Superiorja/ Tirana fiton me përmbysje ndaj Laçit, Kukësi dhe Bylisi ndajnë nga 1 pikë

104
Sigal

Viti 2023 ka nisur mbarë për ekipin e Tiranës, pasi kryeqytetasit kanë fituar me përmbysje në transfertë ndaj Laçit, me rezultatin 1-2.

Ndeshja ashtu siç pritej, ka nisur me një ritëm të lartë, kur kurbinasit gjetën avantazhin që në minutën e dytë të lojës me Shkurtajn. Tirana nuk u dorëzua, pasi në fundin e pjesës së parë barazuan rezultatin me anë të Lulaj në minutën e 45-të.

Gjatë fragmentit të pjesës së dytë, kampionët në fuqi përmbysën rezultatin, konkretisht në minutën e 51-të me Hasanin. Me këtë fitore, Tirana vazhdon të qëndrojë në vendin e dytë të tabelës me 28 pikë, një më pak se Partizani.

Ndeshja tjetër ka qenë ajo mes Bylisit dhe Kukësit, ku rezultati përfundimtar ishte 0-0. Ndeshja kishte intensitet të lartë dhe ndërhyrje, ku kjo gjë u dallua që në pjesën e parë pasi u morën në total tre kartona të verdhë. Pjesa e dytë kishte edhe dy kartona të kuq.

Qoshku i Bylisit mori kartonin e parë të kuq dhe më pas ishte Barbosa nga Kukësi i cili u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.