Sportistët e ekranit/ Flet për “Telegraf” Pano Xhixho, Kampioni i Notit që sot drejton Departamentin e Sportit në RTSH

627
Futbolli shqiptar nuk meriton kaq shumë Rubrika Sportive 
Sporti në ekran, le të jetë pronë e njerëzve të sportit 
Nga Agron KAJA
Një ish-kampion noti, sot një gazetar sportiv, madje drejtuesi numër një i departamentit të sportit në Televizionin Publik Shqiptar. E solli jeta këtë situatë apo pasioni juaj?
Vetëm pasioni. Jam njeri pasionant dhe sporti ka udhëtuar së bashku me mua, që i vogël. 
Nëse ju mund ta veçoni, cila është lidhja që kanë mes tyre sporti i notit me gazetarinë sportive, përgjigja naive do të ishte sporti, por po të qëndrosh pak dhe të thellohesh, ka shumë pika që bashkohet. Meqë më kërkoni ta veçoj: puna. Pa punë, nuk arrin asgjë në jetë. Duket si një postulat i dëgjuar dhe i shkruar shpesh, por kur kujtoj sa kam punuar në sport dhe sa punoj aktualisht, e kuptoj që puna diku do të shpërblehet. Jam mësuar me edukatën e punës. Madje edhe kafet, në një farë mënyre, “i përdor” për të mirë të punës. 
Deri tani keni një karrierë të gjatë në gazetarinë sportive e, në veçanti në televizion, a e kishit menduar të tillë rrugëtimin?
E kam nisur në televizion, madje me krenari e kujtoj kohën kur kemi qenë një grusht njerëzish në Top Channel (që ende nuk kishte nisur transmetimin) dhe që mua më afroi si gazetar, ai që u ngarkua i pari të merrej me sportin në Top Channel, Dritan Lundra. Të bësh gazetarin sportiv në televizion duhet të plotësosh shumë kritere. Nuk ka qenë e lehtë dhe nuk është aktualisht. Rrugëtimin as nuk e kisha imagjinuar, sepse të jesh pjesë e emisioneve sportive në ekran, është një mundësi që nuk e kanë të gjithë. Ndihem njeri me fat. 
Si ndjeheni sot në pozicionin e një drejtuesi i Departamentit të Sportit në TVSH?
E vërtetë është se e shijoj çdo sekondë, hyj në punë dhe thuajse harroj familjen. Jam përpjekur që nga dita që kam marrë këtë detyrë, të bëj gjithçka, që mos të më ngelet peng në të ardhmen. Kam ardhur me projekte dhe ide të qarta dhe nuk do resht së përpjekuri që ti arrij. Kam marrë “mungesa” në pjesën tjetër të jetës, atë familjare, por ndoshta jam “i bekuar” që më rrethojnë në familje njerëz që më mirëkuptojnë. 
E e kujton Pano nisjen e kësaj karriere në gazetarinë sportive shqiptare?
Patjetër. Kujtoj lajmin e parë. Siç e thashë, e nisa në Top Channel dhe punonim për të formuar arkivin sportive të atij kanali edhe kur nuk ishim në transmetim. Kontakti im i parë me lajmin, ishte një Asamble e sportit të peshëngritjes. E ndoqa deri në fund, mora edhe intervistat, pasi shkrova lajmin, kërkova redaktimin e Kryeredaktorit të lajmeve në atë periudhë, Enkel Demi. Ai erdhi, u ul në kompjuterin ku kisha shkruar materialin, dhe çdo fjali që lexonte po e përzgjidhte. Kur erdhi fundi i materialit (i gjithi ishte përzgjedhur), Keli shtypi butonin “delete”(fshij). Kisha gjithë ditën që punoja për lajmin e parë, por kryeredaktori shumë i qetë, mu kthye dhe më tha: Ku qëndronte lajmi këtu?! U zgjata pak, për të treguar kartolinën e mirë se ardhjes në gazetari. 
Si momente që ju ka lënë më shumë mbresa, kujtime apo emocione më të veçanta: shkrimi në gazetë apo drejtim departamenti sportiv?
