Trukimet e ndeshjeve, Garcia: “Çdo gjë është konfidenciale”

481
Sigal

Të dërguarit e UEFA-s, deklarata diplomatike pas takimit në Prokurori: “Mbledhje e frytshme!”

Edhe pse të gjithë prisnin një deklaratë të fortë të dy të dërguarve të UEFA-s, Ulf Kluser, oficer i Integritetit në UEFA dhe Emilio Garsia, shef i Komisionit të Disiplinës në këtë institucion, deklarata e këtyre të fundit pas takimit në Prokurorinë e Përgjithshme me drejtorin e Hetimit, Adnan Xholi, kishin më shumë nuanca “diplomatike”. Delegacioni i UEFA-s zbarkoi në Tiranë, për të marrë informacione mbi ecurinë e hetimeve të ndeshjeve të dyshuara për trukim në kampionatin shqiptar duke zhvilluar një takim “kokë më kokë” për rreth 40 minutash me drejtorin Xholi. Në përfundim të takimit, delegacioni i UEFA-s bëri disa komente të shkurtra në dyert e Prokurorisë së Përgjithshme, për t’iu përgjigjur interesimit të madh të gazetarëve, edhe pse përgjigjet e tyre nuk ishin ato që priteshin. Shefi i komisionit të disiplinës pranë UEFA-s, Emilio Garcia ka dribluar çdo pyetje duke falënderuar gazetarët për interesimin. “Mund të them se ishte një vizitë kortezie, e cila vinte pas asaj të bërë vitin e shkuar në funksion të hetimit që kemi nisur me prokurorinë. Pata një takim të frytshëm me zotin Xholi, por duhet të saktësoj se është një vizitë e zakonshme që bën UEFA edhe me vend të tjera të Europës. Dosje në hetim? Preferoj që të mos komentoj një gjë  të tillë. Ishte një mbledhje e frytshme dhe ne jemi të kënaqur me atë çka po bëjmë, duke i njohur meritën edhe federatës shqiptare e cila po bashkëpunon për gjithçka që ka të bëjë edhe me zyrën e prokurorit. Ndeshje të fiksuara? Preferoj që të mos i përgjigjem faleminderit për kohën tuaj”. Delegacioni i UEFA-s vjen pak muaj pas vizitës që bëri në Tiranë zëvendëssekretari Teodor Teodoridhis, pikërisht për çështjen e ndeshjeve të dyshuara si të trukuara. Pavarësisht se, nuk ka një deklaratë publike, qëllimi i kësaj vizite ishte për t’u informuar rreth ecurisë së hetimeve, në mënyrë që të merren masat për parandalimin e fenomenit të trukimit të ndeshjeve. Shqipëria është “kampione” për trukimin e ndeshjeve. Kjo gjë u konstatua disa muaj më parë nga një raport i detajuar i një kompanie lider në botë për analizat dhe hulumtimet në shitjen e ndeshjeve, sikundër është “Sport Radar”. Sipas saj, brenda një periudhe prej dy vitesh e gjysmë, në Shqipëri dyshohet se janë manipuluar 97 ndeshje futbolli, përfshi kampionat dhe kupë. Po sipas saj, këto ndeshje mund të jenë manipuluar për qëllime përfitimi financiar, dhe gjithçka ka ndodhur gjatë 30 muajve të fundit. Shqipëria renditet e para dhe pas saj vjen Italia, me 70 ndeshje të dyshuara si të manipuluara.

  Majlinda Kelmendi, Kampione e Europës në xhudo

 Xhudistja e njohur kosovare, Majlinda Kelmendi, u shpall Kampione e Europës pas fitores në finale me rusen Natalia Kuziutina në kategorinë e peshës deri 52 kilogram. Kampionia e botës triumfoi në evropianin që po mbahet në Montpellier të Francës. Kampioni xhiron e parë e kaloi pa luftë, në të dytën u ndesh me rumunen Aleksandra Larisa Florian, ndërsa në çerekfinale ishte më e mirë se Zhana Stankeviç nga Armenia. Në gjysmëfinale, “mbretëresha” nga Peja ishte më e suksesshme se garuesja e Gjermanisë, Mareen Kraeh. Në finalen e madhe, Majlinda Kelmendi ishte më e suksesshme se Natalia Kuziutina nga Rusia. Xhudistja pejane në gusht të vitit të kaluar fituar titullin e Kampiones së Botës në Rio de Janeiro te Brazilit. Dy garuesit e tjerë nga Kosova, Distria Krasniqi (-48 kg) dhe Akil Gjakova (-52 kg) u eliminuan në xhiron e parë, respektivisht të dytë. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ministri i Sportit, Memli Krasniqi urua kampionen e re të Europës në xhudo për kategorinë deri 52 kilogram, Majlinda Kelmendin. “Majlinda kampione e Europës, për herë të parë në histori të Republikës së Kosovës. Lajmi më i mirë që dëgjova për ditëlindjen time. Urime Majlinda, urime Driton, urime ekipi i Kosovës!”, ka shkruar Thaçi në faqen e tij në rrjetin sociale “Facebook”.

