INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-futbollisti e trajneri i Dinamos, Andrea Marko
Agron Kaja
“Mungesa e golave është e dukshme dhe pjesa cilësore është e mangët. Renditja e skuadrave tona në Europë vlen për të dëshiruar, por jemi shumë larg, aq më shumë edhe që Superiorja nuk arrin të prodhojë lojtarë golashënues për Kombëtaren”

Superiorja rinisi sezonin me ndeshjet e javës së 19-të. Në pesë ndeshjet e luajtura, çfarë konstatuat në paraqitjet e skuadrave?
Janë shënuar pak gola, edhe pse kjo javë ishte një rifillim i mbarë për skuadrat që kanë në karakter fitoren, si Tirana, që e përmbysi ndeshjen me Dinamon. Ishte vazhdimësi e Egnatias dhe Partizani, por gjysma e skuadrave nuk kanë shënuar.
Cilën nga ndeshjet e kësaj jave do ta veçoni si më të mirën në të gjithë treguesit?
Ajo që kishte më shumë gola (Dinamo City-Tirana 2-3), që kishte edhe spektaklin dhe e luftuar deri në fund për rezultatin. Skuadrat që luajnë me theks sulmues edhe rrezikojnë, të tjerat kënaqen me 1 gol dhe tre pikët. Ndërsa lojtarët duhet të vrapojnë shumë në fushë.
Ku mendoni se rezultati ishte i paparashikueshëm, dhe në cilën i pritshëm?
Rezultatet e paparashikueshme i takojnë skuadrave udhëtuese, dhe këtu vetëm Tirana e bëri mirë. Në ndeshjet e tjera dominuan skuadrat vëndase dhe skuadrat u ruajtën për të mbajtur rezultatin. Janë vetëm 8 gola të shënuar, shumë pak.
Thuajse të gjitha skuadrat i aktivizuan disa nga lojtarët e afruar në merkaton e dimrit, cilin do veçoni?
Nëse Skukën e vendosim te prurjet e kësaj merkatoje dimërore, ai do jetë një nga blerjet më të mira, ndërsa për të tjerët mendoj se janë në fazën për të gjetur përshtatshmërinë në skuadrat e tyre.
Veç një PO-JO të Stavri Nicës nga bankina e Kukësit, cila ishte dukuria e kësaj jave të 19-të?
Me Stavri Nicën jemi mësuar me të tilla PO-JO! Sepse ai pjesën e largimeve nga skuadrat e ka në formën dëshirore. Por edhe ai ka vështirësitë e pakënaqësitë e tij, ndaj edhe mendoj se kjo “Odise” e mos-largimeve të tij mbetet për t’u parë.
Me këtë ecuri, cilat skuadra mendoni se do të bëjnë grupin e “Final 4”?
Ajo pak a shumë është formatuar, nisur nga fakti se dy skuadrat e para kanë diferenca të mëdha me vendin e pestë. Kështu, Egnatia e Partizani janë në Final 4, dhe Tirana me Vllazninë nuk mendoj se do të gabojnë për të qënë në katërshe.
Në fundjavë luhen ndeshjet e javës së 20-të, si i përshkruani të pesta çiftet?
Çdo javë është e rëndësishme. Pikët janë gjëja më e çmuar, nuk është loja. Ndeshjet do jenë të gjitha të vështira, sidomos për skuadrat në transfertë, ndërsa ndeshja më delikate mendoj se do jetë Skënderbeu-Dinamo City.
Janë luajtur 100 ndeshje, çfarë dukuri spikasin në këndvështrimin tuaj?
Mungesa e golave është e dukshme dhe pjesa cilësore është e mangët. Renditja e skuadrave tona në Europë vlen për të dëshiruar, por jemi shumë larg, aq më shumë edhe që Superiorja nuk arrin të të prodhojë lojtarë për Kombëtaren.
ABISSNET SUPERIORE
NDESHJET, JAVA 20
E premte, 19 janar 2024
Kukësi-Egnatia 13:30
Teuta-Tirana 17:00
E shtunë, 20 janar 2024
Erzeni-Vllaznia 13:30
Partizani-Laçi 17:00
Skënderbeu-Dinamo C 17:00
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Egnatia 19 40
2.Partizani 19 35
3.Tirana 19 29
4.Vllaznia 19 29
5.Dinamo City 19 22
6.Laçi 19 22
7.Skënderbeu 19 22
8.Erzeni 19 22
9.Kukësi 19 19
10.Teuta 19 16
Dorëheqja e Nicës, një P-JO për “rekord”

Egnatia, Skënderbeu dhe Erzeni janë bankinat, që po rezistojnë në këtë ecuri të egër në këto 19 javë të luajtura në këtë sezon. Dhe këtu, durrsaku Stavri Nica bën të veçantën, sepse tha se ka dhënë dorëheqjen edhe nga Kukësi, por zëvendësi i tij Kërnaja e përgënjeshtroi Live. Gjithsesi, kujtojmë se Nica e nisi këtë sezon në bankinën e Laçit dhe në javën e dytë dha dorëheqjen. Në javën e tretë u ul në bankinën e Kukësit dhe pas humbjes 0-1 me Vllazninë në javën e 19-të “dëshiroi” dorëheqjen, PO-JO! Ndoshta këtë herë durrsaku mendon se i ka kaluar “limitet” e tij të qëndrimit në një bankinë kaq gjatë. Partizani, Tirana, Vllaznia, Skënderbeu, Laçi, Kukësi dhe Skënderbeu i kanë ndryshuar trajnerët brenda këtij kampionati.





















