Surprizë në Francë, PSG e mund ekipi i fundit në klasifikim

449
Sigal

Ndeshjet e kësaj jave në kampionatin francez kanë filluar me një surprizë pasi PSG është mundur me përmbysje dhe jo nga një ekip dosido. Parisienët sot kanë humbur përballë skuadrës e cila mbante vendin e fundit në renditjen e Ligës 1, Dizho.

Në ndeshjen në transfertë, Tuhel kishte hedhur në fushën e lojës një rreshtim të mbushur me yje dhe me treshen Di Maria-Mbape-Ikadri nga minuta e parë në sulm. Ishte pikërisht francezi ai që shënoi golin e avantazhit kur regjistrohej minuta e 19 e sfidës dhe të gjithë menduan se kjo do të ishte goelada e radhës.

Por përtej dominimit parisien, vendasit gjetën barazimin në shtesën e pjesës së parë me Shuiar dhe në fillimin e të dytës, shënuan shpejt me Kadiz duke përmbysur shifrat. PSG provoi gjithçka për të shënuar përsëri, duke futur në fushë edhe Kavani e Draksler, por nuk arriti të dërgonte topin në rrjetën e Dizho, duke pësuar humbjen e tretë të sezonit.

Një humbje që më shumë dëmton imazhin e klubit se situatën në kampionat, pasi PSG ka krijuar një distancë të ndjeshme ndaj ndjekësve më të afërt dhe aktualisht është 8 pikë para Nantës së vendit të dytë.