Takaj dhe Idrizi ndezin sfidën, të dy “bombardojnë” vetëm me fitore

594
KATEGORIA SUPERIORE/ Për kryendeshjen e javës së 19-të, flasin dy presidentët e skuadrave, reagojnë Shehi dhe Alvesh
E PREMTE 9 SHKURT 2018, ORA 18:00 NË KORÇË, SKËNDERBEU-FLAMURTARI

Ardian Takaj (Skënderbeu)

E kemi vlerësuar normalisht këtë takim, por nuk e mbivlerësojmë aspak si kundërshtar. Kjo do të jetë një ndeshje, e cila nga ana jonë do të luhet me synimin e vetëm, fitoren. I kemi të qarta synimet tona, dhe kryesimin e Kategorisë Superiore e quajmë edhe si një përqendrim më i madh në realizimin e objektivit për ta fituar këtë Kampionat
Sinan Idrizi (Flamurtari)
Ne e kemi skuadrën të konsoliduar dhe me përbërje shumë të mirë, të cilën u munduam ta kompletonim që në merkaton e verës. Gjatë janarit bëmë disa përforcime, dhe mendoj se këtë javë do ti jepet mundësia mesfushorit Muarem të tregojë vlerat e tij. Duke shtuar edhe mbrojtësin Bicaj, sfidën në Korçë besoj se do ta kalojë me sukses
Takaj: Është ndeshje e fortë, luajmë për fitore
Dje, një pas zhvillimit të punimeve të Asamblesë zgjedhore të FSHF-së, Presidenti i skuadrës së Skënderbeut ka qenë i përqendruar vetëm te ndeshja e sotme, ku skuadra e tij do të ketë mysafir Flamurtarin e vendit të dytë. Në deklarimin e tij për gazetën “Telegraf”, Takaj theksoi se kjo është një ndeshje e fortë, por që Skënderbeu i tij luan vetëm për fitore. “Më Flamurtarin sfidat kanë qenë gjithmonë të forta dhe të vështira, si në fushën tonë, ashtu edhe kur kemi luajtur në Vlorë. Jo vetëm se aktualisht vlonjatët renditen në vendin e dytë, por edhe për faktin se kanë një përbërje të mirë, njëherësh edhe një trajner që e ka drejtuar Skënderbeun më parë”, kështu e nisi bashkëbisedimin Ardian Takaj, i cili më pas tregoi edhe synimin e skuadrës së tij në këtë përballje. “Të gjitha këto tregojnë se ne e kemi vlerësuar normalisht këtë takim, por nuk e mbivlerësojmë aspak si kundërshtar. Kjo do të jetë një ndeshje, e cila nga ana jonë do të luhet me synimin e vetëm, fitoren. I kemi të qarta synimet tona, dhe kryesimin e Kategorisë Superiore e quajmë edhe si një përqendrim më i madh në realizimin e objektivit për ta fituar këtë Kampionat”. Ndërkohë, për Presidentin e skuadrës kryesuese të Kategorisë Superiore 2017-2018, paraqitja e mirë që ka bërë Skënderbeu në ndeshjet e luajtur në Evropë gjatë vitit të kaluar, i kanë dhënë më shumë përvojë për tu përballur i denjë me çdo kundërshtar. “Ne luajtëm në shumë ndeshje në Evropë gjatë vitit të kaluar, e besoj se skuadra e ka marrë përvojën e duhur që të jetë e denjë dhe ambicioze me çdo kundërshtar në vazhdim. Kjo situata është edhe për ndeshjen e nesërme (sot) me Flamurtarin”, kështu e mbylli deklarimin e tij Ardian Takaj, Presidenti i skuadrës së Skënderbeut, lidhur me ndeshjen që do ta luajnë sot në ora 18:00 në Korçë.
Idrizi: Në Korçë, do ta mundim Skënderbeun
Për Presidentin e Flamurtarit, Sinan Idrizin, vëmendja kryesore e skuadrës së tij është e përqendruar në të gjithë shtrirjen e këtij sezoni, që sipas tij, është në pikun e përcaktimit të verdikteve. Sipas Idrizit, Flamurtari po kalon një situatë shumë të mirë, dhe kjo nuk e ndryshon synimin për të marrë tri pikët në Korçë. “Aktualisht ne kemi një skuadër të konsoliduar, dhe nuk mendoj se jemi rastësisht në vendin e dytë në renditje. Edhe pse pritshmëritë i kishim për më shumë, gjithsesi, jemi në një situatë që ndaj çdo kundërshtari synojmë maksimumin”, kështu theksoi fillimisht Sinan Idrizi për gazetën “Telegraf”, ndërsa në këtë përballje, nuk e merr parasysh bilancin historik në 10 vitet e fundit. “Media atë detyrë kanë, të gjejnë detaje për çdo sfidë që luhet, dhe në rastin tonë për ndeshjen nesër (sot) me Skënderbeun, kjo na ndihmon shumë. Sepse kur “zbulohet” ky detaj, se ne kemi gati 10 sezone pa fituar në stadiumin “Skënderbeu”, nuk nëvleftësoj gjendjen e skuadrës sonë për ndeshjen e radhës”. Në përballjen e sotme Skënderbeu-Flamurtari që do të luhet sot në ora 18:00 në stadiumin “Skënderbeu” të Korçës, për vlonjatët do të ketë një formacion të konsoliduar, që sipas Presidentit Idrizi, janë dy forca që mendohen pjesë e garancisë për synimin. “Ne e kemi skuadrën të konsoliduar dhe me përbërje shumë të mirë, të cilën u munduam ta kompletonim që në merkaton e verës. Gjatë janarit bëmë disa përforcime, dhe mendoj se këtë javë do ti jepet mundësia mesfushorit Muarem të tregojë vlerat e tij. Duke shtuar edhe mbrojtësin Bicaj, mendoj se skuadra është tërësisht e kompletuar që sfidën në Korçë ta kalojë me sukses. Për këtë jam i bindur”, kështu deklaroi dje për gazetën “Telegraf” Presidenti i FK “Flamurtari”, Sinan Idrizi.
8 pikë
Kjo është diferenca që skuadra e Skënderbeut si kryesuese e 18 javëve të Kategorisë Superiore, ka me Flamurtarin që renditet në vendin e 2-të
2 ndeshje
Gjatë këtij sezoni, Skënderbeu e Flamurtari kanë ndeshur 2 herë në Kampionat. Në javën e parë Skënderbeu fitoi 2-0, në javën e 9-të barazim 1-1 
BILANCI 
NË 20 VITET E FUNDIT
Ndeshje të luajtura 43
Fitore Skënderbeu 21
Fitore Flamurtari 16
Barazime 6
Golavarazhi 54:51
Sigal