Sporti ka nevojë për politika konkrete, gjithë përfshirëse e mbështetëse që të shoh me shpresë nga e ardhmja

347
Sigal

Nga Viron Bezhani

Sporti në Shqipëri nuk po përjeton ditët e tij më të mira dhe kriza e krijuar prej pandemisë natyrisht që ka pushtuar edhe atë, ndoshta të vetmin mjet argëtues, të cilin nuk po e lejon të marrë frymë. Kriza nuk ka ardhur vetëm për shkaqe të tilla, por edhe se pse njerëzit e sportit, të diktuar nga politika të mbrapshta e pa frymë konsensusi, janë kundërvënë ndaj njëri-tjetrit në vend që të bashkëpunojnë.

Sporti në Shqipëri gjithnjë ka vuajtur mentalitetin e gabuar të të bërit sport, jo nga ata që stërviten çdo ditë në një fushë të blertë apo pallat sporti, por nga ata që duan të bëjnë politikat e tij. Kjo krizë e të menduarit gabim në sport, pa patur vizionin e duhur për të çuar përpara sportin ka sjellë edhe gjendjen aktuale. Dhe, për fat të keq, edhe sot pas 30 vitesh demokraci, shikon e dëgjon sërish të njëjtët demagogë të paaftë të të bërit sport që flasin e ngatërrojnë politikën me sportin. Shqipëria e sotme, në kushte të një beteje edhe me pandeminë, mund të ketë shumë probleme, por kjo nuk do të thotë që duhet të lëmë pas dere sportin.

Me ndryshimin  që po vjen e gjithë Shqipëria po hyn në një fazë të re, atë të integrimit të përhershëm në Europë, ëndrra e të gjithëve. Dhe pjesë e këtij integrimi do të jetë edhe sporti, i cili ka mbetur pas, ndonëse duhej të ishte në krye. I lënë në harresë për 30 vjet me radhë sporti shqiptar ka lënguar shumë dhe sot është në këtë gjendje të mjerueshme, pasi nuk është vlerësuar ashtu si duhet. Për të mbajtur gjallë sportin sot duhet një politikë e detajuar, një politikë e hapur, gjithëpërfshirëse dhe mbështetëse për sportin, që ai të shohë me shpresë nga e ardhmja. Filozofia e sportit është e qartë: Ai ka vlera edukative dhe shëndetësore.

Sot, më shumë se kurrë, duhet punuar për ta shtrirë sportin në çdo qelizë të saj. Hartimi i programeve inkurajuese e mbështetëse, që synojnë dhe nxitin një pjesëmarrje të gjerë duhet të jetë në themel të sportit shqiptar. Një nga bazat e ndërtimit të një sporti sa më gjithëpërfshirës është përfshirja e tij në shkolla. Duke ndërtuar gjërat shkallë-shkallë dhe duke i parë me kujdes të gjithë elementët që nga baza, mund të ndërtojmë një piramidë me një bazë sa më të shëndoshë e të gjerë. E kjo vjen duke afruar sa më shumë fëmijë, duke u dhënë atyre sa më shumë mundësi të merren me sport. Më pak sport, më pak të shëndetshëm e më pak të suksesshëm në arenën ndërkombëtare. Kjo është e thjeshtë.

Njerëzit që merren me sport janë edukatorë sportiv, njerëz për të cilët Shqipëria sot ka nevojë, për të edukuar me frymën e “fair play” dhe edukatës sportive të rinjtë e sotëm. Është pikërisht ky modeli europian i sportit që ne duam të adaptojmë në të ardhmen. Një zinxhir që funksionon sot në mbarë botën është që një masivitet i madh në fushën e sportit do të thotë të jesh më shumë konkurrues, pasi edhe cilësia do të jetë më e madhe. Nga një bazë e gjerë sigurisht që do të dalë një cilësi më e mirë dhe fituese në gara. Mundësinë për t’u marrë me sport fëmijëve duhet t’ua krijojë shoqëria dhe sistemi arsimor në veçanti. Sot, aktiviteti fizik dhe sporti duhet të jenë pjesë thelbësore e përditshme e jetesës.

Bashkëpunimi dhe respekti reciprok është në qendër të çdo ndryshimi sot në sport, pasi të gjithë së bashku mund të vëmë nga një tullë në këtë ndryshim që sot kërkojmë për zhvillimin e sportit. Njerëzit e sportit sot presin ndryshimin, që do të thotë më shumë përkrahje financiare, një ligj më të mirë, më shumë mjedise sportive për sportistët e komunitetin etj. Ka ardhur koha që ne, njerëzit e sportit, të përpiqemi ta kthejmë atë në rrugën e duhur. Ose të paktën të përpiqemi t’i japim sot sportit shqiptar një identitet.

Kjo nuk do të jetë e lehtë për askënd, as për qeverinë, as për KOKSH-in e as për Federatat, por nëse të gjithë bashkë do të bashkëpunojmë gjërat do të ndryshojnë. Askush nuk duhet të mendojë se i vetëm mund të bëjë gjithçka, pasi kështu ka dështuar që në start. Kështu ka ndodhur në vitet e fundit me politikat e bërjes së sportit nga qeveria dhe të gjithë dështuan dhe rezultati tashmë shihet: Një sport i rrënuar, i lënë në mëshirë të fatit dhe i papërkrahur, me shpresën që shumë shpejt do të ringrihet në lavdinë e dikurshme.