SUPERIORE/ Rezeart Dabulla: Skema e re e FSHF-së, një absurd teorik!

49

Rezeart Dabulla analizon situatën përgatitore për sezonin e ri, ka edhe kritika

Sigal

 Agron Kaja

Agron Kaja

 

“Nëse do implementohet skema e re e FSHF-së (Final 4), ajo edhe mund t’u prishë punë disa skuadrave. Sepse ato nuk kanë interes me atë formulë që i zeron mundin e luftën e 36 javëve kampionat”

Edhe tre javë duhen që Abissnet Superiore të nisë ruletën e 36 javëve të Kampionatit të 85-të Kombëtar të Futbollit. Kalendari ende nuk është shpallur, pasi nga FSHF-ja nuk është hedhur shorti, sepse ajo ka menduar që t’i bëjë një shtesë formulës së kampionatit të kësaj kategorie. Dhe rreth kësaj dileme e nisi dje bisedën ish-futbollisti i Tiranës, Rezeart Dabulla, i cili për gazetën “Telegraf”- shprehet se i duket si një absurd loja me ato ndeshjet finale për titullin kampion. “Nëse do implementohet skema e re e FSHF-së (Final 4), ajo ndoshta edhe mund t’u prishë punë disa skuadrave. Sepse nuk kanë interes financiar dhe professional me atë formulë, që i zeron mundin e luftën e 36 javëve. Mund t’i nxjerrë edhe jashtë Europës skuadrat që do të grumbullojnë pikë më shumë dhe renditje më të lartë në 36 javë. Më duket një formulë, e cila sikur nuk ka rëndësi që kampionati do luhet në 36 javë, dhe kështu ajo e rrëzon teorinë e kampionatit. Absurd më duket, sikur kampionati luhet vetëm në katër javë”, kështu e analizon Rezeart Dabulla situatën para hedhjes së shortit të Abissnet Superiore. Ndërkohë ai vlerëson edhe punën që kanë bërë pjesa më e madhe e skuadrave në këto përgatitje për sezonin e ri futbollistik 2023-2024. “Skuadrat si Tirana, Partizani dhe Egnatia, kanë bërë ekipe me lojtarë të mirë dhe të fortë. Partizani për të ruajtur titullin kampion, e Tirana për ta rimarrë humbjen e titullit në kampionatin e kaluar. Lëvizjet në merkato janë normale, dhe duke i parë të gjitha hyrje e daljet, ndoshta mund të themi se do të kemi një kampionat më ndryshe nga sezoni i kaluar”. Por, për Dabullën ka shumë rëndësi edhe situata pa trajner te skuadra e Erzenit. “Këto situatat që kalon Erzeni pa trajner, si në kampionatin e kaluar, nuk tregojnë stabilitet te kjo skuadër. Kështu do ketë probleme për përgatitjen e skuadrës, sepse duhet që ekipet të jenë të formuara me një fazë përgatitore dhe me një trajner të shpallur. Sikur jemi në ajër për skemën, jemi në ajër edhe për trajnerët, apo për sponsorat që do kenë në drejtim skuadrat. Ndryshe do të ndodhë me ato skuadra që e kanë marrë seriozisht, e në realitet, duket se do të kemi dy të kundërta në këto përgatitje. Në thelb, futbolli ynë elitar do të humbasë shumë vlera me këtë ritëm përgatitor, pa busull drejtuese”,- kështu e mbylli bisedën ish-futbollisti i Tiranës, Rezeart Dabulla, i cili bën apel që këto ditë deri në startin e Superiores më 19 gusht, të shfrytëzohen me profesionalitet nga trajnerët.

Bankina pa emër, si orkestër pa dirigjent

Mirel Josa në sfond për bankinën? Ndoshta po! Por për skuadrën e Erzenit të Shijakut, në këtë merkato të verës po mbahet në qendër të vëmendjes bankina. Nuk ka trajner të parë dhe ky rast nuk duhet nënvleftësuar, i cili krahasohet si një “orkestër pa dirigjent”. Teksa shohim lëvizjet në skuadrat e tjera dhe e krahasojmë me Erzenin, një “re e zezë” sikur bie mbi këtë skuadër. Por, Mirel Josa mbetet në horizont si shpëtim për bankinën shijakase, dhe për këtë të presim.

Katërkëndorët e Superiores në reformë

Merkato e verës në Abissnet Superiore ka qenë e lëvizshme edhe për portierët, të cilët nga sezoni i kaluar kanë ndryshime në shtatë skuadra. Tirana, Partizani, Teuta, Laçi, Vllaznia, Dinamo dhe Skënderbeu, nuk do të kenë portierët e sezonit të kaluar. Bekaj iku nga Tirana dhe ka kaluar te turqit e Hatajsporit, në vendin e tij vjen Selmani nga Laçi. Partizani largoi Rexhepin dhe mori në skuadër Qirkon e Teutës. Vllaznia nuk i dha besim Zogoviç dhe i ka besuar portën Qarrit, ndërsa nga Skënderbeu u largua Ruçi për të besuar Marko Alinë nga Italia. Dinamo ka afruar ish-portierin Sali të Kastriotit, Laçi do rikthejë Dajsinanin në portë, Teuta merr Demon pas ikjes së Qirkos. Pra, në 70% katërkëndorët janë në reformë.