Latif Gjondeda: Vonesat e mëdha, dëmtojnë ekipet dhe kampionatin

33

KATEGORIA E PARË/ Ish-mesfushori i Flamurtarit, Latif Gjondeda, analizon hapësirën pa ndeshje

Sigal

Agron Kaja

Kategoria e Parë e ndali ritmikën e ndeshjeve zyrtare që më 16 dhjetorin e vitit të kaluar, ndërkohë që më 19 janar do të rikthehet me ndeshjet e javës së 17-të. Për gjithë këtë hapësirë pa ndeshje zyrtare, por edhe për atë çka duhet të bëjnë trajnerët e skuadrave në këtë periudhë, ish-mesfushori i Flamurtarit dhe Kombëtares, Latif Gjondeda deklaroi për gazetën “Telegraf” se të tilla vonesa nuk ndikojnë mirë te skuadrat, i dëmtojnë lojtarët dhe kampionatin. “Mendoj se nga data 16 dhjetor e deri më 19 janar që do të rinisë Kategoria e Parë me javën e 17-të, është një periudhë e gjatë pa ndeshje zyrtare. Nuk ndikon mirë as për skuadrat, për individët dhe gjithë kampionatin. Trajnerët besoj se në programin e tyre përgatitor i kanë kushtuar më shumë rëndësi përgatitjes fizike. Së pari për t’u dhënë mundësi atyre lojtarëve që kanë qënë jashtë forme, por edhe për t’i përshtatur lojtarët e rinj të ardhur në merkaton e janarit. Më pas bëhet edhe kolaudimi i skuadrës, për të qënë e gatshme në rifillimin e kampionatit”, kështu e nisi bisedën Mjeshtri Latif Gjondeda, i cili i referohet edhe merkatos që kanë bërë skuadrat në këtë periudhë. “Kjo pjesa e mbetur e këtij sezoni ka përgjegjësi tjetër, krahasuar me ato 16 javët që janë luajtur. Sepse çdo trajner do mendojë se si duhet të mbahen në tonus prurjet e reja, por edhe si duhet të organizohet menaxhimi i ritmikës së ndeshjeve nga java në javë. Ndaj u shpreha më sipër se, është një hapësirë kohore e gjatë që nuk do të ndikojë shumë për mirë në performancën e skuadrave”. Ndërsa për ndeshjet e javës së 17-të, Mjeshtri Gjondeda “zbardh” atë çka mund të bëjnë skuadrat. “Ndeshjet e kësaj jave kanë një “përplasje” mes tyre, në kuptimin teknik të tyre. Nga njëra anë janë skuadrat vëndase që duan fitoren, dhe nga ana tjetër ato do të kenë rivalitet e përplasje me ato skuadra që kërkojnë të ngjiten sipër në renditje, por edhe me ato që duan të mbijetojnë. Dhe këtu them se do të përfitojnë ato skuadra që do ti menaxhojnë mirë ndeshjet në 90 minutat e tyre ku do të ketë rivalitet deri në fund. Në këtë kategori, unë jam i mendimit që skuadrat me emër në futboll të jenë në vendet e kreut. Ndërsa ato skuadra që renditen në vendet e fundit të renditjes dhe kanë lënë emër edhe në Superiore, duhet të rregullojnë investimin dhe menaxhimin në skuadër”, ishte kjo biseda me specialistin e futbollit, Latif Gjondeda, ekskluzivisht për gazetën “Telegraf”.

LEGJIONARËT

Më të vlerësuarit e javës, Mihaj në krye të listës

Fundjava e kaluar mbylli edhe ndeshjet respektive në të gjitha kampionatet ku luajnë futbollistët shqiptarë të Kombëtares. Por më e suksesshme ajo ka qënë për disa prej tyre, të cilët kanë marrë edhe vlerësime të larta nga portali i njohur i statistikave sportive “Sofascore”. Kështu, Enea Mihaj që luan në Superligën portugeze me skuadrën e Famalikiao është vlerësuar me notën 7,7 në përballjen me Kasa Pia. Me notën 7.5 u vlerësua portieri Elhan Kastrati që luan me Çitadelën, e cila fitoi ndaj Palermos. Elvis Kabashi që luan me Rexhianën në Serie B u vlerësua me notën 7.4 në barazimin 2-2 me Pizën. Omar Imeri që luan me Shkupin dhe Jurgen Bardhi në Turqi me Ankara Keçiorenguçu, janë vlerësuar me notën 7.3. Për futbollistët e tjerë kuqezi, kjo ka qënë një javë e zakonshme.

Troket Broja, në formacionin e javës të Premier Ligës

Sulmuesi kuqezi Armando Broja luajti si titullar në rradhët e Çelsit në përballjen e ditës së shtunë ku skuadra londineze fitoi 1-0 ndaj Fulham Edhe pse nuk ka shënuar, paraqitja e tij në 66 minuta që u aktivizua ishte pozitive. Broja në këtë sfidë luajti më i zhvendosur në krah dhe tregoi vlera, edhe duke u përshtatur me një model të ri loje, ku rëndësi kanë më shumë driblimet dhe pasimet. Kështu, nisur nga nota që është vlerësuar, Armando Broja është përzgjedhur në formacionin e javës në Premier Ligë, përzgjedhje të cilën e ka bërë faqja e statistikave sportive “ËhoScored”. Në këtë formacion, në vijën e sulmit ishin edhe Hojlund i Mançester Junajitd dhe Riçarlison i Totenhemit, ndërkohë që krahas tyre ishin edhe Rodi, Enco Fernandez dhe De Bryjn.

Apolonia ia beson bankinën Artan Mergjyshit

Dje, Artan Mergjyshi është ulur në stolin e Apolonisë. Pas ndërprerjes së kampionatit, ish-trajneri spanjoll Jerai Rodrigues dha dorëheqjen dhe drejtuesit e klubit fierak kanë besuar në bankinë Artan Mergjyshin. Për gazetën “Telegraf” Mergjyshi deklaroi se për të është një sfidë e re dhe e vlerësuar.

KATEGORIA E PARË

NDESHJET, JAVA 17

E premte, 19 janar 2024

Elbasani-Korabi             17:00

E shtunë, 20 janar 2024

Kastrioti-Bylis                13:30

Lushnja-Tomori             13:30

Apolonia-Flamurtari       13:30

E dielë, 21 janar 2024

Vora-Luzi 2008              13:30

Besa-Burreli                   13:30

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Bylis                  16      39

2.AF Elbasani       16      36

3.Vora                  16      30

4.Flamurtari          16      30

5.Apolonia            16      26

6.Korabi               16      23

7.Lushnja             16      18

8.Kastrioti            16      15

9.Burreli               16      15

10.Luzi2008          16      12

11.Besa                 16      11

12.Tomori            16      10