Presidenti i FSHF-së: “Tentuam me disa mënyra të kontaktuar Adnan Januzajn, por pa dobi”

 Armdand Duka: “Kombëtarja nuk është me lutje, por me zemër”

 Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, reagoi pas zgjedhjes që bëri futbollisti shqiptar i Mançester Junaitid, Adnan Januzaj, për të veshur fanellën e kombëtares së Belgjikës dhe jo atë të Shqipërisë apo të Kosovës. “Jemi munduar të kontaktojmë me të, por është shumë e vështirë. Ai nuk ka pasaportë shqiptare dhe nuk mund të bëjmë një ftesë zyrtare për të, nëse ai nuk shpreh dëshirën e tij për të qenë pjesë e kombëtares”, – tha Duka për çështjen “Januzaj”. Presidenti Duka theksoi faktin se, ka qenë e vështirë dhe thuajse të kontaktoje me lojtarin apo me babain e tij, i cili luan edhe rolin e menaxherit të yllit të ri të Mançester Junaitid. “Kemi tentuar në disa mënyra që të komunikojmë drejtpërdrejt me të, por ka qenë e pamundur. Ai e ka marrë ftesën dhe tashmë pritej të vendoste”, deklaroi Duka. Numri një i futbollit shqiptar tha se, Shqipëria është shumë e vogël, përpara vëmendjes që ka marrë një djalosh 19-vjeçar. “Kombëtarja nuk është me lutje, por me të ndier. Në kombëtaren shqiptare vjen cilido futbollist që e ndjen veten shqiptar dhe ndjen për ngjyrat e flamurit, për himnin kombëtar dhe për kombin tonë”, shprehej Duka. Para disa kohësh, trajneri i Kombëtares shqiptare, italiani Xhani De Biazi, u shpreh publikisht se “më lehtë e kishte të takonte Papa Françeskun, sesa të atin e Adnan Januzajt”. De Biazi i kishte dërguar rregullisht atij disa dhjetëra mesazhe, por pa marrë kur përgjigje. Por, me një tjetër këndvështrim e sheh trajneri i Kombëtares së Kosovës, Albert Bunjaki. “Mendoj që është një zgjedhje e drejtë duke pasur parasysh që Belgjika i ofron mundësinë të luajë në botëror.

”Ka shumë njerëz që nuk u pëlqen ky vendim, por është e drejtë personale që çdo person të vendosë për fatin e vet”. Në lidhje me mundësinë që, Adnan Januzaj të luajë me fanellën e Kosovës, Bunjaki u shpreh: ”Çështja e Kosovës është më unike sepse nuk i ofrojmë dot ndeshje zyrtare por me pranimin në FIFA ai do të ketë mundësinë që të bëjë një zgjedhje, por duhet respektuar vendimi i tij. Edhe pse ai ka zgjedhur Belgjikën kjo nuk ia mbyll derën Kosovës”. Trajneri i Kosovës hodhi poshtë zërat për një ofertë në drejtim të Debatik Currit, duke theksuar se mbrojtësi është pjesë e kombëtares së Shqipërisë dhe për asnjë moment nuk i ka ofruar fanellën e Kosovës.

Igli Tare: “Adnan, je turpi i shqiptarëve”

 Shumë lojtarë të ish-futbollistë të Kombëtares shqiptare kanë komentuar vendimin që mori Adnan Januzaj, për të veshur fanellën e Kombëtares së Belgjikës. Ish-kapiteni i Kombëtares, Igli Tare, aktualisht në rolin e drejtorit sportiv të Lacios, komentoi vendimin e Januzajt si një turp. “Ishalla nuk janë të gjithë bijtë e kësaj toke si ti. Turp!” “Është hera e dytë që po jap koment për këtë temë në lidhje me angazhimin e lojtareve shqiptare ne Kombëtare. Problem nuk është Adnan Januzaj apo Valmir Berisha, problemi është te injoranca dhe mungesa e patriotizmit të prindërve të tyre, që shikojnë interesat e tyre private. Të vish në Kombëtare nuk është zgjedhje, është detyrim i çdo shqiptari që e ka shqiponjën në zemër”, – shkruan në ish-futbollisti i Kombëtares, Adrian Aliaj, në rrjetin “Facebook”. Edhe portieri i Skënderbeut dhe i përfaqësuese, Orges Shehi, komentoi me tone diplomatik vendimin e Januzajt: “Ai është një vendim personal i Adnanit edhe pse ka trishtuar shumë shqiptarë”.