret 3 ditë pasi dorëzohet  mandat- pagesa, me këtë të fundit që nuk jepet kurrë pasi sekretaret hiqen si rektoret e fakulteteve, duke bërë kështu si u do qejfi, pa respektuar asnjë nga kërkesat e studentëve. Majde edhe më skandaloze është se, për listën e notave paguhet nga studentët.

Studentët po vidhen, ‘Rilindja’ ka fazën finale të agjendës së shpopullimit!

Av. Altin Goxhaj aktivist i shoqërisë civile prononcuar për gazetën “Telegraf” ka analizuar dhe ironizur vendimin se, studentët kanë për të paguar tarifa të plota, kur nuk bënë asnjë ditë mësim në auditore. Për rrjedhojë as drita, as internet, asnjë shpenzim nuk rëndoi mbi ta.

“Edhe pse viti akademik do të mbyllet online sipas vendimit të Universitetit të Tiranës, nuk do të ketë ulje të tarifave të studimit, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të studentëve”. Artan Hoxha, Rektori Socialist i Ut-së pastër dhe bukur! “Ju studentë që keni shpenzuar qimet e kokës për mësimin online, që keni bërë mësimin më të keq që është bërë ndonjëherë, do paguani njësoj! Sepse Zgjedhjet mbaruan, u kryen”. Tani pushteti absolut ka fazën finale të Axhendës së Shpopullimit! Dhe ata që janë më nën presion, të rinjtë e kanë të qartë që tani as mësim s’do bëni, por paratë do i paguani kokërr më kokërr! Megjithëse ekonomia është rrënuar, të ardhurat janë pakësuar, çmimet janë rritur, studentët do paguajnë njësoj! Askush nuk pyet sa internet është dashur për mësimin online, për kostot e pajisjeve të shtuara për shkak të detyrimit për mësim online. Sepse tani asgjë nuk e ndalon më ‘Rilindjen’ të bëjë pa asnjë pengesë gjithçka kundër popullit, sidoms të rinjve! Kush do ta ndalojë? Studentët sot po vidhen në mes të ditës dhe po priten në besë nga ata që kanë një jetë që e bëjnë, por tani të qetë dhe të sigurtë se nuk i ndalon më dot asgjë! Para zgjedhjeve kishte debat evaziv, tërhiq e mos këput për këtë çështje. Rrena me shumicë. Sipas të së njëjtës porosi partie në Kadastër me Artan Lamen. Edhe Rektori Artan Hoxha i njëjti soj dhe mbi të njëjtat urdhëra rreshtohet “gati këtu!” Mbajini me rrena sa të mbarojnë Zgjedhjet pastaj bjeruni! P.s. A duhet të reagojnë studentët?! Në dorë e kanë! Mirë bëjnë t’i kursejnë ato lekët që do ua vjedhin! Mjaftojnë të rrethojnë Rektoratin!!!”