Sigal

Flet për “Telegraf” Mjeshtri i Madh i shtangës shqiptare, ja këndvështrimi i tij për situatën pas ndëshkimeve nga Evropa e Bota

FARUK KALLESHI

Peshëngritja nuk i ka humbur vlerat nga drejtimi i abuzuesve, tradita dhe realiteti po sjellin ndryshimin

Nga Agron KAJA

Ka kohë që ju shoh të paangazhuar në pedanat e shtangës, çfarë ka ndodhur me Faruk Kalleshin?

Asgjë nuk ka ndodhur, por kjo është një periudhë e shkurtër aksilirimi, sepse pas zgjedhjeve të fundit që u zhvilluan në FSHP, mua nuk më ftuan. Edhe pse jam me titull të lartë sportiv, dhe njëherësh sekretar i përgjithshëm i veteranëve të peshëngritjes, “çuditërisht” ish-federata më “harroi”.

Si e mendoni ju këtë “harresë”që ju ka detyruar të qëndroni larg shtangës?

Askush nuk më largon mua dot nga shtanga, por sjellja e ish-ëve në federatë krijuan një distancë e moment ftohjeje, e cila ka filluar të largohet. Kam qenë shumë kritik për punën e atyre që e drejtuan peshëngritjen në pesë vitet e fundit, jo për të evidentuar arritjet e mia, se ato kanë folur dhe flasin vetë me zë të lartë.

Nisur nga ky këndvështrim, si e përshkruani situatën në peshëngritjen shqiptare sot?

Peshnëgritja jonë është një sport me një traditë shumëvjeçare, ku brezat kanë “lidhur” mes tyre rezultate të larta në nivelit Evropian e Botëror. E evidentueshme kjo është tek meshkujt, pasi te femrat pas largimit tim nga drejtimi i tyre, cilësia ka rënë ndjeshëm.

Si e përshkruani situatën e peshëngritjes, nisur nga historia dhe të përshtatur në këtë realitet?

Nëse së pari prekim historinë, peshëngritja tashmë është e njohur si pjesa më cilësore e sporteve në Shqipëri. Duke qenë pjesë e asaj periudhe, them se ne kemi bërë një peshëngritje “bio” në të gjitha kuptimet: përgatitore-teknike-garuese. Ajo periudhë ka nxjerrë mjeshtër të paarritshëm në këtë periudhë.

Po peshëngritja sot, si vjen në këndvështrimin e një Mjeshtri të Madh të saj?

Dhe si mund të mos kujtoj atë periudhë të zezë që FSHF-ja kaloi nën drejtimin e Elez Gjozës si President i saj, dhe Agron Haxhihysenit sekretar. Njollën e zezë që ata i lanë shtangës sonë, do shumë punë e kohë që të lahet. Por kam shumë besim se Presidenti i ri, Dhori Masllavica dhe Kryesia e Federatës, do ta futin peshëngritjen në shinat e dikurshme.

Cilët janë, sipas jush, faktorët më evidentë të kësaj gjendjeje që po përshkruani?

Unë e shoh kryesisht në menaxhimin e drejtimin e FSHP-së (ata që u larguan me turp), sepse nuk e kanë mbështetur punën e trajnerëve të pasionuar në peshëngritje. Edhe pse në kushte të vështira infrastrukturore, trajnerët kanë punuar me përkushtim e intensitet, dhe prej tyre kanë dalë kampionë të mëdhenj.

Peshëngritja shqiptare ka marrë një ndëshkim nga Evropa e Bota e shtangës, është kjo pjesë e këtij qëndrimi nga ana juaj?

Patjetër që po, sepse keqmenaxhimi i ish-presidentit të federatës, Elez Gjoza, dhe i sekretarit të përgjithshëm të saj, Agron Haxhihyseni, e çuan peshëngritjen në këtë situatë, që mori ndëshkimin që ju përshkruat. Këta janë personat “Non grata” për shtangën shqiptare.

Tashmë drejtuesit e FSHP-së janë ndryshuar, kanë sjellë ndryshim ata në atmosferën e peshëngritjes shqiptare?

Së pari, më duhet të them se, në krye të peshëngritjes sot është zgjedhur një President me integritet në shoqërinë tonë. Zotin Dhori Masllavica e vlerësoj në maksimum për çfarë ka filluar të bëjë në Federatë, por edhe si personin që krijoi të vetmin ekip privat të peshëngritjes në Shqipëri.

Ky ndryshim i ri në FSHP, ju ka nxjerrë nga pasiviteti që jua u krijuan ata, ish-drejtuesit “Non grata”?

Në fakt, unë jetoj në çdo moment me peshëngritjen, dhe më shumë me sportistët elitarë. Nga FSHP-ja e re kemi çdo hapësirë kontakti me këtë sport, ndryshe nga ajo federatë e Elez Gjozës dhe e Agron Haxhihysenit, të cilët e kishin manipuluar gjithë opinionin me mashtrimet e tyre, e që sollën situatën e ndëshkimit, që tashmë po e vuajnë peshëngritësit.

