Tërbuni mbetet “thatë”, FSHF-ja i tregon nenet që nuk e favorizojnë në Play-out

582
Sigal

Nga Agron KAJA

KATEGORIA E PARË/ Në prag të finales Vllaznia B-Orikumi, kërkesa e pukjanëve zbardh pikat e Rregullores së veprimtarive futbollistike

Federata Shqiptare e Futbollit, dje ka sqaruar klubin e Tërbunit për sa i përket rregullores, pasi klubi pukjan bëri një kërkesë për ta luajtur ndeshjen e play-out me Orikumin, pasi sipas tij, nëse Vllaznia bie nga Kategoria Superiore edhe Vllaznia B është e rrëzuar automatikisht, dhe nuk ka pse të luajë një ndeshje të tillë sot. Por, FSHF-ja me këtë sqarim ia ka prerë shpresat e Tërbunit, duke theksuar se këto janë interpretime të rregullores, duke sjellë reagimin e saj të plotë, bazuar në Rregulloren e Futbollit. “Federata Shqiptare e Futbollit, duke marrë shkas nga disa publikime që lidhen me interpretimin e rregullores së veprimtaritë futbollistike dëshiron të bëjë me dije si vijon: Neni 98/3 i Rregullores, parashikon se skuadrat e renditura përkatësisht në vendin e 9-të të Grupeve A dhe B, do të zhvillojnë ndeshje play-off me skuadrat e renditura në vendin e 2-të të Grupeve A dhe B të Kategorisë se Dytë. Përkatësisht, vendi i 9-të i Kategorisë së Parë i Grupit A, do të zhvillojë ndeshje play-off me një takim me vendin e 2-të të Grupit B të Kategorisë së Dytë. Sakaq, vendi i 9-të i Kategorisë së Parë i Grupit B, do të zhvilloje ndeshje play-off me një takim me vendin e 2-të të grupit A të Kategorisë së Dytë”, sqarohet fillimisht në reagimin e FSHF-së, e cila qartëson edhe rastin e dy Vllaznive: A dhe B. “Dispozita e Nenit 98/4, e referuar gjerësisht në opinionin sportiv për shkak të gjendjes sportive të Vllaznisë, ndalon luajtjen në të njëjtën kategori të ekipeve A dhe B, gjë e cila, konform rregullores nuk ndodh aktualisht, pasi ekipi i Vllaznisë A luan në Kategorinë Superiore, ndërsa Vllaznia B luan në Kategorinë e Parë. Në interpretim të nenit 98/4 të Rregullores, ndalesa është që, ekipet A dhe B të luajnë brenda të njëjtit sezon në të njëjtën kategori. Në këto kushte, pa paragjykuar rezultatet e ndeshjeve të mbetura të Kategorisë Superiore, nuk ka arsye të bazuar në rregullore për të shtyrë takimin play-out midis Vllaznia B dhe Orikumit, planifikuar për t’u luajtur në datën 18 maj 2018. Aq më pak, nuk ka asnjë bazë ligjore, që ky takim të luhet midis ekipit të Orikumit dhe Tërbunit, i cili konform nenit 98/2 të Rregullores, ka rënë automatikisht nga Kategoria e Parë”, ishte ky sqarimi që FSHF-ja ka publikuar dje në faqen e saj zyrtare, duke e lënë në të “thatë” Tërbunin, lidhur me interpretimin që i kanë bërë pukjanët Rregullores për finalen e Play-out-it.

RREGULLORJA/ NENI 98

Ngjitja dhe rënia nga kategoria

  1. Në përfundim të sezonit përkatës, klubet e renditura përkatësisht në vendin e 1-rë në Grupin A dhe në Grupin B të Kategorisë e Parë, ngjiten menjëherë në Kategorinë Superiore.
  2. Në përfundim të sezonit përkatës, klubet e renditura përkatësisht në vendin e 10-të të Grupeve A dhe B, zbresin automatikisht nga Kategoria e Parë në Kategorinë e Dytë.
  3. Në përfundim të sezonit përkatës: a) skuadrat e renditura përkatësisht në vendin e 9-të të Grupeve A dhe B, do të zhvillojnë ndeshje play-off me skuadrat e renditura në vendin e 2-të të Grupeve A dhe B të Kategorisë se Dytë. Përkatësisht: b) vendi i 9-të i Kategorisë së Parë i Grupit A (Vllaznia B), do të zhvillojë ndeshje play-off me një takim me vendin e 2-të të Grupit B të Kategorisë së Dytë (Orikumi). c) vendi i 9-të i Kategorisë së Parë i Grupit B (Shkumbini), do të zhvillojë ndeshje play-off me një takim me vendin e 2-të të grupit A të Kategorisë së Dytë (Veleçiku).