Emocion të krijon çdo punë që e bën me qejf të madh. Unë, edhe nëse do të vazhdoja në profesionin e juristit, gazetat sportive do të ndiqja dhe lexoja, apo në televizion, sport do të shikoja. Shkrimi në gazetë, të shijon më shumë, po flas në momentin kur botohet. E shikon, e lexon, e tregon, e rilexon, ke qejf të ndërhysh përsëri. Gazetaria televizive është diçka tjetër, sepse nuk e shikon veten në transmetim dhe ritransmetimi nuk të jep asnjë emocion. Pastaj drejtimi i një departamenti sportiv është diçka tjetër. Është menaxhim më shumë, sesa gazetari, edhe pse më vjen keq ta them këtë të fundit. Emocionet e punës së një gazetari lidhen edhe me çastet dhe momentet që shënojnë rrugëtimin e tij. Unë akoma “ndiej” aromën e Jerevanit të Armenisë. Ditën që Shqipëria u kualifikua për në Evropianin e Francës, nuk do ta harroj kurrë. Ai po, që ishte emocion. Nuk i jam kthyer kurrë t’i rishikoj në arkiv intervistat pas ndeshjes, sepse mund të kem bërë plot gabime. Dua të ruaj në kujtesë, vetëm emocionet që kisha atë natë. 
Çfarë do të veçonit, se ka ndryshuar për mirë dhe çfarë mendoni se ende nuk është në nivelin e kohës, kryesisht në futbollin shqiptar?
Nuk ka gjë që ndryshon për keq me zhvillimin. Thjesht, ndonjëherë duhet parë tempi i zhvillimit. Të mira ka. Terrenet ku luhet kategoria Superiore, transmetimi i të gjitha ndeshjeve direkt. Por patjetër, që ka shumë punë për t’ia kthyer futbollin tifozëve. Kjo, është motoja e re edhe e Gianni Infantino-s në krye të FIFA-s, sepse ne kemi ende shkallët e stadiumeve bosh, a thua se në Shqipëri luhet vetëm Tirana-Partizani. Futbolli ynë nuk po prodhon më talentet e dikurshme. Kemi fatin që jemi një komb prej 10 milion banorësh dhe kemi shumë emigrantë kudo, por do të ishte mirë, të kishim “produktet” tona. 
Në TVSH ju keni futur larmi emisionesh e ndeshjesh sportive. E plotësojnë këto këndvështrimin tuaj profesional?
Për një televizion gjeneralist si TVSH-ja, jam i ndërgjegjshëm që ka shumë sport, më shumë se duhet. Mjafton të shikosh transmetuesit e tjerë publikë në Evropë dhe e kupton se: Kampionat kombëtar futbolli (dy kategori), Evropa League, Euroleague, Moto GP, NBA, Ndeshjet eliminatore të Shqipërisë dhe gjithë përfaqësueseve të tjera, pra katër emisione sportive javore janë shumë. Por kjo do të zgjidhet shumë shpejt. Madje ka filluar. Së shpejti del paketa digjitale e RTSH, ku sporti do të ketë një kanal të dedikuar, RTSH Sport. Aty mendoj se do të arrij dhe do të plotësoj atë që kam dëshirë në ekran. 
Në TVSH keni dy Rubrika Sportive, Superioren dhe Kategorinë e Parë. Me çfarë vështirësi ndesheni deri në ditën e transmetimit?
Me vjen keq ta pranoj, që puna në RTSH e ka vështirësinë bashkëngjitur. Mu prezantua gati e pamundur të bëja një Rubrikë edhe për Kategorinë e Parë, duke më radhitur pafund problemet, por ja që e arritëm dhe më vjen mirë që është i vetmi emision në tregun mediatik, që tenton të sjellë në ekran, gjithë momentet dhe golat e 20 qyteteve të tjera që nuk janë vërtetë në Superiore, por që luajnë dhe prodhojnë futboll. Madje, duke parë ekipe si Dinamo, Tomori, Besa, Lushnja, Apolonia, Besëlidhja, Elbasani, Bylis dhe ndonjë tjetër, unë nuk shikoj shumë diferenca mes emrave të ekipeve që militojnë në dy kategoritë e sipërme të futbollit tonë. Për sa i përket vështirësive deri ditën e transmetimit, mund të përmend që nga sigurimi i pamjeve dhe kronikave dhe deri tek ardhja e të ftuarve në studio, që është histori më vete. 
Emisionet analoge të televizionet e tjera, ja u vështirësojnë punën në emisionet tuaja?
Thjesht tek të ftuarit. Mendoj që futbolli shqiptar nuk meriton kaq shumë Rubrika Sportive. Nuk është normale, sepse kjo nuk ndodh në asnjë vend tjetër. Por kjo, lidhet me shumë faktorë, kryesisht me rregullatorin e transmetimeve televizive. RTSH paguan (jo pak) për të pasur kronikat e të gjitha ndeshjeve, ka blerë të drejtën e transmetimit. Në dijeninë time, kjo nuk ndodh me televizionet e tjera. Por kjo nuk është një çështje që më përket mua. Unë miq e shokë i kam edhe drejtuesit dhe autorët e programeve të tjera sportive. 