Cili është mesazhi juaj sot për shtangën shqiptare?

Kam dëshirën e mirë që peshëngritja të qëndrojë në pararojën e të gjitha sporteve në Shqipëri, siç ka qenë dikur, “bio”. Duke i ruajtur vlerat e mira, kam besim se trajnerët dhe te komuniteti i peshëngritjes, që të kontribuojnë në ndryshimin cilësor, në traditën e madhe ndër vite.

Karriera e Mjeshtrit të Madh të Peshëngritjes, Faruk Kalleshi për rekord Guinnes

“E kam nisur peshëngritjen në vitin 1964 si Kampion absolut në peshën 52 kg, dhe e kam lënë këtë sport pas 21 viteve në Spartakiadën Kombëtare me tre Medalje Ari, pasi isha kthyer nga suksesi që arrita në Kampionatin Evropian në Spanjë në vitin 1984. Duke qenë Kampion absolut në këtë peshë, 116 Rekordet Kombëtare që unë kam thyer gjatë karrierës, FSHP-ja ka menduar për aplikim në Rekordin Guinnes. Presim! Gjithsesi, unë jo vetëm që jetoj me të shkuarën time si sportist, por përshtatem edhe me këtë realitet të peshëngritjes, kryesisht me ndryshimet e reja që kanë nisur. Admiroj sukseset e peshëngritësit Kampion Evrope, Briken Calja, Erkand Qerimajn, Daniel Godellin dhe të riun me perspektivë Kristi Ramadani. Pse jo, edhe këta po i quaj nga ana ime, teknikisht si një Gunnes shqiptar”.

Dhori Masllavica (President i FSHP-së)

Veteranët janë vlerë e peshëngritjes, të cilët nuk duhet ti humbasim

Në këtë këndvështrim të Mjeshtrit të Madh të Peshëngritjes shqiptare, Faruk Kalleshit, hyri si me “magji” biseda me Presidentin aktual të FSHP-së, Dhori Masllavica. Me kulturën e thjeshtësinë e tij, Masllavica përcolli jo vetëm konsideratat për Mjeshtrin Kalleshi, por edhe për punët në drejtimin e ri të federatës. “Unë i quaj vlerë të peshëngritjes të gjithë veteranët e këtij sporti, dhe Faruk Kalleshi natyrisht që mbetet në krye të këtij vlerësimi. Pas marrjes së drejtimit të FSHP-së, së pari jemi munduar që të heqim nga vëmendja atë imazh që peshëngritja morri nga ndëshkimet e fundit në Evropë e në Botë. Puna jonë është e hapur në çdo aspekt, duke filluar me ndryshimin e komisioneve, sistemin Adams të dopingut dhe ngritjen e këshillit të trajnerëve. Gjithsesi, kjo bisedë me Mjeshtrin e Madh Faruk Kalleshi, na mundësoi të themi këto fjalë me modesti e seriozitet”, ishte kjo deklarata e djeshme e Presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Dhori Masllavica.

Më duhet ta them!

Agron KAJA

Gazetar sportiv, gazeta “Telegraf”

Duhen radhë kilometrike për të përshkruar madhështinë e Mjeshtrit të Madh të Shtangës, Faruk Kalleshi

Rreth 40 vite në profesionin e gazetarit sportiv, më është dhënë mundësia që të njoh dhe të prek nga afër vlerat e sportit shqiptar ndër vite, njëherësh edhe të individëve që kanë shkruar historinë me talentin e tyre. Edhe pse në fokusin tim ka qenë dhe mbetet radiokronika sportive, nuk më kanë munguar radhët në disa gazeta periodike dhe sportive. Në këtë dekadë që shkruaj për sportin në gazetën “Telegraf”, në kreun e rreshtave pafund, ka zënë vend “Gjiganti” i shtangës shqiptare, Mjeshtri i Madh, Faruk Kalleshi. Ndjehesh i emocionuar kur shikon albumet me fotografi të Farukut, kur lexon shkrime, intervista e opinione kushtuar vlerave sportive të tij në gazeta shqiptare e të huaja, të cilat datojnë në më shumë se 50 vite më parë. Aty është “magazinuar” një pjesë e karrierës së Mjeshtrit të Madh, Faruk Kalleshi, por jo e tëra. Sepse detajet e së shkuarës, por edhe të aktualitetit në Peshëngritjen shqiptare, Faruku i sjell sikur në moment i përjeton. Duhen radhë kilometrike për të përshkruar madhështinë e këtij Mjeshtrit të Madh të Shtangës, por edhe ato nuk arrijnë që të kapin madhështinë e tij në këtë sport burrëror. Një jetë mes shtangës, pranë shtangës dhe jo larg saj, kështu e kam njohur dhe po e përjetoj Faruk Kalleshin. Shtati i tij, sot “fundos” edhe heronjtë e viteve, që me shtangën kanë mbetur shumë prapa në kohë, ide e mendime.