Në ekranin e TVSH shfaqni persona VIP të gazetarisë e sportit, sa ju ndihmon prania e tyre në ecurinë e emisioneve?
Shumë, sepse jam përpjekur brenda mundësive ti kem të gjithë. Do të më mirëkuptonin të gjithë, nëse do të veçoja Vladimir Grillon. Unë realisht nuk e ndaj dot transmetimin sportiv në ekranin e TVSH-së dhe emrin e Ladit. Më duket sikur ka lindur me Televizionin bashkë. Ndërkohë që e kam nga këshilltarët dhe bashkëpunëtorët më “besnikë” edhe sot e kësaj dite. Patjetër që edhe emrat e tjerë që kam bashkëpunuar dhe bashkëpunoj më kanë ndihmuar dhe më janë gjetur në krah. Kam marrdhënie shumë të mira me të gjithë. Këshillat e gazetarëve me eksperiencë për shumë çështje, më kanë ndihmuar dhe për këtë gjej rastin edhe nëpërmjet “Telegraf”-it, ti falënderoj. 
Jeni ndeshur ndonjëherë me të ftuar që pak e njohin hapësirën sportive, ndikojnë këta në uljen e shikueshmërisë?
Jam ndeshur, në emisione të tjera, jo në TVSH. Unë them, që gjithsecili duhet të flas për fushën ku është specializuar. Sporti ju duket i lehtë të gjithëve dhe marrin guximin dhe dalin në emisione sportive në statusin e “tifozit”. Edhe unë mund të jem tifoz në politikë, por nuk më fton njeri në debate politike, mund të ndjek shumë dhe të kem qejf muzikën, apo kinematografinë, por nuk e marr guximin që të shkoj në një emision të tillë. Secili ka fushën e vet. Nuk mund të abuzohet me miqësinë dhe shoqërinë që kanë autorët e programeve me të ftuarit. Për sportin, flasin njerëzit e sportit dhe në raste të caktuara mund të dalin edhe njerëz të fushave të tjera, por këto në shërbim të sportit. Nuk e ndjek dot një të ftuar, që fjalinë e nis me: Unë, nuk është se marr vesh shumë nga sporti, por…! 
Formatet e emisioneve tuaja sportive në TVSH, duken të avancuar në raport me të tjerët apo ju pengon fakti që nuk keni ekskluzivitete të tjera?
Gjithsecili mendon se bën emisionin më të mirë sportive, dhe më i avancuar është ai që trajton sportin ashtu si duhet. Dikush e bën në një mënyrë, dikush zgjedh një rrugë tjetër. Unë jam përpjekur, që sidomos për futbollin shqiptar të flas për teknikë me trajnerë të kualifikuar, të flas për rastet e diskutueshme me ish-arbitra të kualifikuar, për analiza sportive, kam afruar njerëz që janë të afirmuar në këtë fushë, etj. Më vjen mirë që kam arritur paraqitjen e skemave taktike tashmë grafikisht, edhe pse e kam nisur me tabelën e thjeshtë që përdorin trajnerët në dhomat e zhveshjes në një analizë. 
Në pozicionin e drejtuesit të sportit në TVSH, si e shikoni sot ekranin sportiv në Shqipëri?
RTSH ka edhe detyrim edukimin e shoqërisë me sport dhe unë do të mundohem ta arrij. Basketboll, volejboll, not, mundje, boks, peshëngritje, ping pong. Gjithçka që është e mundur të transmetohet. Ka filluar transmetimin RTSH Sport që shumë shpejt do të ketë një programacion të detajuar. Do jenë të ndërthurura lajmet dhe transmetimet sportive, ku në 24 orë në ditë sport do të ketë vend për të gjithë. Kemi lidhur kontrata me të gjitha federatat sportive, e do të jenë të gjitha sportet. E kam një prej prioriteteve të kanalit të ri, ku në ekran do të jetë çdo aktivitet kombëtar. Para pak ditësh transmetuam Direkt nga “Ramazan Njala”, kampionatin kombëtar të peshëngritjes. 
Duke qenë pranë ekranit të sportit, ju personalisht sa e ndiqni futbollin shqiptar Superior?
Shumë. Në vesh kam kufjet dhe dëgjoj “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, dhe mundohem ti kem në ekran të gjitha ndeshjet. Nuk dua të më shpëtoj asgjë. Kjo lidhet edhe me detyrën që kam, por edhe me emisionet që përgatis. 
Si e shikoni rivalitetin që kanë skuadrat në të dyja kahet e renditjes në Kategorinë Superiore?
Mendoj se është një kampionat interesant. Sot nuk e thotë dot njeri kush do të shpallet kampion, dhe cili do të largohet nga Superiorja. Shpresoj të jetë kështu deri në fund dhe mos të ndikojë atmosfera zgjedhore në futboll, edhe pse dyshoj shumë. 
Po me Kombëtaren, vazhdojnë marrëdhëniet e afërta që ka TVSH-ja?
Patjetër që po, sepse jemi transmetues zyrtarë të Kombëtares për fazën kualifikuese për Botërorin 2018. Këtë vit na presin ndeshje speciale, si ajo me Italinë në Palermo dhe më pas në Shkodër, apo me Spanjën e Izraelin. Shpresoj shumë që të arrijmë të paktën vendin e tretë në këtë grup. 
Kombëtarja sot, ku ndryshon me Kombëtaren në Evropian?
Një fazë finale e një kampionati Evropian, është maja dhe “skena” më prestigjioze për një futbollist profesionist. Tani është thjesht një fazë eliminatore. Një sportist, e kupton mirë çfarë dua të them. Motivimi, grinta, dëshira nuk më duket e njëjta, por ky është mendimi im personal, mund të jem edhe gabim. 
Çfarë do të sugjeronte Pano Xhixho për një nivel më profesional të emisioneve e transmetimeve sportive në televizione?
Të flasin profesionistët. Ka shumë trajnerë, sportistë të kualifikuar, trajnerë të moshave që vërtet nuk njohin dikë që ti afrojë në televizion, por janë shumë më të aftë dhe më të zotë se ata që vijnë për të folur për sportin kur ka evenimente të rëndësishme. E kuptoj që sporti në ekran është i ndjekur, por le të jetë pronë e njerëzve të sportit. 
Pano Xhixho
Datëlindja: 24 maj 1976
Vendlindja: Durrës
Arsimimi: Universiteti i Tiranës, Dega Juridik 
Profesioni: Gazetar sportiv 
Hyrja në gazetari: Në vitin 2001
Karriera në Gazetarinë Sportive: Në vitin 2001, Top Channel,në vitin 2002, Telesport, në vitin 2004 Gazeta Pro Sport, në vitin 2006, Gazeta Tribuna Sportive, në vitin 2010, Gazeta Sporti&Basti, në vitet 2008-2014, bashkëpunëtor i jashtëm në Supersport/Digitalb, nga viti 2014 e në vazhdim, Drejtor i Departamentit të Sportit në RTSH 
Sporti që ka ushtruar: Not
Tituj e trofe të fituara: Kampion për moshat 1989-1999: pionierë, të rinj, të rritur për garat: 200m, 400m, 1500m stil i lirë, 200m katërnotim, 100m delfin. Kampion i maratonave Kombëtare “Agron Ruvina”, 5 km në 1993, dhe 12 km në vitet 1994 dhe 1995 
Jashtë gazetarisë: Dëgjoj muzikë dhe lexoj kur gjej kohë
Jashtë ekranit: Pëlqej të jem me shok e miq, që mos të flasim për sport
Tifoz në Shqipëri: Tifoz me Butrintin e Sarandës (e kam përfaqësuar për 15 vjet, nuk janë pak)
Statusi: I martuar dhe me dy djem
Pano dhe noti sot
Notoj çdo mbrëmje që nuk kam transmetim, apo kur nuk jam i lidhur me punën në televizion. Thuajse 4-5 ditë në javë, bëj 2500-3000 metra notim. Për mua, mbetet sporti që më plotëson kur e ushtroj. Patjetër që është aktivitet fizik i përsosur, por është edhe mënyra më e mirë për tu çlodhur nga stresi dhe ngarkesa e ditës. Por, aktivitetet kombëtare i ndjek kur kam mundësi, ndërkohë që ato më të rëndësishmet ndërkombëtare, i kam sjellë në ekranin e TVSH-së. E shijoj shumë punën në televizion e do të rikujtoja, se në këtë ekran do të jenë të gjitha sportet. Në ekran, do të jetë çdo aktivitet kombëtar. RTSH ka edhe detyrim edukimin e shoqërisë me sport dhe unë do të mundohem ta arrij. 
Jeta jashtë ekranit
Një baba i përkushtuar i Kristit 10 vjeç dhe Elisit 5 vjeç. Martuar me Jonidën, e cila në profesion është mjeke. Me angazhimin në Televizion, i shikoj shumë pak gjatë ditës, dhe për këtë iu kërkoj ndjesë (por ata e dinë se jam them çdo natë). Nder që mbaj emrin e një dëshmori të atdheut si Pano Xhixho (komisar i Brigadës së 8-të). I bekuar që jam djali i Perikliut që nuk është më, por jam i bindur që më ndjek, aty është dhe Vjollca që nuk njeh kurrë fjalët: “nuk” dhe “jo”. Jam vëllai i Dorianit (administrator dhe analist projektesh në Londër) dhe Ervinit (teknik audio dhe DJ në Top Media), të cilët duhet ta pranoj, që nuk kanë parë asnjë ditë sport, vetëm vëllain e tyre kur notonte.
Gazetarët sportivë dje dhe sot, ndryshojnë marrëdhëniet e konceptet
Natyrisht që në këtë bashkëbisedim me Pano Xhixhon, s’do të dukej e plotësuar biseda, nëse prej tij nuk do të dilte edhe një opinion personal rreth atmosferës ndërmjet gazetarëve sportivë në përgjithësi, e në veçanti edhe për atë atmosferë që ekziston në mediat sportive sa i përket pasqyrimit të sporteve. Dhe, për Xhixhon, gazetarët e rinj janë më ta afërt mes tyre, në raport me gazetarët e vjetër, që sipas tij kanë pasur e kanë mëri, aq sa sipas tij edhe nuk flasin prej vitesh mes tyre. “Atmosfera për mendimin tim nuk mund të thuhet, se është shumë e mirë, por nuk mund të them se është gri. Nëse ndalesh ndërmjet gazetarësh, do ishte mirë që të grupoheshin diku. Ka apo s’ka një shoqatë për gazetarët sportivë, nuk di ta them ose edhe nëse ka, nuk është prezent. Marrëdhëniet mes gazetarëve të rinj për mendimin tim, janë shumë më ndryshe nga sa kanë qenë. Ka këndvështrime dhe pikëpamje të ndryshme për dukuri e ngjarje të caktuara, por nuk ka mëri. Me aq sa kam arritur të mësoj nga gazetarët më të vjetër sportivë, atmosfera nuk ka qenë e tillë më parë. Shumë prej gazetarëve të njohur sportivë shqiptarë, nuk flasin fare me njëri tjetrin, ndërkohë që aktualisht mendoj se kjo ka ndryshuar. Unë i kam të gjithë miq, edhe pse debatojmë për këndvështrime të ndryshme”, deklaroi Pano Xhixho për ambientin mes gazetarësh sportivë në Shqipëri, i cili më pas u fokusua edhe në atmosferën e pasqyrimit të sporteve në ekrane të televizioneve e në shtypin sportive shqiptar. “Për sa i përket hapësirës sportive, më vjen keq që pjesën e “luanit” e merr futbolli, por duhet të pranojmë, se është sporti më i dashur për shqiptarët. Ende ruaj arkivat e gazetave sportive të vjetra dhe krenohem kur shikoj veten në faqen e parë të Gazetës Sporti (të asaj kohe). Meritë padyshim e kryeredaktorit të asaj periudhe, që ndonëse luanin ekipet shqiptare në Evropë, kishte gjetur vend për sportin e Notit dhe Maratonën Kombëtare. E përmenda këtë fakt, sepse gazetaria sportive ka edhe një mision përveç komercialitetit, të edukojë”. E natyrisht që, ajo çka prek Pano në bashkëpunimin e marrëdhënieve e bashkëpunimit mes gazetarëve të vjetër sportivë (në moshë e në profesion) është realisht e saktë. Sepse duke qenë pjesë e kësaj dukurie, vite më parë e kam prekur këtë situatë, ndaj së cilës në asnjë rast nuk u bëra viktimë, por që asnjëherë nuk munda të bëj diçka për ta ndryshuar. Ndoshta kjo “trashëgimi” e pamerituar e shtypit sportiv, në një farë mënyre, ka bërë që gazetarët të grupohen, dhe aq më keq, kanë një Shoqatë në letër, e cila nuk funksionon prej vitesh, por ekziston vetëm në hije. Ndoshta kjo deklaratë e Pano Xhixhos, si drejtues i sportit në TVSH, do të bjerë në veshë që dëgjojnë dhe mendje që reagojnë.
Sigal